Sot afati i fundit i regjistrimit në universitetet me konkurs

    81
    Sot është afati i fundit për tu regjistruar pranë universiteteve që i pranojnë studentët e rinj me konkurs.
    Ministria e Arsimit ka sqaruar nëpërmjet një udhëzimi se për të gjithë kandidatët; nga trojet, kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh dhe program të dytë studimi, si dhe kandidatët e kategorive të veçanta, që dëshirojnë të aplikojnë në programe studimi që parashikojnë konkurs pranimi, se duhet të aplikojnë pranë universiteteve përkatëse për konkursin e pranimit si dhe të gjithë kandidatët e tjerë, konform udhëzimit përkatës të konkurseve, i cili është publikuar dhe në faqen ueb të Ministrisë së Arsimit.
    “Këta kandidatë aplikojnë më pas për programin përkatës të studimit me dokumentacionin përkatës konform udhëzimeve specifike për cdo kategori, që do të publikohen në vijim në faqen ueb të MAS. Sjellim në vëmendje se aplikimi për konkurset e pranimit bëhet pranë universitetit përkatës brenda datës 18.08.2015,” bën të ditur Ministria e Arsimit.
    Datat e konkursit të pranimit në këto institucione publike të arsimit të lartë, do të jenë sipas këtij kalendari: Universiteti i Arteve, Tiranë në periudhën: 26 – 29 gusht 2015; Universiteti i Sporteve të Tiranës në periudhën: 19 – 27 gusht 2015; Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër për programin e studimit: Edukim Fizik dhe Sporte 19 – 24 gusht 2015; Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programin e studimit: Edukim Fizik dhe Sporte 19 – 24 gusht 2015; Universiteti “A. Moisiu” Durrës, për të gjitha programet e studimit të përcaktuara në pikën 1.5 të këtij udhëzimi: 19 – 21 gusht 2015 .
    Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në programet e mësipërme të studimit në institucionet e Publike të Arsimit të Lartë, do të jetë 5 000 (pesë mijë) lekë. Rezultatet e konkurseve të pranimit hidhen në portalin e Maturës Shtetërore online nga sekretaritë e fakulteteve sipas procedurave të udhëzimit teknik të dërguar nga AKP. Më pas ato dërgohen në MAS e në AKP, në formë shkresore dhe elektronike (në CD), brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre, dhe, gjithsesi, jo më vonë se data 29 gusht 2015. Për më shumë informacion çdo i interesuar mund të informohet edhe më gjerësisht në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit./ATSH