Sokol Olldashi: “Rama gënjen për legalizimet. Ne do t’i legalizojmë brenda 2013”-s

428
Sigal

Dje Kryetari i PS-së, Edi Rama në tryezën për legalizimet,  deklaroi se qeveria ka dështuar me këtë proces. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar  ministri i Transporteve, Sokol Olldashit, i cili deklaroi se : “Edi Rama mollohisi prapë sot. Këtë herë për legalizimet. As dëgjoi njeri, as pyeti njeri e as e kuptoi njeri. Zoti Rama u tha qytetarëve që “i pikon shpirti e s’e zë gjumi natën” për hallin e tyre. Gënjeu! Vetëm pak vite më parë i quante “çeçenët e Saliut që po shëmtojnë Tiranën”.  Zoti Rama tha se, qeverisë do t’i duhen 160 vjet për të mbyllur procesin. Gënjeu! Megjithëse vetë ai kur drejtonte Bashkinë dhe, me porosinë e tij të gjithë kryetarët socialistë të bashkive dhe komunave kanë bërë çdo përpjekje për ta penguar procesin, legalizimet do të mbyllen brenda vitit 2013. Ne po legalizojmë aktualisht diçka më shumë se 2300 objekte në javë, pra rreth 10.000 në muaj. Deri tani nga 270 mijë aplikime, janë kualifikuar 230 mijë, janë përditësuar në terren 140 mijë, është bërë kalimi i pronësisë për 103 mijë parcela, janë dhënë lejet për 65 mijë ndërtime, janë dëmshpërblyer 5458 pronarë, me 5.527 miliardë lekë të reja. Këto janë statistikat e legalizimeve, të cilat tregojnë se angazhimi ynë për të mbyllur procesin brenda vitit 2013 është real dhe i vërtetë.  Zoti Rama, për 11 vjet në krye të Bashkisë, la pa legalizuar mijëra familje, edhe në qendër të kryeqytetit, për shkak të abuzimit me lejet e ndërtimit. Disa mijëra qytetarë të Tiranës po marrin hipotekat e shtëpive të tyre vetëm në sajë të ndërhyrjes ligjore të qeverisë Berisha. Njeriu që krijoi paligjshmërinë nuk mund të premtojë legalizimin. Njeriu që i quajti banorët “çeçenë e të palarë” nuk mund të përlotet sot për “hallet” e tyre”.