Spitali s’ka ilaçe, qytetarët: Na kërkojnë që të blejmë edhe shiringat!

    454
    Sigal

    VËZHGIM/Papastërtia dhe i ftohti shoqëron pacientët e repartit të kirurgjisë 2 në QSUT

    Situata në spitalet tona mbetet si gjithmonë e pandryshuar, edhe pse herë pas here bëhen deklarata për përmirësim të kushteve në spitale. Realiteti është i hidhur për mijëra qytetarë që shkojnë në spitale sot për zgjidhjen e problemeve të tyre. Të hidhur e bëjnë kushtet, mungesa e ilaçeve, mungesa e shërbimit, mungesa e higjienës, lagështia në ambientet e brendshme. Por në “lojë” përkrah këtyre futen edhe mjaft fenomene të tjera të padrejta, por që janë bërë pjesë e sistemit spitalor, siç janë bashkëpunimi i mjekëve me klinikat e veçanta private për blerjen e ilaçeve. Këto janë disa mënyra që në një formë apo në një tjetër ua bëjnë më të vështirë dhe më të mundimshëm shërimin pacientëve që u drejtohen dyerve të spitaleve shqiptare nga halli në ditët e sotme. Tek vëzhgon situatën në ambientet e qendrës spitalore sot, me dhjetëra njerëz hyjnë e dalin. Por atyre përkrah shqetësimit që kanë u duhen shumë para për të mbaruar një hall në spitale sot. Qytetarët shprehen të shqetësuar për “Telegraf” edhe për kushtet e vështira higjienike që ndodhen një pjesë e madhe e ambienteve në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, e cila është edhe më e madhja në vend. Një ndër repartet më problematike ku mund të gjesh të gjitha si, papastërtitë, mungesën e ngrohjes, lagështinë dhe mure të prishura si të mos jenë fare funksionale. Të gjitha ato që thamë më sipër i përkasin repartit  të kirurgjisë 2. Pamjet që të ofron ky repart, po ashtu edhe shërbimi që ofron nuk plotëson as kushtet standardet më minimale. Pse është katandisur në këtë mënyrë sistemi ynë shëndetësor, ku janë standardet evropiane që ne pretendojmë dhe duam të arrijmë të nderuar qeveritarë? Njerëzve u dridhen këmbët kur u drejtohen dyerve të spitaleve, pasi kanë frikë se, shkojnë për t’u shëruar dhe marrin ndonjë sëmundje tjetër nga papastërtia. Kanë frikë të shkojnë pasi duhet t’i kenë xhepat të mbushur me para, pasi mënyrat e “grabitjes” së parave janë nga më të ndryshmet. Dhe për këtë asnjë nuk merr asnjë përgjigje.

    Problemi i mungesës së ilaçeve

    Por një problem tjetër i madhe për spitalet tona është se ka një mungesë të theksuar ilaçesh. Dhe për më tepër bëhet akoma më e rëndë situata në momentet që në disa raste në spitale nuk ka as shiringa për pacientët. Në disa raste pacientëve u kërkohet që të shkojnë edhe të blejnë edhe shiringat vetë pasi as këto nuk gjenden në spital. “Para një jave, isha në spital dhe spitali më thanë që nuk ka as shiringa. Në këtë pikë ka arritur sistemi jonë shëndetësor. Për ilaçe të tjera nuk bëhet fjalë që të ketë në spital, tek ka shkuar puna që mos të ketë as shiringa është për të ardhur keq” shprehet për “Telegraf”, Ilir. A. Recetat që mbushen nga doktorët u jepen pacientëve në dorë dhe adresohen nëpër farmacitë se ku duhet t’i marrin. “Unë nuk kam para për tu ushqyer dhe jo më të blej edhe ilaçet që më duhen” shprehet Sh. E. Kjo është një tjetër tablo e trishtueshme që ka në sfond pacientët e sëmurë që nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve, për shkak të kushteve të këqija ekonomike dhe për më tepër që spitali nuk u jep asnjë zgjidhje për të përballuar sëmundjet. Kjo e rëndon edhe më tepër situatën.

    Pacientët: Spitali e ka humbur funksionin e tij, është bërë si stallë bagëtish

    Dhomat e spitaleve janë të ftohta në këto ditë dimri, ku temperaturat janë shumë të ulëta. Por ato që e ndjejnë më shumë të ftohtin janë pacientët që për arsye të ndryshme janë të shtruar në këto ambiente. Ata shprehen të irrituar për situatën dhe ambientin më të cilin ndeshen. Por ajo që i detyron që t’i nënshtrohen kushteve është pamundësia e tyre për të ndryshuar gjendjen në të cilën është katandisur sistemi ynë shëndetësor. “Jam e shtruar prej disa ditësh në një dhomë, e cila rri po aq e ftohtë sa ambienti jashtë. Kam 6 ditë dhe nuk kam parë ndonjëherë që të vihen në punë ngrohësit”, kështu shprehet pacientja E.M, nga qyteti i Beratit. “Këtu nuk ka as ngrohje, muret janë me lagështi. Për të mos folur pastaj që mungojnë ilaçet shërbimi po ashtu është i keq. Mjekët më parë të shohin nga xhepat para se të dinë se për çfarë ke ardhur për tu vizituar. Jemi katandisur si mos më keq” shprehet për “Telegraf” pacientja E. M nga Fieri, e cila ndodhet e shtruar në spitalin “Nënë Tereza”.