Sokol Olldashi, poeti, artisti, gazetari dhe politikani që matej me përsosmërinë

    421
    Sigal

    Sot 41- vjetori i lidhjes së kolegut dhe mikut të të gjithë shqiptarëve

     Jeta e Sokol Olldashit ishte një dritë vetëtime që shkëlqeu në terrin e mjedisit politik, duke ndriçuar ëndrrat e pashpresa të njerëzve të varfër e të dënuar nga diktatura. Ai u kthye vetë në një simbol drite, që në moshën e gjimnazit, duke u thënë të gjithë bashkëmoshatarëve, se Shqipëria meritonte një fat tjetër. Sokol Olldashi u lind më 17 dhjetor 1972 në Durrës dhe gjatë periudhës së fëmijërisë, për faje dhe krime absurde që familja e tij, nuk i kishte kryer kurrë, ai ishte dënuar me internim, në Selenicë. Por që kur ishte i vogël, ndërgjegjja e tij nuk pajtohej me sekuencat e realitetit të padrejtë, prandaj ai, kishte thënë me vete se një ditë gjithçka do të jetë ndryshe. Kështu nëna e tij, rrëfen: “Kur udhëtoja me fëmijët për në Selenicë, ku na kishin internuar, im bir Sokoli ishte betuar me vete: “Një ditë do të vij Kozeta-Mamaqi ndryshe nëpër këtë rrugë”. Dhe premtimin e dikurshëm ai e formuloi më qartë në ditët e para të dhjetorit të vitit ‘90-të, kur në palestrën e shkollës së mesme të Durrësit, u ngrit mbi krahët e shokëve dhe tha se rinia shqiptare, kishte nisur marshimin drejt Evropës. Pra, shkollimin e mesëm e kreu në vendlindje, ku ai shkëlqeu në të gjitha drejtimet. Që atëherë, binte në sy fakti se ai gjendej gjithmonë mes shokësh dhe si organizator i pranuar prej tyre në axhendën ditore. Sepse atë e donin të gjithë dhe secili prej të rinjve luftonte për ta bërë mikun e vet.

    Viti 1990

    Viti 1990 ndau në mes kalendarin e mesjetës, prej horizonteve të reja bashkëkohore që po hapeshin për Shqipërinë. Sokol Olldashi ishte njëri prej eksploruesve të rinj që kërkonin alternativa të vërteta për jetën e shqiptarëve, prandaj ai u bashkua me forcat përparimtare për të çuar përpara lokomotivën shqiptare të historisë, të cilës deri atëherë i ishin prishur ingranazhet. Dhe Olldashi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, qysh kur ishte në moshë të re. Sot kur kujtojmë peshën e rëndë të ngarkesave që kanë mbajtur supet e tij në një moshë relativisht të re, na duket sikur gjykimi i tij i paraprinte zhvillimeve të reja politike. Studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Që nga koha e studimeve filloi të punojë si gazetar në “Albania”, “Rilindja Demokratike”, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe më pas u bë kryeredaktor i televizionit ATN pastaj u zgjodh në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament. Dhe që këtu filloi një sfidë e vërtetë për transformimin e jetës së shqiptarëve. Në vitin 2005 i ngarkohet detyra e Ministrit të Rendit, të cilën e dorëzoi për t’u kandiduar në postin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë më 2007. Pas “humbjes” së këtij kandidimi, nga viti 2007, mbajti postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë. Edhe në jetën politike ai solli një model të ri, duke reflektuar sinqeritet dhe inteligjencë. Olldashi ishte njohës i gjuhës angleze dhe italiane, ndërsa në fushën e librave ai ishte një njohës i shkëlqyer i të gjitha kryeveprave botërore. Me Olldashin mund të bisedoje për Danten, Dostojevskin, Tolstoin, Dikensin, Molierin, Kadarenë, etj., në një mënyrë komode, sepse ai jo vetëm që ishte studiues i vëmendshëm i tyre, por njëkohësisht ishte edhe një poet i mrekullueshëm. Duke i shtuar identitetit të tij edhe meloditë e kitarës, rezulton se Sokol Olldashi ishte në garë me përsosmërinë. Sepse askush tjetër si ai, nuk i kishte rrezatuar me aq profesionalizëm, idetë liberale me seriozitetin për ndërtimin e shtetit të ri, pasionet muzikore me zbatimin e ligjeve të politikës dhe vargjet poetike me procesverbalet e takimeve elektorale, Sokol Olldashi kishte interesa të shumanshme shpirtërore dhe ai kërkonte që çdo ditë e re të sillte një emocion të ri, prandaj ishte vazhdimisht në kërkim, në fusha të ndryshme të jetës njerëzore.

