Spoti i turpshëm i ministrisë së Mbrojtjes për 10 vjet në NATO, mbushur me censurë, servilizëm dhe delir

619
Sigal

Këto ditë bëhen 10 vjet që nga 1 prilli 2009 kur Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut NATO, një vit pas ftesës që iu bë vendit tonë zyrtarisht në mbledhjen e NATO-s në Bukuresht.

Atëherë, kryeministri Sali Berisha ishte në krye të ceremonive zyrtare për këtë event që u cilësua si arritja më madhore në fushën politike dhe atë të sigurisë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Tani bëhet një dekadë që jemi vend i NATO-s. Merita kryesore padyshim është e qeverisë së mëparshme që punoi për këtë akt anëtarësimi dhe arriti të bindë NATO-n që ta bëjë pjesë të saj.

Shqipëria 10 vite në NATO on Vidnews.

Ndaj, në kuadrin e festimeve të dhjetëvjetorit të anëtarësimit që po organizon ministria e Mbrojtjes, më së paku, në spotin televiziv të shpërndarë gjithandej nëpër media, do të duhet të ishte dhe një pasazh nga ceremonia e dhjetë viteve më parë, teksa kryeministri i atëhershëm, merrte zyrtarisht vendimin.

Por spoti që mund ta shikoni dhe më poshtë, është përpjekur të fshijë historinë, duke u mbushur sa me censurë, po aq dhe me servilizëm e me delir.

Në spot, nuk ekziston asnjë pamje që të tregojë liderët e shtetit të 2009 që merrnin pjesë në ceremonitë e rastit, përkundrazi jepet një pasazh i përgjithshëm që nuk tregon asgjë.

Në të kundërt, në spot, teksa flitet për përvjetorin e futjes në NATO, jepen pasazhe nga një takim i kohëve të fundit i NATO ku ndodhet dhe kryeministri aktual, Edi Rama.

Servilizmi i Olta Xhaçkës me këtë spot, nuk ndalet, duke paraqitur dhe një foto të Edi Ramës me Presidentin amerikan Tramp e më tej edhe një herë Rama me Trampin në event të përbashkët.

Në vijim të spotit 30 sekondësh nuk mungon as deliri, teksa paraqitet edhe ministrja aktuale e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, disa herë në ato pak sekonda.

E vetmja gjë për t’u përgëzuar në video, është evidentimi tek-tuk i disa aksioneve humanitare të ushtrisë në raste emergjencash natyrore në vend.

Spoti televiziv që shikoni, në të vërtetë nuk është thjeshtë censurë, servilizëm dhe delir.

Ai tregon qartësisht mënyrën sa dhe si është helmuar klasa politike shqiptare dhe si reflekton ky helm më aktivitetin e saj.

Në vend që spoti festiv të përfshinte palët e përfshira në këtë proces, aq më tepër, palën që ia doli të realizojë procesin, përdoret strategjia e shëmtuar e fshirjes së kujtesës dhe promovimit të së tashmes.

Në çdo rast, një qeveri mund dhe duhet ta promovojë punën e saj. Por në një rast si ky, më së paku duhet të respektohet dhe evidentohet edhe puna e paraardhësve. Kjo nuk është vetëm etikë, por edhe një frymëzim për shqiptarët që të fillojnë të besojnë se ky vend po e largon helmin që bart politika.