Sokol Olldashi: “E kthejmë pronën te Zoti dhe tek i zoti”

647
Sigal

Ministri i Transporteve takon pronarët e banesave që morën ish-pronën e tyre

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se qiraxhinjtë duhet të lirojnë shtëpitë e ish-pronarëve, 38 pronarë tashmë të ligjshëm kanë në duart e tyre urdhrin e ekzekutimit të gjykatës. Në ambientet e Entit Kombëtar të Banesave ministri i Punëve Publike, Sokol Olladshi ka shpërndarë këto urdhra, duke  shprehur vendosmërinë e qeverisë për të kthyer pronën tek i zoti. Ndërsa një nga pronarët e ligjshëm u shpreh se, kishte dalë nga shtëpia e tij që në moshën 5- vjeçare dhe pas 66 vjetësh po e rimerr përsëri. Tanimë pronarët do të paraqiten tek përmbaruesit, të cilët do ekzekutojnë urdhrin e gjykatës. Ndërkaq, vetëm në Tiranë janë rreth 200 familje pronarësh të cilët kanë plotësuar formularët për marrjen e pronës që u takon me lig. Ministri i Transporteve, zoti Olldashi në fjalën  që mbajti, midis të tjerave tha se qeveria po kthen pronën te Zoti dhe tek i zoti. Zoti Olldashi, midis të tjerave tha: “Qeveria i ka kushtuar një vëmendje maksimale këtij procesi. Është një hap që vendos çdo gjë aty ku duhet të jetë, vendos drejtësi, moralitet dhe, më në fund, u jep të gjithëve që të gëzojnë atë që u takon, u jep atyre banesat e tyre që të mund të zgjidhin përfundimisht problemin e tyre të strehimit. Procesi është duke ecur shumë mirë në të gjitha rrethet dhe unë dua të falënderoj në radhë të parë pronarët që e ndoqën procesin me shpejtësi, patën besim tek procesi dhe iu drejtuan Entit të Banesave për të ndërmarrë procedurat në fjalë. Dua të falënderoj të gjithë trupën gjyqësore të Shkallës së Parë për shpejtësinë dhe korrektesën me të cilën ka vepruar, duke e lehtësuar procesin për ju. Dua të falënderoj zyrat përmbarimore, të cilat kanë nisur veprimin tashmë për ekzekutimin e këtyre vendimeve të gjykatave. Dua të falënderoj dhe familjet e qiramarrësve, të cilat i janë drejtuar bankës dhe po ndjekin procedurat për kredi, por edhe ato familje qiramarrësish që ende pa dalë urdhrat ekzekutive kanë nisur lirimin e banesave që kanë pasur deri dje duke ndjekur procedurën e kredisë, apo zgjidhje alternative të vlerësuara si më të mira prej tyre. Dy ditë më parë në seancën e buxhetit dhe gjatë buxhetit më mori në telefon një pedagog i Fakultetit të Ekonomisë. Normalisht mendova se do të kishte një sugjerim për buxhetin. Në fakt nuk kishte sugjerime për buxhetin, por më mori thjesht që të më njoftonte se Zyra Përmbarimore kishte përfunduar ekzekutimin dhe ky ishte personi i parë që e çoi deri në fund procesin dhe e liroi banesën e tij në Durrës të bllokuar prej 66 vjetësh. Pra proces difunksionon në të gjitha etapat e tij, ndaj unë ju uroj të gjithëve mbarësi dhe më vjen mirë që sot kthejnë pronën tek ata që duhet ta kenë vërtetë. I kthejmë pronën Zotit dhe të zotit. Do të doja të shprehja edhe vendosmërinë që ne kemi për ta ndjekur këtë proces rigorozisht, në çdo hap. U bëj thirrje edhe atyre fare pak rasteve që mendojnë se përmes një cirku ligjor të atakimit të veprimeve titullit ekzekutiv do të zgjidhin ndonjë gjë, që të mos shpenzojnë as energji, as kohë dhe as para për një diçka që nuk e pengojnë dot. Prona do të shkojë tek Zoti, prona do të shkojë tek i zoti. Sot jam shumë i lumtur që ne do t’i japim edhe Kishës Katolike urdhrin e ekzekutimit”.  Në këtë takim, me ministrin e Transporteve, zotin Sokol Olldashi, e morën fjalën edhe disa pronarë që kanë marrë pronën e tyre. Ja disa nga pronarët, që folën në takimin e ministrit Olldashi, te Enti Kombëtar i Banesave.

Igli Gugashi (Pronar)

 Së pari ju falënderoj zoti ministër. Falënderoj kryeministrin Berisha për realizimin e së drejtës së pronarëve. Unë jam një përmbarues gjyqësor në privat dhe ju siguroj që bashkë me kolegët e mi do të jemi të devotshëm dhe konsekuent të kësaj të drejte që sot është në letër të bëhet edhe në terren brenda një kohe sipas të gjitha afateve të parashikuara në ligj. Të jeni të sigurt që ky proces është i pandalshëm dhe do të vazhdojë ditë pas dite, deri në realizimin e plotë të tij.

Kisha Katolike me përfaqësuesin e saj  At’ Zef Bisha

Faleminderit për punën që keni bërë! Ju thatë që në fillim që prona po shkon tek Zoti, por po shkon edhe tek i Zoti. Dua t’ju them edhe diçka. Tek bashkësia e krishterë, tek Kisha Katolike, kudo dhe unë, një ditë në javë ne kemi bërë lutje, pikërisht për këtë ecje që është bërë. E di që ka qenë një kohë e tensionit qoftë për Entin e banesave dhe që qeveria ka bërë një punë vërtetë të madhe. Dhe një falënderim i madh shkon për këtë qeveri, juve dhe Entit të Banesave. Dhe me ndihmë të Zotit them që ky do të jetë një hap i rëndësishëm. Po vë re që në këtë tavolinë ka shumë flamuj dhe është edhe flamuri ynë dhe kjo është një ecje e rëndësishme, të cilën e bën më të fortë flamurin tonë dhe një hap më përpara drejt shoqërisë në të cilën po shkohet.

Qytetari i parë

 Falënderoj zotin ministër për angazhimin e tij që mori për kthimin e pronës tek i zoti. Falënderoj në të njëjtën kohë edhe shtetin shqiptar që bëri të mundur pas kaq viteve që kemi jetuar me ankth dhe stres për net dhe ditë me radhë. Falënderoj Entin e Banesave për stafin e mrekullueshëm dhe shumë profesional që na ka ndjekur hap pas hapi për plotësimin e dokumenteve tona, njëkohësisht Shoqatën e Pronarëve dhe të Bashkëpronarëve që kemi ecur në një ditë me njëri-tjetrin për të realizuar këtë ëndërr që të parët tanë nuk e kanë realizuar dot. Dhe ne jemi të detyruar për të shkuar atje dhe për t’u çuar amanetin në vend.

Qytetari i dytë

Falënderojmë në radhë të parë qeverinë dhe personalisht zotin Berisha për këtë nismë të vështirë që ka marrë për rikthimin e pronave tek pronarët e tyre të ligjshëm. Falënderoj edhe legjislacionin shqiptar, i cili e votoi aktin normativ, këtë akt evropian dhe bashkëkohor. Gjithashtu, falënderoj institucionet qeveritare, Entin Kombëtar të Banesave dhe Gjykatën. Falënderojmë zotin ministër, i cili ishte plotësisht i përkushtuar për realizimin e këtij akti normativ, duke na kthyer atë pjesë të dinjitetit tonë.