    Vdekja e papritur

    Ishte një natë e errët dhe e frikshme me vetëtima. Një natë që nuk do të harrohet dot kollaj. Sepse në 20 nëntorin e vitit 2013, televizionet shqiptare sollën lajmin e hidhur të aksidentit të Sokol Olldashit. Në fillim ekranet televizive këtë lajm e paraqitën me titra, sepse asnjë gazetari nuk ia nxinte goja ta thoshte me zë, njoftimin për vdekjen e kolegut të tyre të dikurshëm. Dukej si pabesi ndaj miqësisë së sinqertë të secilit prej tyre me Olldashin. Por pavarësisht nga vonesa me të cilën u konfirmua lajmi, përsëri, vdekja kreu pabesinë e saj, duke marrë prej nesh djalin më të mirë. Sokol Olldashi vdiq pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Kërrabë. Aksidenti ndodhi në mbrëmje, duke pasur si shkak lagështinë e rrugës dhe shpejtësinë e lartë të makinës.

    Rrëfimi rrëqethës i Kozeta Mamaqit

     Atëherë ndodhi si me gjithë të tjerët, ndarja nga familja, pastaj gjashtë gjyqe për fëmijët, dy gjyqet e Tiranës fëmijët mi dhanë mua, dy gjyqet e Vlorës ia dhanë ish-bashkëshortit. Ndërkohë ishim internuar në Selenicë të Vlorës. Ishte gjyq civil me prokuror  ushtarak, që kur e mendon është një absurditet. Atë serën që kishte pasur Bilal Xhaferri ndër thonj, unë po e shikoja në Selenicë të Vlorës. Kur më çuan në Selenicë, nuk e dija se ku po shkoja, më hipën në kamion djalin e vogël, Sokolin, e kisha më temperaturë 39. (I kisha të dy djemtë me vete atëherë). Iu luta atyre të sigurimit të na mbanin aty përpara, se djali kishte temperaturë.  Nuk mund ta mbaja në kamionin e hapur sepse frynte era. Djalin e madh e kisha pranë, një polic me automatik ishte para meje, ishim ulur nëpër dengje. Na  shëtitën nëpër Tiranë që të na shikonte i gjithë qyteti si armiq të të gjithëve dhe pastaj vetëm kur ikëm nga Tirana, të mos merrnim vesh ne se ku po shkonim, i vunë një mushama dhe e mbuluan të gjithë karrocerinë e kamionit. Familjen prindërore e kishin çuar më përpara në Burrel. Shumë lajme u hapën, sikur ishte hedhur babai nga ura, sikur i kish ndodh kjo, sikur i kish ndodh ajo. Në 13 tetor të ‘75-s babanë e kanë arrestuar dhe në 16 tetor të po këtij viti dhe mua më çojnë atje, ku ishin prindërit e mi, në Selenicë të Vlorës. Atë ditë kur kam shkuar në këtë vend pashë vëllanë tim, kur erdhi nga miniera unë nuk e njoha, sepse nuk kishin kushte për tu larë në atë sektor. Kur ka ardhur ishte komplet i zi dhe vetëm sytë i dukeshin. Kur shkova atje kërkova të drejtën e diplomës se kujtova se këtë të drejtë nuk ma ka marrë njeri me gjyq, etj, siç kujton njeriu naiv që akoma nuk e ka vuajtur mbi kurriz luftën e klasës, se pastaj u bëra eksperte. Por fillimisht mendova se do më lenë të jem mësuese qoftë në kopsht. Prita të mos merrja përgjigje, nuk e mora përgjigjen dhe fillova punë në fermë. Kam shkuar në fermë me një palë këpucë lëkurë që ishin me lesh brenda që me ngelën që në ditën e parë në llucë. Nuk e dija si punohej në fermë. Atje pastaj kuptova shumë gjëra në lidhje me punën, pastaj u mësova me çizme dhe jo të reja, por ato që linte vëllai, i vinim pulla të mbanin sa të mbanin pulla dhe pastaj  i lidhnim këmbët me plastmasë, që të mos hynte lagështia, por prapë kur hynim në punë, këmbët e mia dhe të motrës bëheshin fishka-fishka, siç bëheshin duart e gjysheve tona kur lanin me finjë.

    Nga rrëfimi i Kozeta Mamaqit