Sokrat Kotherja/ Mendja me shkoi tek shoku Sali dhe qeverisja e tij

    412
    Sigal

    Lexova në nëntor të vitit 2014 në gazetën “Telegraf” një artikull me titull: “Antishqiptarët e 28-29 Nëntorit”, të shkruar nga Engjëll Musai, drejtor i saj. E lexova disa herë dhe kam tre muaj që mendja me shkon përherë tek qeverisja e Partisë Demokratike me shokun Sali President e Kryeministër, që nuk ishte gjë tjetër, veçse një diktaturë bastarde antishqiptare, sa e pabesë dhe aq cinike, se nuk e përligji ndryshimin që mori përsipër, as në vitet 1992-1997 (ajo batërdi kurrë mos ardhtë!), as në vitet 2005-2013. Atë e rrëzuan një herë e përgjithmonë më  23 qershor të vitit 2013, shpirtrat e njerëzve të zemëruar, zemrat dhe ëndrrat e vrara, simbolet dhe këngët e plagosura nga ai dhe qeveritarët e tij. E rrëzuan atë diktaturë bastarde, se ajo me paaftësinë e papërgjegjshmërinë goditi rëndë lirinë, demokracinë, shkatërroi shtetin, dogji dhe mbyti Shqipërinë. E rrëzuan atë diktaturë bastarde se me gënjeshtra e mashtrim, me hipokrizi, korrupsion e krim, forcoi pushtetin, shtoi pasurinë, duke vënë nën këmbë drejtësinë. E rrëzuan përtokë, se ishte një kuçedër me shumë kokë. E rrëzuan pa mëshirë, me votën plebishitare, të ndershme e të lirë. E rrëzuan se kishte mjete sundimi dhunën e përgjimin, përndjekjen intelektuale, kërcënimin moral e fizik, persekutimin barbar politik. E rrëzuan se kishte një mentalitet të rrezikshëm, të gjithë kundërshtarët i quante tradhtarë. Të drejtën për rrotacion qeverisje ua ndalonte me armë në dorë. E rrëzuan se bënte shumë veprime absurde, me shumë gjak të pafajshëm, me shumë shkatërrime, me shumë shamizeza… Eh, Shqipëria ime! Eh, populli im! Sa të rëndë qenë ato vite! E rrëzuan atë diktaturë bastarde, se bënte shumë veprime barbare. Protestave të ligjshme popullore, zemërimit të madh të shqiptarëve u vuri forcën e armëve, u nguli thikën pas shpine. E rrëzuan, se pati në themele hakmarrjen e përbindshme, krimin shtetëror barbar, mashtrimin e shpërfytyrimin, vjedhjen e dinjitetit qytetar. E rrëzuan, sepse i quante procese demokratike, dhunimin e të drejtave njerëzore, piedestalet e rreme berishiane, thundrën e policisë politike. E rrëzuan, se ishte një klan antikombëtar, me heronj që fituan tituj e ndere, grada e poste të lartë duke zhvatur çdo qindarkë. E rrëzuan, se ne themel kishte komisione genocidiste, donkishotë të rrënimit kombëtar, figura qendrore të krimit, që ishin hedhur në kënetën e humbjes, që ishin flakur në detin e harrimit. E rrëzuan, e rrëzuan atë diktaturë bastarde, se bënte shumë veprime mafioze, por nuk mundi të lëkundë vendosmërinë, nuk mbolli dot mosbesim tek populli për të prosperuar ndryshe. E rrëzuan se ajo diktaturë bastarde kupën e mbushi, se qe një fenomen i përçudnuar që kultivoi injorancën dhe mohimin e vlerave të shqiptarëve. E rrëzuan se ajo shpërdoroi vlerën e lirisë, uzurpoi pushtetin, grabiti pasurinë kombëtare. Ajo shkatërroi kulturën e historinë, mohoi luftën e shqiptarëve për liri, i vuri kazmën gjithçkaje që populli krijoi me djersën e tij në socializëm, pas Luftës Nacionalçlirimtare. Ajo ngriti në piedestal kriminelët, njerëzit e dyshimtë të rrugës. Bëri zhvarrim-varrime në histori, zhvarrim-varrime në kulturë, njollosi simbolet e traditës, nxori nga ishin futur revanshistët dhe humbësit e Luftës. E rrëzuan se ajo diktaturë bastarde shpalosi një katastrofë të vërtetë në fushën morale dhe estetike, ku virtyte të njeriut modern quheshin pisllëku shpirtëror dhe veprimet prej banditi e gangsteri. Ajo diktaturë bastarde pati përçmim e urrejtje për njeriun e ndershëm, për njeriun e punës me ndërgjegje. Ajo bëri pishtarë e martirë ata që ngritën lart antinjerinë. Ajo përballi amoralitetin politik me traditat kombëtare, deformoi kodin moral të shqiptarëve. Ajo ndezi luftën mes krahinave, nxiti luftën mes brezave dhe krijoi plasaritje, të çara të shumta në rritje në ndërgjegjen kombëtare. Ajo bandë donkishoteske bëri gërmadhë qytete, përdhosi bashkëjetesën, mjedisit e gjelbërimit i vuri kufi fshesën. Ajo diktaturë bastarde, asfiksimin e shëmtimin na i vuri në qafë si kular, ringjalli kanunin e hakmarrjen, mashtroi në mënyrë absolute vetëdijen e shqiptarit. Mes intrigave e dredhive na gremisi në detin e pasigurisë, të mjerimit e varfërisë, na solli si kurrë më parë, Otranto, Gërdec e 21 Janar. Pra, më 23 qershor 2013 vitaliteti e burrëria e shqiptarit, sfidoi mitet e perënditë e rreme berishiane dhe rifitoi sovranitetin mbi të ardhmen. Por pinjollët e asaj diktature, me në krye Saliun, përsëri flasin, bërtasin, protestojnë, kërcënojnë… Por kot e kanë, nuk fitojnë. Le të derdhin lot krokodili! Ne nuk e humbim besimin dhe shpresën. Ditët e mira do të vijnë… I shoh në sytë e shqiptarëve shumë mirë, se ata me votë dërguan në humnerën e viteve atë kategori xhambazësh, që me një degë dafine hynte e dilte dhe përçudnonte në thellësi vlerat bazë të shoqërisë, se ata nxorën jashtë loje atë radhë sharlatanësh, që shisnin fjalë ndershmërie para mashtrimit të radhës, se shqiptarët nuk do të bëhen kurrsesi përsëri e përsëri, viktima të premtimeve kuq e zi, plot emblema simbolike me pëllumba të bardhë e të zinj.