Sot, 70-vjetori i Çetës Plakë të Mallakastrës

    701
    Sigal

    PËRVJETORI/ Më 4 shkurt 1943 u krijua në Mallakastër njësia e parë partizane nën komandën e Mehmet Shehut

     Qemal ISUFAJ

    Mësues i Merituar

     Në historinë e Luftës së Dytë Botërore, ajo që ndodhi në Shqipëri,  ka veçoritë e saj origjinale dhe për këtë arsye duhet të evidentohen sa më saktë ngjarjet e kohës.  Ndër to veçojmë krijimin e çetave apo formacioneve të para të lëvizjes çlirimtare. Secila prej tyre ka historinë e saj, fillesat e përpjekjeve të para kur u bë zgjimi i madh i çlirimit. Kujtesa popullore dhe historike ka lenë si një mbresë emërtimin e këtyre çetave, të cilat kanë marrë ndajshtimin “PLAKË”.  Këto njësi të para të hershme, fillimore të Lëvizjes, në të vërtetë ishin më të rejat, por përvoja popullore i zhvendosi në kohë, i përcolli më tej dhe ato sot ngjajnë me të vërtetë sipas ndajshtimit që iu vunë krijuesit e parë partizanë. “Çeta Plakë e Vlorës” ; “Çeta Plakë e Mallakastrës” “Çeta Plakë e Skraparit” , në memorien e shekujve vërtetë që do të bëhen gjyshe e stërgjyshe, të pavdekshme, si të ishin malet e këtij vendi.

    E tillë është edhe njësia e parë partizane në Mallakastër.

    Klosi është vendi që u përzgjodh, ku do të bëhej takimi. Këtu e kishte shtëpinë Bilbil Shahini (Klosi) dhe pozicioni ishte i sigurt për të bërë këtë takim.

    Ishte data 23 janar i vitit 1943. Mehmet Shehu kishte disa ditë që ndodhej në Çorrush dhe kësaj pasditeje ai po nisej në Klos. Me të ishte Bilbil Klosi. I shoqëronin dhe tre mallakastriotë të tjerë. Muzgu i zuri tek mulliri i Kashtës. Përmes shelgjishteve të lumit, u ndje një vërshëllimë dhe më pas kënga e një zogu nate. Ishte shenjë dhe parullë që e kishin përdorur kohët e fundit. Një grup partizanësh nga Çeta Plakë e Vlorës e dinte, se pas kapërcimit të diellit, në Karaburun do të shfaqeshin tek Gjemia e Vjosës në Poçem. Kështu nën zhaurimën e zhavorrit dhe frushullimës së shkurreve djemtë njësive të para po takoheshin. Mehmeti kish bërë shenjën e zogut të natës.

    Ata u përqafuan, dhe dolën në anën verilindore të lumit. Klosi ishte kredhur në muzgun e thellë. Zëra të largët zbrisnin nga Hekali. Ndërkaq Hysni Kapo kishte mbërritur në një rrugë tjetër dhe ai ndodhej, tashmë, në Klos së bashku me Mynyr Xhindin.

    Ata po i ngjiteshin anës perëndimore të Kodrës së Klosit të lashtë. Ishin varg. Mbërritën tek shtëpia e Bilbilit. Aty kishin ardhur edhe figura nacionalistësh nga Mallakastra midis, të cilëve Isa Patozi, Nuredin Aliu, Abdyl Agalliu, Bektash Cakrani, Tefik Cfiri e të tjerë.  Nata kaloi në odën që u mbush plot me mallakastriotë po edhe të ardhur nga Vlora. Ishin për një qëllim, që të krijonin një njësinë e partizane në Mallakstër, por në dy drejtime që nuk puqeshin, qysh në fillim, krahu i Bektash Cakranit dhe Tefik Cfirit, i cili shpresonte se do të bëhej Komandant i kësaj Çete.

    Dita u gdhi dhe mbledhja filloi me paraqitjen e një plani për krijimin e Çetës të cilën e shpalosi Mehmet Shehu. Më pas foli edhe Hysni Kapo. Pastaj filluan të diskutonin edhe të tjerë si Bektash Cakrani dhe Tefik Cfiri. Pothuajse, nuk pati propozime sepse të gjithë e kishin të qartë se njeriu që kish ardhur nga Kampet e përqendrimit të Francës për t’iu bashkuar Lëvizjes dhe për ta udhëhequr atë, dukej se e kish krijuar besimin e natyrshëm. Ky ishte  Mehmet Shehu që ndofta jo më shumë se tre muaj më parë e kish përzgjedhur pseudonimin simbolik të luftës, ai do të quhej: “Vjosa”.

    Prej shumë kohësh pas njësisë patriotike që e kishte krijuar me pak njerëz, Ismail Klosi në vitin 1915, kjo ishte një arritje luftarake që do t’i ngelej historisë. Dervish Hekali u caktua nga vetë Mehmet Shehu, duke e dalluar nga të tjerët,  njeriun që kish kohë i njohur ne skenën e antifashizmit, duke provuar edhe burgjet e tij. Njëzetë e shtatë partizanë u shënuan për herë të parë në atë ditë të ftohtë të shkurtit, e cila nuk do të harrohet kurrë. Ishte krijuar Çeta Plakë e Mallakstrës.

