Sot mbushen 114 vjet nga vdekja e Naim Frashërit

    362
    Sigal

    Naim Frashëri

    Sot, më datë 20 tetor 2014, mbushen plot 114 vite nga vdekja e Naim Frashërit. Ai u lind më 25 maj1846FrashërPërmetit dhe vdiq më 20 tetor1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga dega e Dakollarëve ose e Dulellarëve e Familjes Frashëri. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Ndër veprat e tjera të tij përmendim: ‘Shqipëria’ (1880, botuar më 1897), “Bagëti e Bujqësi, 1886; “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, “Histori të përgjithshme”, “Lulet e verës”, 1890; “Mësimet”, “Fjala fluturake”, (vjersha) 1894; “Historia e Skënderbeut”, (poemë epike) 1898, “Qerbelaja” (poemë fetare), “Perëndia”, 1890; “Fjalët e Qiririt”  etj… K.B.

    Atdheu

    O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
    Më je nënë, më je motër, më je vlla.

    Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
    Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.

    Ty përditë të pat parë ime nënë,
    Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.

    Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
    Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.

    Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
    Edhe eshtrat tretur ua ke po ti.

    Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
    Pranë teje patën qeshur, patën qarë.

    Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
    Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,

    Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
    Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!

    Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
    Gas përjetë paçin zotërit e tij!

    I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
    Një të ardhme pastë plot me lumturi!

     

    Fjalët e qiririt

     

    Në mes tuaj kam qëndruar
    E jam duke përvëluar,
    Që t’u ap pakëzë dritë,
    Natën t’ua bënj ditë.

    Do të tretem, të kullohem,
    Të digjem, të përvëlohem,
    Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
    Njëri-tjatërin të njihni.

    Për ju do të rri të tretem,
    Asnjë çikë të mos mbetem,
    Të digjem e të qanj me lot,
    Se dëshirën s’e duronj dot.

    Unë zjarrit nuk i druhem
    Dhe kurrë s’dua të shuhem,
    Po të digjem me dëshirë,
    Sa të munt t’u ndrinj më mirë.

    Kur më shihni se jam tretur,
    Mos pandehni se kam vdekur;
    Jam i gjall’ e jam ndë jetë
    Jam në dritët të vërtetë,

    Unë jam në shpirtin tuaj,
    Mos më kini për të huaj,
    M’është falurë durimi,
    Andaj po digjem si trimi,

    Se ma k’ënda t’u bënj mirë,
    Të mos mbeti n’errësirë.
    Jakëni rreth meje rrini,
    Flisni, qeshni, hani, pini,

    Në shpirt kam dashurinë,
    Pa digjem për njerëzinë,
    Lemëni të përvëlohem,
    Nukë dua më të ftohem,

    Dua ta djek trupn’ e kretë
    Për atë zotn’ e vërtetë.
    Me zjarr ta djek mushkërinë
    E të tretem për njerinë,

    Bashkë me gëzimt të tija
    Të vete te perëndia.
    Unë dua njerëzinë,
    Mirësin’ e urtësinë.

    Në bëhi shokë me mua,
    Në më doni si u dua,
    Njëri-tjetërin në doni,
    Të paudhë mos punoni.

    O zëmëra fluturake,
    Qasju pakë kësaj flake!
    Mase krahët t’i përvëlon,
    Po dhe shpirtin ta shenjtëron.

    Unë duke përvëluar,
    Njerëzit i kam ndrituar.
    Kam qenë mik me njerinë,
    Andaj i di e më dinë.

    Gjithë tuajt’ i kam parë,
    Mëm’ e at’ e fis e farë,
    Si tani gjithë i kam ndër mënt,
    Që rininë më këtë vënt.

    Edhe sot nër ju ata shoh,
    Se shpirtin e tyre ua njoh,
    Dhe unë si ju jam ndruar
    E jam përzjer’ e ndryshuar,

    Pa jam bërë shumë herë
    Zjar e uj’ e balt’ e erë.
    Jam një shkëndijë pej qielli
    Dhe një drudhëzë pej dielli.

    Edhe ndër qiej fluturonj,
    Edhe brënda në det qëndronj,
    Shumë herë fle në baltë,
    diku ndodhem dhe në mjaltë

    Bënem qëngj e kec i pirë,
    Lul’ e bar e gjeth i mbirë.
    Dua shumë fjalë t’u them,
    Po trëmbem mos i bënj ujem.
    E ku shkruhenë në kartë
    Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

    Përse?

    Pse s’vjen, o dit’e mirë
    Pse vallë nuk vjen?
    Gjer kur ne errësirë?
    Mos Zoti te pëlqen?

    As hidhe gardhë,
    Dhe shpejto pakë
    O dit’e bardhë,
    Dhe jakë,jakë

    Se te pres,
    Nuk vdes

    Jak’o dit’e uruar
    Që lind nga perëndon ,
    At’an e ke ndrituar
    E ne pse na harron

    Dritëz’e jetës
    Edhe e motit
    Dhe se vertetës,
    Dhe gaz i zotit,

    Ndritna
    E zgjohna

    Mejtimi

     

    Rri mejtohem shumë herë
    Tek perëndon yll’i zjarrtë,
    Edhe hapetë një derë,
    Soje rrjeth një drit’ e artë.

    Retë, nga pak’ e nga pakë,
    Marrën një tjatër fytyrë,
    Bënenë të kuqe flakë,
    E deti ndrin si pasqyrë.

    Oh! sa të bukura janë
    Fushatë që gjelbërojnë,
    Qiejtë që s’kanë anë,
    Luletë që lulëzojnë.

    Zoqthitë që flasin belbër
    E fluturojnë ndë erë,
    Pyll’i veshur më të gjelbër,
    Deti i qet’ e i gjerë.

    Lumi që nxjerr oshëtimë,
    Që bubullin nëpër male
    Dhe ikën me fishëllimë
    Nëpër fusha me ngadale.

    Brigjet’ e veshurë me bar,
    Me lule, me gjeth, me fletë,
    Rrahurë n’ergjënt edhe n’ar,
    Ahu me krye përpjetë!

    Më çdo kënt edhe më çdo vis
    E më çdo çuk’ e çdo brinjë
    Shoh një plep, një vith a lis,
    Një qarr, një bush, një dëllinjë.

    Hap sytë dhe përqark shikonj
    Fushë, limë, brigje, male,
    Edhe të shkuarat kujtonj
    Një nga një, dalëngadalë.

    Për ata që janë ndarë
    Prej nesh, që rrinim gjithë tok
    Edhe më s’i kemi parë,
    Që i patmë shpirt edhe shok.

    Zëmëra më përvëlohet
    Edhe them vallë ç’u bënë,
    Kur shoh që koha po ndrrohet
    Dhe të mugëtit ka rënë.

    Po rrjeth nëpër hapësirë
    Edhe sa vete po shtohet,
    Lint nata me errësirë,
    Dheu e qielli ndryshohet.

    Kështu rrotullohet moti,
    Yjt’ e hëna sytë hapin
    Dhe pas nomit q’u vu Zoti
    S’rrinë, po gjithënjë çapin.

    Lumi me një psherëtimë
    Ikën edhe vete në det,
    Dëgjohet një bubullimë,
    Që përhapetë përmbi dhet.

    Duke shkuar dit’ e net,
    E duke ndërruarë moti,
    Vemi si lumi në det,
    Nga Zoti, prapë te Zoti.