Spitalet rajonale në qytetet e veriut, pa mjekë specialistë

    382
    Mungesa e mjekëve specialistë në qytetet e veriut është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues për banorët e këtyre qyteteve, të cilët detyrohen t’i drejtohen Tiranës për vizita dhe operacione. Në spitalin e Lezhës, mungesa e mjekëve specialist ka sjellë radhë të gjata të qytetarëve, të cilët kanë nevojë për shërbim të specializuar. Një mjek neurolog vjen dy herë në javë nga Shkodra, ndërkohë që mungon dhe kardiologu apo reanimatori, ndërsa nevojat e spitalit të Lezhës janë të mëdha. Urgjencat dhe të sëmurët kronikë në Lezhë që kanë nevojën e mjekut neurolog, duhet të llogarisin që këtë shërbim mund ta marrin vetëm dy herë në javë, pasi mjeku vjen nga Shkodra, pas daljes në pension të paraardhësit. Problem mbetet edhe mungesa mjekut kardiolog, ndërkohë që urgjencat mbulohen nga mjekët internistë. Por jo vetëm qyteti i Lezhës ka nevojë për neurologë, kardiologë, anestezistë, por edhe qytete të tjera kryesisht në veri të Shqipërisë, pasi ka mungesë të theksuar mjekësh specialistë. Mungesa e specialistëve, prej muajsh krijon radhë të gjata të qytetarëve që kërkojnë shërbim shëndetësor.

    Mungesa e mjekëve specialistë, pacientët drejt Tiranës
    Përveç qytetit të Lezhës, edhe qytete tjera të vendit po përballen me mungesë të theksuar të mjekëve specialistë, çka i detyron t’i drejtohen kryeqytetit për vizita. Por fenomeni i mungesës së mjekëve specialist kohët e fundit është shfaqur edhe në qendrën spitalore universitare të Tiranës “Nënë Tereza”, për shkak se mjekët po braktisin spitalet shtetërore për t’u drejtuar jashtë vendit ose në spitale private. Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë sipas mjekëve është faktori kryesor që po braktisin detyrën e tyre në institucionet shtetërore. Por ata të cilët penalizohen më së shumti nga kjo amulli që ka përfshirë sistemin e shëndetësisë në vendin tonë, janë pacientët të cilët sorollaten dyerve dhe korridoreve të spitaleve. Edhe spitali rajonal i Peshkopisë mund të jetë ndër të paktët spitale ku nuk mungojnë medikamentet kryesore, por bie në sy mungesa e mjekëve specialist. Në këtë spital emergjente është nevoja për një mjek reanimator pasi fluksi i madh i operacioneve, rreth 800 të tilla në vit është i papërballueshëm nga një mjek reanimator i kontraktuar me kohë të pjesshme nga ana e drejtorisë së spitalit Peshkopi. Edhe në spitalet rajonale të Kukësit, Hasit, Tropojës, Pukës, Burrelit dhe Rrëshenit ka mungesë të theksuar të mjekëve specialist duke i detyruar pacientët ti drejtohen kryeqytetit për shërbime shëndetësore. Ndikim në krijimin e kësaj situate, sidomos në veri të vendit është edhe fakti që studentët të cilët kanë mbaruar studimet e larta për mjekësi nuk preferojnë të rikthehen në vendin e tyre,pasi tendenca e tyre është punësimi në spitalet e Tiranës ose jashtë vendit. 
    Sigal