Spitali Ushtarak është kthyer në “kazermë” të braktisur

    452
    Qendra e Traumës, ose siç quhej deri para 3 vitesh “Spitali Ushtarak” në Tiranë, që nuk u shërben më ushtarakëve, ka nisur të mos u shërbejë as qytetarëve të thjeshtë, jo se nuk i pret tek “porta”, por sepse u krijon probleme gjatë shërbimit nëpër pavione, EKO, Rontgen, urgjenca e shërbime të tjera. Ka një praktikë të rëndomtë tip “virusi” prej modelit “Beqja”, që është futur edhe në ish-Spitalin Ushtarak ose Qendra e Traumës, siç e quajnë tani, pas “ç’gradimit” që i është bërë këtij spitali prej shtetit shqiptar, duke mos e quajtur më zyrtarisht “Spitali Ushtarak”. Gazeta “Telegraf”, ka kryer një investígim të plotë, lidhur me këtë qendër spitalore e cila është tjetërsuar në një “kufomë”, jo vetëm nga shërbimi brenda pavionëve e klinikave që ka, por edhe nga mjedisi. Sot po nisim publikimin e vëzhgimeve tona, lidhur me mjediset e këtij spitali. Është një mjedis që nuk mund të quhet mjedis as për bagëti e jo për pacientë dhe qytetarë që shoqërojnë pacientët. Spitali Ushtarak, siç dihet është copëtuar në dy pjesë. Një pjesë i është dhënë me qira një shërbimi mjekësor privat me emrin “Spitali Amerikan”, me mjekë turq, me infermiere italiane, me laborantë azerbajxhanas, me roje shqiptarë dhe me pastruese maqedonase. Ata që i çon halli në spitalin ushtarak, duhet të përballen me shumë probleme mjedisore, klinikore, korruptive, analizash. Gjithë shërbimi në këtë spital është tjetërsuar në një tip spitali “xhungle”, ku çdo gjë kalon në “skanerin” e ryshfetit. 

    Më shumë janë drejtues, zyrtarë, mjekë, laborantë, infermierë/e, anestezistë, roje, policë privatë e sekserë se sa pacientë. Më shumë prej tyre gjenden në kafe, se sa në dhoma pacientësh e në pavione, apo dhoma vizitash. Që të transportohet një i sëmurë me krevat nga një dhomë në pavion ose sallë operacioni, duhet tú lutesh shefave, infermierëve e cilitdo që mund të shërbej si sekserë për të gjetur… krevatin portativ! Mjekët e dhomave të pacientëve, shkojnë vetëm 1 herë në mëngjes pranë pacientëve dhe gjithë ditën hargalisen nëpër kafe, ose ikin nga spitali për punët e tyre private edhe në klinika e punime private. Infermierët, edhe pse shkojnë pranë shtretërve të pacientëve me kartelën e medikamenteve të mjekimit ditor të përcaktuar nga mjeku, detyrohen t’u thonë familjarëve të pacientëve se nuk janë të gjithë medikamentet dhe se duhet t’í blejnë në farmacitë private, të cilat si një “klon” e kanë rrethuar Spitalin Ushtarak. Ajo që shqetëson më tepër është hyrja dhe mjediset e këtij spitali, aq sa brenda mjediseve të spitalit gjenden edhe “kope qensh” rruge. Gazeta “Telegraf”, po publikon pa asnjë koment, foto të bëra dje në mjediset jashtë Spitalit Ushtarak, të cilat siç duken janë një pamje e trishtë dhe e papranueshme për një qendër spitalore. Gjithë mjedisi është kthyer në parkim automjetesh të mjekëve të “varfër” dhe të kujtdo që dëshiron të futet, madje edhe të auto-betonierëve të firmave ndërtuese dhe makinave të lëndëve drusore. Sipas bisedave të bëra, prej 3 vitesh nuk ka asnjë pastrim mjedisi, nuk ka asnjë trajtim të pjesës së gjelbër as me dezifektim, aq sa pemët brenda kësaj qendre janë kthyer në “qendra” infeksionesh e insektesh që “tërbojnë” ata që shkojnë brenda kësaj qendre spitalore. 
    ———————————
    Nesër do të lexoni:
    1. Kontrata abuzive që zhvati 60% të Spitalit Ushtarak dhe fshehja e kontratës prej drejtuesve të spitalit.
    2. Sa detyrime financiare ka shoqëria private “Spitali Amerikan” dhe a arkëtohen këto në buxhetin e shtetit; kush i menaxhon lekët e qirave, dhe në cilin llogari bankare shkojnë? 
    3. Sa është kontrata vjetore e qirasë së pjesë që ka marrë me koncesion shoqëria private “Spitali Amerikan”? 
    4. A ka detyrime shoqëria private “Spitali Amerikan” për të trajtuar pacientë shqiptarë falas dhe në çfarë përqindje?
    5. A financohet shoqëria private “Spitali Amerikan”, me financime ilegale shtetërore nga Ministria e Shëndetësisë për shërbimet ndaj pacientëve shqiptarë dhe sa?
    6. Sa metër katrorë sipërfaqe ndërtimi dhe territor ka të përcaktuar në kontratën e qirasë shoqëria private “Spitali Amerikan” dhe sa ka “zaptuar” realisht? 
    7. A ka bilance ky koncesion dhe sa herë raportohet në institucionet përkatëse, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë?
    8. A ka bilance kontrolli për shoqërinë private “Spitali Amerikan”, prej tatimeve për detyrimet fiskale?
    9. A ka e zbaton ligjin për mjekësinë shqiptare, shoqëria private “Spitali Amerikan”?
    10. Përse lejohet ky spital, të zaptojë me “gardh” edhe sipërfaqe jashtë hapësirave të përcaktuar në kontratën koncesionare? 
    Sigal