Sokol Mati/ Minerali i kromit, pasuri në zhdukje apo mundësi për të krijuar të ardhura për ekonominë shqiptare

    141
    Mineralet e kromit janë të pakët, midis tyre, me të rëndësishëm janë magnokromiti,, krompikotiti dhe alumokromiti. Vendet kryesore prodhuese sot në botë janë: Afrika e Jugut, Rodezia e Jugut, Kazakistani, Rusia, India, Turqia, SHBA, Shqipëria, Filipinet etj. Aktualisht në botë, llogariten gjithsej rreth 12 miliardë ton rezerva gjeologjike, prej të cilave rreth 95 % ndodhen në Afrikën e Jugut, Kazakistan dhe në Montana, SHBA. Rezervat bazë llogariten rreth 500 milionë tonë mineral kromi, nga të cilat 180 milion ton i takojnë Kazakistanit, 150 milion ton Afrikës së Jugut, 44 milion ton Indisë, ndërsa pjesa tjetër i përket vendeve të tjerë. Rreth 60-70% e prodhimit vjetor botëror, përdoret në metalurgji, 20% ne industrinë kimike dhe pjesa tjetër ne industrinë elektronike, materialeve zjarrduruese, etj.
    Shqipëria sot
    Shqipëria ka më pak se 1% të rezervave të njohura në botë të xeherorëve të kromit, rezervat e njohura nëntokësore dhe të vlerësuara nga ana sasiore llogariten në rreth 37 milion ton, nga të cilat rreth 7 milion ton, janë të cilësisë të mirë, me mbi 42 – 46% Cr2O3. Këtu nuk përfshihen një sasi e madhe rezervash e objekteve dhe shfaqjeve të mineralizuara të xeherorit me përmbajtje të ulët 12-30 % Cr2O3 qe perllogariten nga vlerësime te përafërta në rreth 20 milion ton. Pavarësisht këtij fakti shfrytëzimi ne mase te gjere i këtij xeherori sidomos në periudhën e viteve 1970-90, bëri që Shqipëria të radhitej e para përsa i përket nxjerrjes për banor dhe për km2, deri në vitet 1990 dhe të kishte vendin e tretë në botë për prodhimin në sasi të këtij xeherori (mbas Afrikës së Jugut dhe Republikës së Kazakistanit me një kapacitet nxjerrës maksimal rreth 1.2 milionë ton/vit, nga i cili 200-250 mijë ton/vit me përmbajtje mbi 42% Cr2O3). Produktet minerare nga ky xeheror sot, si dhe me parë përfshijnë xeherorët e pasur (mineral kokërr dimension mbi 20mm me përmbajtje 32-44 % Cr2O3), koncentrat kromi (me përmbajtje 40 deri 48% Cr2O3), si dhe ferrokrom karbonatik, me përmbajtje të lartë dhe të ulët karboni. Deri ne fund të vitit 2014 për të gjithë periudhën 1938-2014, është shfrytëzuar dhe nxjerrë 28 883 500 ton mineral kromi, dhe nga kjo sasi në saj të proceseve të përpunimit janë prodhuar 2 719 887 ton koncentrat kromi, 733 570 ton ferrokrom me përmbajtje të lartë karboni dhe 2 097 ton ferrokrom me përmbajtje të ulët karboni.
    Prodhimi i mineralit te kromit dhe nën produkteve të tij në vite
    Por si e kemi shfrytëzuar këtë xeheror që fillimet e njohjes së tij në Shqipëri datojnë prej vlerësimeve të para të dhëna në hartën e parë gjeologjike në shkallën 1:200 000 për rajonet veriore të Shqipërisë qe është botuar në Vjenë nga Vinassa De Regny në vitin 1903 dhe të vazhduar më pas me punimet e F. Nopcsa (1905-1929), E. Noëack (1919-1929), J. Bourcart (1916-1925), të cilët qartësuan në një masë të konsiderueshme gjeologjinë, tektonikën dhe potencialin mineralmbajtës të vendit tonë, pune e vazhduar më tej me sakrificë nga gjeologë të huaj dhe shqiptarë sidomos pas viteve 1955, punë e cila bëri që për këtë xeheror të vlerësoheshin 285 vendburime dhe disa qindra objekte e shfaqje të mineralizuara në tetë masive të ndarë në të gjithë territorin shqiptar.