    Po atë ditë Çeta u nis në drejtim të Çorrushit, ku kishte ndodhur një mosmarrëveshje midis të dy fshatrave:  Kutës me Çorrushin, për problem pronësie. Atje kishin filluar të dëgjoheshin pushkët e para dhe Çeta po shkonte atje, të jepte një tjetër sinjal atë të bashkimit e të luftës ndaj pushtuesit dhe jo midis njëri-tjetrit. Ishin plagosur dy çorrushotë e ishin vrarë ca kutjotë.

    Ndërkohë në Klos e Hekal ishin shfaqur përfaqësues të Ballit Kombëtar të ardhur që nga Vlora. Midis tyre ishin dhe figura të njohura si: Avokat Skënder Muço, Luftëtari Hysni Lepenica dhe Isuf Luzaj etj..

    Ndërsa Çeta Plakë e Mallakastrës ndodhej ende në Çorrush, në datën 5 shkurt 1943, një kolonë fashiste me katër kamionë dhe rreth 100 ushtarë të shoqëruar dhe nga 2 autoblinda, kalonte përgjatë rrugës për të rregulluar kabllin telefonik Ballsh-Tepelenë.

    Në qafën e Sykuqit për herë të parë në historinë e konfliktit të thellë mes shqiptarësh:  Ballit dhe Luftës ANÇ-it e dha sinjalin në këtë vend ku u ballafaquan drejtime të kundërta të përballjes me armikun: nga njësi të të dy anëve. Dëshmitë tregojnë se të parët që dolën në Qafët të Sykuqit ishin një grup partizanësh të Çetës Plakë të Vlorës dhe asaj  të sapokrijuar të Mallakastrës, midis të cilëve: Gjon Banushi, Qemal Kalenja, Meçan Hajdëri. Këtu ishte një pritë jo e barabartë. Ajo kish befasinë dhe pozicionimin e mirë të partizanëve të pakët. Plasi pushka dhe jehona u shpërnda në fshatra rrotull, që nga Greshica,  Kalenja dhe Hekali. Në jo më shumë se 20 minuta përmes kodrinash ia behën fshatarë të armatosur dhe kjo e çorientoi autokolonën fashiste. Aty përsipër,  në të dy anët e Qafës së Sykuqit u dukën sikur kishin mbirë nga dheu luftëtarë nga Hekali, Kalenja e Greshica. Dhjetëra italianë po mbesnin të vrarë dhe të shumtë, të plagosur. Ndërkaq, autoblindat ishin në largim e sipër duke mbledhur sa më shumë ushtarë. Të katër makinat u dogjën në xhade. Luftimet në Qafën e Sykuqit u dëgjuan edhe nga grupi i Ballit që ndodhej në Hekal. Ka dëshmi se ata kanë ardhur pothuajse në të njëjtën kohë që, u grumbulluan dhe fshatarët e armatosur duke marrë pjesë në luftime, por ka edhe dëshmi të tjera që thonë se ata u dukën aty vetëm në fund kur po grumbullohej armatimi dhe largoheshin robërit që u lanë të lirë. Dëshmi të poetit e filozofit Isuf Luzaj që aso kohe ishte pjesë e Ballit ndër kujtime të tij e përshkruan Qafën e Sykuqit si:

    Vrapove ne terr, ku mitralozat e armikut

    korrnin barin si kosor

    i preve tatëpjetë bokërimës, tek gorrica e çarë

    Pushove dy mitraloza rreziku

    Jetës tënde kurrë s’i vure vlerë

    Mbete e habitur Mallakastr’ e mjerë

    “Fluturon vlonjati si shpend nëpër erë”

    Mbeti i habitur edhe vetë armiku…

    Kur autokolona e përgjysmuar po largohej, u vu re se nga ana e mallakastriotëve kishin ngelur të plagosur Hamit Liko dhe Tefik Osmëni, vëllai i “Heroit të Popullit” Dervish Hekali.

    Më 6 shkurt dita u zgjua përsëri me një ardhje të re që nga Fieri. Ishte një operacion ndëshkimi, i cili e kish marrë plagën dhe përgjakjen në Qafë të Sykuqit dhe do ta bënte Mallakastrën qendrën më të rëndësishme të luftës për çlirim. Nuk ishin pak,  por afër njëmijë ushtarë dhe autoblinda të shumta: artileri, ndërkohë nga qielli për herë të parë, u dukën skuadrilje avionësh. Ndëshkimi do të ishte i rëndë. Ata pushkatuan në vend tre fshatarë nga Drenova: Hasan Muhameti, Shuaip Maliqi dhe Xhevit Karemanin. Autokolona vijoi në drejtim të Ballshit dhe nxori kryet në Qafën e Kashit, nga dukej qartas Qafa e Sykuqit, ku kish ndodhur edhe prita e parë e luftës. Kolona ushtarësh u  nisën në drejtim të Greshicës dhe Hekalit duke djegur shtëpi. Ata hynë edhe në Lagjen e Sollak të Greshicës. Aty ata u pritën me luftë. Pas dite ata u nisën për në Fier. Në këto dy ditë erdhën dëshmi që do t’i mbeten historisë, e që treguan se ajo që do të vijonte më pas do të ishte një zgjim i ri lufte në Mallakastër dhe në gjithë Shqipërinë.