Spiro Lami: Si trajtoheshin të deklasuarit dikur në Selenicë

    419
    Sigal

    I moshuari nga Bregu: Qerasa babanë me kafe në Selenicë, më thirrën në Komitetin e Partisë se rrija me ‘armikun’

    Duke pasur në duar për redaktim një libër me kujtime të Spiro Lamit, një intelektual që ka shërbyer në shëndetësi për 40 vite me radhë në treva të ndryshme të vendit, më tërhoqi vëmendjen një detaj domethënës. Si i thonë fjalës, kjo ndodhi të bën për të qeshur e për të qarë. Por nga ana tjetër jep edhe panoramën se ç’ farë shtrese shoqërore pësonte fatin e keq të internimit dhe deri ku i kish shtrirë tentakulat e tij ish- Sigurimi i Shtetit.

    RRËFIMI

    Dhe Spiro lami tregon: “Aso kohe isha inspektor sanitar në Selenicë të Vlorës, një qendër industriale e fuqishme për atë kohë në nxjerrjen e bitumit. Punë e madhe dhe lodhje e madhe, por edhe frikë e madhe. Sepse Selenica në kohën e socializmit ishte qendër për internim të të ndëshkuarve të sistemit, por objekti internimit në këtë qytezë qenë intelektualët e lartë të fushave të ndryshme, që për një arsye, apo një tjetër, dënoheshin të punonin në këtë qendër, por me status të internakut. Dhe kështu, nga kjo kategori, në qytezë ishte krijuar përshtypja dhe mendimi se po të shikonin me kollare, ishe i internuar. Pra kjo nga inteligjenca e goditur nga sistemi dhe i degdisur në këtë qendër banimi dhe pune. Dhe një ditë, babai im Mihali, edhe ai inspektor sanitar në fshatin tonë, Qeparo-Himarë, vjen të më vizitojë në Selenicë. Natyrisht si inspektor qe veshur me kostum e kollare. I them se sa të mbaroj punë, të shkojë në kafene e të pijë kafe. Shkova më pas dhe nuk e gjeta aty. Më priste në dhomë tepër i mërzitur. E pyeta se çfarë ka ndodhur. I zymtë në fytyrë, pamje që e merrte sa herë revoltohej nga padrejtësitë, ma kthen se jo vetëm kafe që s’ më bënë, por punonjëset e kafenesë filluan të çuçurisnin me njëra-tjetrën se paska ardhur një internak i ri në qytezë. Mbeta më shumë i fyer nga fjalët e tyre, se sa nga mos shërbimi. Pse të ndodhë kështu, mor bir?!,-tha dhe ofshani. I thashë mos të mërzitej dhe të nesërmen e nisa përsëri, megjithëse nuk donte, por e detyrova. Pas babait hyra edhe vetë në lokal, por nuk ndenja me të. Megjithëse kish afro një orë që kish porositur kafen, bufetierja dhe kamerierja ende nuk i kishin shërbyer. E thërras kamerieren dhe i them të çojnë tek tavolina e zotёrisë me kollare një kafe dhe konjak. Natyrisht nuk e bënë fjalën dy. I çuan kafen dhe konjakun dhe me njёra –tjetrën filluan pësh-pëshet vesh më vesh e me vështrime tinëzare herë nga babai e herë nga unë. Pagova dhe ika”

    ‘LUFTA E KLASAVE’

    I moshuari vazhdon rrëfimin: “Të nesërmen më thërrasin në qendër të punës dhe në Komitetin e Partisë në Vlorë. Përcolla babain për në Qeparo dhe nuk i thashë gjë. Në Komitet të Partisë u përballa me arrogancën e inspektorëve dhe eprorëve të mi të qendrës së punës. Pse shuan luftën e klasave, pse ke qerasur armiqtë! etj. U ndjeva ngushtë nga injoranca e tyre. Po, u thashë, keni të drejtë !Kam qerasur armikun e popullit, të rrezikshmin e pushtetit dhe të partisë, babain tim Mihal Lamin. Hapën sytë nga habia se e njihnin mirë babain tim…u largova me një ngërç shpirtëror ,që edhe sot më shtrëngon gjoksin. Pse ashtu? Kamerieret kishin raportuar, apo dikush tjetër?! E ç’ rëndësi ka! Mjafton që iku…”