Spartak Tilit nuk i japin pagesën e premtuar për kompozimin ndaj Nënë Terezës

    408
    Sigal

    Ministria e Kulturës mashtron muzikantët me honoraret dhe shpërblimet

    Ministria e Kulturës mashtron muzikantët shqiptarë me dhënie shpërblimesh false, të cilat, atyre nuk u janë shlyer asnjëherë. Madje, në rastin e kompozitorit Spartak Tili, mashtrimi është bërë edhe ndaj zëvendësministres Suzana Turku, e cila për hir të së vërtetës, kujtonte se këto para, janë marrë me kohë nga autori. Por gjatë një takimi të rastësishëm ajo ka marrë vesh se paratë nuk janë paguar ende. Ngjarja, në fjalë ka ndodhur me rastin e kompozitorit të njohur shqiptar, Spartak Tili, i cili gjatë kohëve të fundit ka paraqitur kompozimin e tij, brilant, “Oratorio, Mirësi”, kushtuar, Nënë Terezës. Një vepër muzikore e mrekullueshme e cila mund të konsiderohet si një nga kulminacionet e kompozicionit shqiptar, gjatë një periudhe të gjatë. Kjo vepër është vlerësuar, gjithashtu, me një shumë lekësh, të cilat për arsye kortezie nuk duam t’i bëjmë publike. Por ky shpërblim i merituar, nuk ka mbërritur dot kurrë, tek autori i veprës. Në këtë rast, shpjegimi vjen vetëm me “arsyen e mosarsyes”, të cilën vetë zonja Suzana Turku, nuk ka arritur ta kuptojë dot. Sepse mekanizmi që funksionon në Ministrinë e Kulturës është gati i njëjtë me atë që ekzistonte dikur, në epokën e Lalë Gjonit, e cila rrëfehet aq bukur në tregimin “Nik Taçi me bisht dhe Nik Taci pa bisht”. Pra, sipas këtij rrëfimi, eprori që quhej Nik Taçi, porosiste vartësit e vet që nëse vinin njerëz me shkresa të firmosura prej tij, me “Nik Taçi”, pa bisht, ai nuk duhet t’u mbaronte punë atyre. Ndërsa, nëse shkresat firmoseshin me Nik Taçi me bisht, ata duhet të mbaronin punë brenda orës. Ndofta, Spartak Tilit, në shkresën e tij i ka qëlluar varianti i firmosje: “Aldo Bumçi pa bisht”. Dhe kështu, atij i ka rënë për pjesë të mos mbarojë punë me tërheqjen financiare. Por tragjizmi i kësaj historie nuk mbaron këtu. Sepse në Ministrinë e Kulturës, megjithëse nuk jepen para, atje fshihen “xhevahire” të shumta, e të ndryshme. Kështu, paratë e merituara për Spartak Tilin, jo vetëm që nuk i janë dhënë, por ato javë pas jave kanë filluar edhe të zvogëlohen. Derisa një ditë prej ditësh, ‘kokoshi u katandis një thelë” dhe atij i afruan vetëm rreth 20 për qind të shumës së premtuar. “Po ç’u bënë të tjerat”, i pyeti kompozitori, duke parë me çudi, se koha përjashta, ishte me shi dhe ato nuk kishin si të avullonin. “Merri më mirë këto, se mos mbetesh pa gjë”, i thanë, ata, Spartak Tilit. Por kompozitori nuk pranoi sepse ky ishte një propozim i hapur për t’i ndarë paratë e kompozimit me zyrtarët e kësaj ministrie.

    Por në Ministrinë e Kulturës të tregojnë me dhjetëra raste të tjera, ku shpërblimet, honorarët dhe pagesat e merituara që i takojnë artistëve, nuk shkojnë kurrë në destinacion. Ato, ose nuk likuidohen kurrë, ose ndahen me sekserët e kësaj ministrie, që gjoja ndërhyjnë për të ndrequr punë. Natyrisht, ky nuk është një fenomen i ri, por një gangrenë e vjetër e kësaj ministrie, ku një pjesë e zyrtarëve të saj, kërkojnë të përfitojnë edhe nga honorarët e artistëve. Dhe kjo ndodh, sepse në atë ministri, janë mbledhur kryesisht, të afërmit e deputetëve demokratë, ose servilët dhe spiunët, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër, gjatë ditës, veçse spiunojnë njëri-tjetrin, për ta hequr nga puna dhe për ta zëvendësuar me ndonjë prej të afërmve të vet.