Stalingradi, beteja vendimtare e Luftës së Dytë Botërore

3511
Aleksandër Rama 
Ish-pedagog në SHLBO

Deri tek dita e 9 majit ishin kryer me mijëra beteja, ishin vrarë miliona njerëz, ishin shkatërruar qindra qytete dhe dhjetëra shtete. Bota ishte në kolaps. Qielli në mbarë botën ishte i nxirë. Më 23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri. Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si, Beteja e Stalingradit. Në rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerile. Duke qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup nuk kanë munguar. Lufta e egër, bëri që morali i trupave të të dyja palëve të binte. Edhe pse Gjermania po dëmtohej shumë nga kjo betejë, Hitleri nuk do të urdhëronte kurrë tërheqjen. Von Paulus, i ndodhur në një gjendje të mjerueshme, do provonte edhe një herë një sulm kundra Sovjetikëve në fillimet e nëntorit. Tashmë Ushtria Gjermane kishte në dorë rreth 88% të qytetit, por me sa dukej, rezistenca e Ushtrisë së Kuqe, nuk do të binte bashkë me qytetin e shkatërruar. Ndërkohë që Ushtria Gjermane, futej akoma më thellë në qytet, Sovjetikët kishin forcuar krahët në rrethinat e Stalingradit. Në këtë mënyrë, Sovjetikët patën mundësi të rrethonin deri diku Ushtrinë Gjermane. Operacioni “Uranus”, në 19 nëntor, pati si bazë sulmimin e forcave gjermane nga të dyja krahët. Ky operacion korri sukses. Trupat Sovjetike do të takoheshin në Kalaç dhe 4 ditë më vonë, Divizioni i Gjashtë i Ushtrisë Gjermane, do të rrethohej i tëri. Kjo për ta ishte një grackë nga ku nuk do të ishte shumë e lehtë të dilnin. Divizioni i Gjashtë, kërkoi leje për të dalë nga rrethimi, por Hitleri nuk i lejoi, duke i premtuar se ata do të furnizoheshin nga qelli me ushqime, deri sa të shpëtoheshin. Megjithatë Sovjetikët nuk do të bënin sehir ndërkohë që Hitleri të sillte ndihmat. Në atë kohë, Sovjetikët do të lëshonin një sulm kundra forcave të ndodhura në afërsi të Moskës. Ky sulm i quajtur Operacioni Mars, kishte si synim ndërprerjen e kontakteve ndërmjet divizionit qendror me atë të divizionit në jug të Stalingradit. Me të shpejtë, Von Manstein do të formonte një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në ndihmë ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50 kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat Sovjetike, nuk do ta lejonin atë të ecte përpara qoftë edhe një metër me shumë. Në fund të vitit 1942, Divizioni i Gjashtë, ishte katandisur si mos më keq, pasi Luftwaffe (Forcat Ajrore Gjermane), nuk sillte as 1 të 6 e furnizimeve të nevojshme. Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos parë rrugë tjetër shpëtimi. Nga ky vendim, 91 000 ushtarë gjermanë dhe 22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore. Mendohet se gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë. Ndërsa gjithsej 2 milionë njerëz do të vdisnin në këtë betejë (por kjo është e diskutueshme). Për më tej, e vërteta historike qëndron në faktin se ditët e para të majit dhe pikërisht më 2 maj 1945, dorëzohen forcat naziste gjermane që mbronin Berlinin. Po në këtë datë, gjenerali gjerman i Artilerisë, Helmuth Weidling, që ishte komandant i zonës së mbrojtjes së Berlinit i dorëzoi pa kushte qytetin e Berlinit gjeneralit sovjetik Vasili Çuikov. Në të njëjtën ditë, oficerët që komandonin ushtritë nazistë të grupit Vistula në veri të Berlinit, gjenerali Kurt von Tippelskirç që ishte komandant i armatës 21 naziste dhe gjeneral Hasso von Mantueffel, që ishte komandant i armatës së tretë Panzer, iu dorëzuan ushtrive aleate. Më 8 Maj mbi Rajstag ngrihet flamuri i fitores.
Sigal