Solidarizim pas publikimit të letrës së ushtarakeve të njësisë Nr.5 Tiranë

    423
    Sigal

    Ushtarakët: Kemi besim tek Qeveria Rama! Të ndërmerren veprime konkrete për të zgjidhur problemet ekonomike!

    Pas publikimi të letrës së ushtarakëve të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Tiranë drejtuar Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta, një tjetër letër ka mbërritur në redaksinë e gazetës “Telegraf.  Në letrën që mban emrin e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e Pension të  Njësisë nr. 11, Laprakë-Tiranë, ushtarakët mbështesin plotësisht letrën e publikuar ditën e djeshme. Ndër të tjera, duke shprehur besimin tek Qeveria Rama, ata i bëjnë thirrje të reagoj me veprime të mprehta, vendimtare, për të zgjidhur problemet ekonomike, sepse sipas tyre, ndodhet para një sfidë të madhe, ndaj dhe duhet të reagoj me shpejtësi për të kënaqur publikun. Gjithashtu, ata listojnë dhe disa çështje, ku dhe kërkojnë ndihmën dhe ndërhyrjen e qeverisë. Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë.

    “Ne ushtaraket në rezervë e në pension të zonës 11 Laprakë, mbështesim plotësisht “Letrën e hapur” të ushtarakeve të Njësisë Nr. 5 Tiranë, të botuar ne Gazetën Telegraf dt 23.04.2014 drejtuar Qeverisë. Çfarë la qeverisja e Partisë Demokratike për gati një çerek shekulli? Gjysma e vendit jeton me pension. Të gjithë luftojnë për mbijetesë. Skandale njeri pas tjetrit ndodhën, por askush nuk vë gishtin në plagë. Krimi tek ne evidentohet, por nuk parandalohet. Gjate viteve të qeverisjes demokratike në Shqipëri, u kultivuan një elitë politike mjeshtre e fjalimeve zbavitëse, duke e zhytur popullin në varfëri të tejskajshme, ku krimi po rrënon kombin. E gjithë administrata jonë shtetërore, drejtohet nga specialist të të gjitha fushave të ardhur nga Komuniteti Europian e ai i SHBA. Janë fryrë e pompuar me trajnime, administrata, policia, ushtria, gjykatat, prokuroria, ekonomia, dhe për ironi kjo asistence po jep efekte të kundërta për të mos thënë se, ato janë shkaktarët e të gjitha të këqijave. Çështjet ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë kanë dominuar skenën politike në vend. Nuk ka premtime të mbajtura, nuk ka rritje të ekonomisë, por rritje të TVSH-së dhe të papunësisë dhe askush nuk ka dalë para gjyqit të nderit e burrërisë. Kryeministri Berisha, më 12 Korrik 2013 na kërcënoi me heqjen e bukës së gojës dhe e zbatoi, duke i pjesëtuar për katër pensionet. A s’është kjo politika e frikësimit, e kërcënimit, terrorizëm shtetëror? Më 17 janar 2012 në përkujtimin e ditëlindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ish-numri 2 i drejtësisë shqiptare, Kreshnik Spahiu në Krujë, deklaroi publikisht:”..ne qeverisemi nga njerëz në shërbim të UDB dhe Asfalisë greke”. Askujt nuk ja vrau veshin.  Në Romën e lashtë  ka qenë detyrimi i të gjithë kategorive të zyrtarëve që, edhe pas një viti e gjysmë pas dorëzimit të detyrës, përgjigjeshin ligjërisht për çdo parregullsi. Sot, Shqipëria 20 shekuj më vonë, nuk ka arritur nivelin e shtetit paganë. Në këto rrethana çdo qëndrim tjetër që nuk kërkon nxjerrjen e fajtoreve para drejtësisë është i papranueshëm dhe quhet tradhti kombëtare. Tek ne po dhe dorëheqjen je i ç’mëkatuar. Për shumë probleme ushtarakët janë përshirë në të gjitha veprimtaritë për mbrojtjen e çështjeve me të rëndësishme kombëtare dhe për të ndryshuar politikën…Politika na premtoi dhe ne vetëm shpresuam. Te Qeveria Rama kemi besim! Po presim! Çfarë na sjell 2014-a? Qeveria duhet të reagoi me veprime të mprehta, vendimtare, për të zgjidhur problemet ekonomike sepse ndodhet para një sfidë të madhe për të reaguar me shpejtësi të mjaftueshme për të kënaqur publikun. Lufta jonë duhet bërë që të mos ruajmë personat e ndryshëm, çfarëdo pozite që të kenë, por të ruajmë  vetëm punën, interesat e punës, interesat e kombit e të mbarëshoqërisë. Kjo kërkon durim të madh dhe ndershmëri të madhe, pastërti të përsosur nga ata që e drejtojnë këtë veprim. Prandaj, titullarët duhet të jenë të ndershëm, korrekt, të drejtë, por të pamëshirshëm në drejtësinë e tyre. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, kanë rrëzuar dhe kanë hedhur si të pavlefshme qindra Vendime e ligje të miratuara nga Qeveria e PD, duke i cilësuar ato si shkelje të ligjeve kushtetuese. Duke filluar nga janari 2014, qëndrimi i gjykatave ka ndryshuar, duke paragjykuar ushtaraket. Ne ushtaraket nuk do të heshtim para këtyre fakteve! Kërkojmë ndihmën e qeverisë e të gjithë shoqërisë!

    Ne kërkojmë nga Qeveria:

    1. Zbatimin e ligjeve për reformat në Forcat e Armatosura.

    2. Sigurimet shoqërore të zbatojnë ligjin Nr.7491/1991 i ndryshuar me ligjin 9210 datë 23.03.2004 (Statusin e Ushtarakut te Forcave te Armatosura të Republikës së Shqipërisë).

    3. Analiza e shkeljeve të ligjeve nga institucionet e shteti për të drejtat social-ekonomike të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension, pasi deri tani janë cenuar disa parime bazë të shtetit të së drejtës, siç janë:      a)Parimi i barazisë para ligjit dhe i mosdiskriminimit.

    b)Parimi i moscenimit të së drejtës së fituar më parë me ligj.

    c)Parimi i sigurisë juridike, ku askush nuk duhet të ndjehet i shqetësuar, i kërcënuar nga ndryshimet e ligjeve. Detyrat dhe të drejtat e ushtarakeve të Forcave të Armatosura, Kuvendi i Shqipërisë (Parlamenti) i ka sanksionuar me Kushtetutë që nga ajo e vitit 1965, vitit 1976, vitit 1991, vitit 1998; Statusi i Ushtarakut  Ligji nr 9210 dt 23.03.2004 “.

    Shoqata e Ushtarakeve  ne Rezerve e Pension

    Njësia nr.11, Laprakë-Tiranë