Sot dhe nesër testimi i infermierëve në 11 spitalet rajonale

    69
    Në 11 spitalet rajonale sot dhe nesër zhvillohet proçesi i testimit të infermierëve, ku do të vlerësohen njohuritë dhe aftësitë e personelit infermieror në kujdesin shëndetësor spitalor rajonal.
    Gjatë ditës së sotme pritet ti nënshtrohet testimit pjesa më e madhe e këtij personeli shëndetësor, ndërkohë që në varësi të spitalit do të ndahen në 2,3 apo 4 grupe të ndryshme. Ndërkaq në Korçë, Shkodër dhe Berat proçesi do të shtrihet edhe në datën 29 gusht.
    Vlerësimi i njohurive dhe aftësive do të zgjasë një orë, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë publikoi më herët fondin e pyetjeve që do të bien në testim, të cilat janë të ndara në 16 kategori të ndryshme.
    Në Durrës testohen 250 infermierë: Testi i i nivelit mesatar
    250 infermierë të spitalit rajonal Durrës kanë marrë pjesë në testimin për matjen e njohurive të përgjithshme të personelit të mesëm shëndetësor.
    Testimi i cili u mbajt në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme “Naim Frashëri” është zhvilluar i ndarë në dy orare të ndryshme, në orën 13:00-14.00 dhe në orën 15:00-16:00, të ndarë në dy grupe.
    Për mbarëvajtjen e tij janë kujdesur specialistë të drejtorisë së shëndetit publik dhe FSDKSH-së.
    Drejtori i këtij fondi Arjan Qoku, pasi ka udhëzuar koordinatorët për mënyrën e zhvillimit të testimit, është shprehur se kanë marrë pjesë të gjithë personat e parashikur për testim dhe pas përfundimit të tij, do të zhvillohet procesi i vlerësimit.
    Inferimerëve të parë që kanë përfunduar testimin iu është nevojitur vetëm 30 minuta kohë për zgjidhjen e 35 pyetjeve.
    Ata janë shprehur se testi ka qenë i nivelit mesatar dhe pyetjet e tij kanë qenë pjesë e konferencave të ndryshme shkencore dhe trajnuese në të cilat ata kanë qenë pjesëmarrës.
    Personeli i mesëm infermieror i spitalit të Durrësit është parashikuar ta zhvillojë vetëm ditën e sotme testimin e Ministrisë.
    Në Kukës testohen 155 infermierë
    Më shumë se 155 infermierë të Kukësit, i janë nështruar sot testimit që Ministria e Shëndetësisë kishte paralajmëruar, testim që ka zgjatur për më shumë se 1 orë e ku rezultatet pritet që të dalin brenda javës.
    Në dy qendrat e provimit, infermierët i janë nënshtruar testimit me pyetje nga profesioni, ndërkohë që ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se niveli i vështirësisë është mesatar.
    Në këtë testim, kanë marrë pjesë infermierë të spitalit rajonal të Kukësit, Qendrave Shëndetësore dhe shërbimit gjinekologjik.
    Kategoritë që përjashtohen
    Duke iu referuar rregullores, nga testimi i infermierëve të sistemit spitalor do të përjashtohen tre kategori të veçanta:
    – infermieret femra të lindura para datës 1 janar 1953
    – infermierët meshkuj të lindur para datës 1 janar 1953
    – personeli infermieror që është liçensuar nga Urdhri i Infermierit pas datës 1 janar 2014
    Dy kategoritë e para përjashtohen për shkak se janë në prag të pensionit, ndërkohë që kategoria e fundit nuk do të futet në provim pasi është shumë herët për të ritestuar njohuritë e tyre pas provimit të shtetit.
    Proçesi pason testimin e infermierëve në spitalet universitare, ndërsa pjesë e tij do të bëhen edhe 3700 mjekët e sistemit shëndetësor.