Sot 20-vjetori i vizitës së Papa Gjon Pali II në Shqipëri

    409
    Sigal

     Data 25 Prill  është një datë e shënuar për Kombin Shqiptar si dita që përkujton vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri. Këtë vit mbushen plot 20 vite nga kjo vizitë. Më 25 Prill 1993 Papa Gjon Pali II shuguroi në Katedralen e Shkodrës katër Ipeshkvij shqiptarë midis tyre edhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkev Metropolit i Tiranë – Durrës.

    Në kuadër të kësaj dite do të vizitojë Shqipërinë Kardinali Stanislaw Dziwisz, i cili ka qenë Sekretar i Papës Gjon Pali II.

    Festimet do të fillojnë pranë Katedrales së Shën Palit në Tiranë me Meshën e Shenjtë në orën 11:00. Më pas Arqipeshkvi, Imzot Mirdita do të mbajë një pritje në ambientet e Arqipeshkvisë me të ftuar dhe besimtarë të Dioqezës

    Në orën 17:30 pranë qendrës Kulturore të Ushtrisë do të prezantohet dokumentari “Midis Dy Dekadave” kushtuar  20-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II, me skenar dhe regji të Engjëll Ndocaj. Në mbrëmje, Kardinali Stanislaw Dziwisz, Imzot Mirdita, Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri dhe autoritete të tjera fetare janë ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha.

     Vizita në Shqipëri

    25 Prill 1993: Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë , duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë. Gjatë vizitës ai i dhuron Kishës së martirizuar, hierarkinë e re të pasdiktaturës – katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilinë , Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.

     Kush është Papa Gjon Pali II

    Ai ka lindur me emrin Karol Jozef Vojtila më 18 Maji 1920 në Wadovicë të Polonisë, dhe është shuguruar meshtar në nëntor të vitit 1946, kur Polonia ishte e pushtuar nga trupat stalinjane bolshevike të sovjetikëve. Është zgjedhur Papë në Vatikan më 16 Tetor 1978, ora 17,15’. Eshtë  autor i mbi 70.000 faqe t’arta dorëshkrime. Vepra e parë e Tij titullohet: “Të kapërcejmë pragun e shpresës”… Është idea e Tij që e ka shoqëruar gjithë jetë.  Është hapi i vendosur me siguri e besim në Kalvarin e gjithë jetës! Ai hapi një epokë të re për Kishën Katolike Botërore me tri vizitat e Tijë në vitin 1979, më 2 Qershor në Krakov të Polonisë, ku morën pjesë në Meshën e Tij të Parë si Papë mbi 2 milionë polakë. Nisi udhëtimin me 2 Tetor në ShBA, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm në OKB, “Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe liria e Fesë” dhe, vizita e tretë në Turqi, më 28 Nëntor, ku takohet me Patriarkun e Konstantinopolit Dimitri I, në Al Fanar, udhëtime që hapin atë Histori të papërsëritshme!