Stefan Çipa: Do të prishim të gjitha ndërtimet pa leje

545
Sigal

SARANDË/Kryebashkiaku: Pas 20 ndërtimeve të para, do prishen të tjerët. Vitin që vjen, asnjë plazh privat

Bashkia e Sarandës ka qenë e para që i është përgjigjur vendimit të qeverisë shqiptare të pas zgjedhjeve të 23 Qershorit për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje, duke filluar me prishjet e tyre qysh në muajin Shtator dhe në vijimësi. Sipas statistikave zyrtare, deri tani numërohen rreth 20 objekte e shtesa objektesh të prishura. Më herët akoma mund të përmendim alarmin dhe sensibilizimin e Kryebashkiakut Stefan Çipa për masakrën urbane të ndodhur në Sarandë, me zhvillimin e dy konferencave kombëtare “Saranda e të gjithëve, të gjithë për Sarandën”. Pikërisht në valën e këtij aksioni kombëtar në vijën bregdetare, ku ditën e diel vet kryeministri shqiptar Edi Rama, ka inspektuar zhvillimin e këtij aksioni në qytetin e Vlorës, Kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa,ka dalë dje në një konference për shtyp. Në këtë dalje publike, Kryebashkiaku Çipa,i ka përcjellë opinionit publik vendosmërinë e njësisë vendore që drejton në aksionin e lirimit të hapësirave publike. Çipa, përveçse thirrjes për mirëkuptimin qytetar, siç është vepruar deri tani, në mënyrë që të mbyllet viti 2013 me performancë e dëshiruar, ka theksuar në mënyrë të prerë se nuk do të lejohet asnjë ndërtim pa lejë në qytet e rrethina. “Jemi të vendosur të vazhdojmë me këto prishje, kryesisht nga hyrja në shëtitore tek turizmi e deri tek hyrja e portit detar. Për këtë është hartuar një plan i mirë studiuar dhe i bashkërenduar me institucionet INUV dhe urbanistikës pranë bashkisë së Sarandës, ndonëse nuk jemi mbështetur nga INUK dhe ende listat e prishjeve të bujshme nuk kanë mbërritur pranë bashkisë. Bashkia ka edhe 33 çështje penale të kallëzuara në prokurorinë e rrethit të Sarandës ndaj masakrës urbane të ndodhur në qytet. Javët deri në fund të vitit, do të jenë javët e një kontrolli të rreptë mbi territorin e administruar nga bashkia”,- ka theksuar Kryebashkiaku Stefan Çipa. Natyrisht në aksione të tilla nisin edhe për foljet dhe akuzat me thashetheme ndaj institucionit zbatues dhe titullarit, kjo si masë mbrojtëse e grupit të interesit që preket nga prishja. Dhe më e përfolura në opinion është selektimi i objekteve, apo lajmërimi i individëve të veçantë para aksionit të prishjes. Pikërisht,këtu është ndalur Kryebashkiaku i Sarandës,për t’u dhënë përgjigjen e prerë se nuk do të tolerohet në asnjë rast. “Janë lajmëruar të gjithë përdoruesit dhe përfituesit në territoret dhe hapësirat publike, si dhe ata me objekte të paligjshme. Vera e ardhshme nuk do të ketë asnjë pëllëmbë, apo centimetër të hapësira publike të zaptuara dhe plazhe private. Gjithçka e publikut do t’i kthehet publikut në interes të tij. Thashethemet shpejt do të treten duke parë vendosmërinë e bashkisë në vijim të prishjeve të paligjshme. Dhe kjo pa asnjë selektim”,- ka përfunduar Kryebashkiaku Stefan Çipa.