    Rezervat
    e vlerësuara të mineraleve të kromit sipas masiveve në Shqipëri

    Masivet

    Rezervat

    Përmbajtja% Cr2O3

     

    A

    B

    C1

    C2

    C1+C2

    Has Tropoje

     

     

    4184400

    1567640

    5752040

    15-42

    Kukësi

     

     

    6279870

    2741170

    9021040

    18-37

    Bulqiza

     

     

    7621800

    4108900

    11730800

    28-48

    Lura

     

    18915

    135546

    152176

    306638

    23.42

    Shebenik Pogradeci

    2680

    350686

    109948

    463314

    18-45

    Puka

     

     

    34000

    0

    34000

    20-30

    Pilinarda

     

     

    46151

    18927

    83 878

    23-42

    Krrabit

     

     

    25000

    11500

    36500

    17-43

    Voskopoja

     

     

    30153

    75000

    105153

    13-30

    Vrithi

     

     

    19100

    35200

    54300

    19-36

    TOTAL

    21 595

    18 744 092

    8 820 491

    27 511 588

    15-48

     

    Studimet krahinore
    Rreth viteve 1925-1935 studimet krahinore tërhoqën vëmendjen e investitorëve të huaj për kërkim, zbulim dhe shfrytëzim të xeheroreve të kromit në rajonet e Pogradecit, Kukësit e Tropojës. Specialisti i parë shqiptar ishte Injac Gj. Ndojaj që ka shkruar për kromin e Iballës, në vitin 1940. Gjithsesi, pavarësisht sasive të vogla të shfrytëzuara para viteve 1945 nga italianët në Kalimash, apo të tjerë në Tropojë, Martanesh e Katjel, xeherori i kromit filloi të shfrytëzohej në mënyrë të organizuar rreth viteve 1950, në masivin e Bulqizë-Batrës dhe Kalimashit. Prej këtyre viteve vlera e prodhimit të tij ka pasur rritje deri në vitin 1990, ku të ardhurat e krijuara prej shitjes së produkteve të këtij xeherori zinin peshë të madhe në buxhet dhe janë përdorur herë në shkëmbimet me klering dhe si plotësues i buxhetit me monedhë të huaj. Pas viteve 1990, si për çdo mineral filloi rënia e prodhimit duke tokur fundin rreth viteve 2000 për t’u ringritur më pas dhe arritur aktualisht në vlerën e rreth 600 mijë toneve. Shfrytëzimi pothuaj 60 vjeçar i xeheroreve të kromit dhe bllokimi i shtimit të rezervave të këtij xeherori gjatë këtyre 25 viteve ka bërë që aktualisht sasia e rezervave të vlerësuara të shkojë drejt përfundimit. Shfrytëzimi në masë të gjerë i vendburimeve, jo rrallë jashtë kritereve të shfrytëzimit racional i kushtëzuar nga nevojat për cash në valute të huaj bën që në ato vite shumë nga vendburimet të dëmtoheshin, një pjesë e rezervave minerare të mbeteshin pa u shfrytëzuar, niveli i humbjeve të qe i lartë 10-15%. Më tej shfrytëzimi i këtyre 25 viteve kryesisht në zonat e shfrytëzuara (xeheror nga kolonat mbrojtëse, ciliket, hapësirat, etj) jo vetëm kanë dëmtuar vendburimet e njohura me mënyrën e shfrytëzimit apo përdorimit të punimeve minerare, por vazhdojnë të krijojnë premisa për aksidente fatale. Ky shfrytëzim jo-racional kërkon doemos realizimin e një mbikëqyrje dhe monitorimi efektive nga institucionet gjeologo-minerare për mos dëmtim të rezervave minerare, vlerësimin e rezervave minerare të përdorura dhe shfrytëzim racional të tyre, realizimit të projekteve zhvillimore të veprimtarive minerare sidomos në përgatitjen e vendburimeve minerare ekzistuese dhe të reja.
    Aktualisht
    Aktualisht në industrinë e kromit zhvillojnë aktivitet subjekte minerare të shpërndarë në 252 të drejta minerare që karshi numrit total prej 620 lejesh minerare ato zënë 40,64% të të drejtave minerare të dhëna në Shqipëri. Vetëm për masivin e Bulqizës janë rreth 20% e lejeve minerare të dhëna në shkallë vendi. Kjo bën që ky aktivitet të jetë shumë i copëzuar të mos krijojë mundësi kooperimi dhe përpunimi, krijon vështirësi të daljes në treg të subjekteve të vogla dhe mundësi të shfaqjes së fenomenit të çmimit të transferuar ku fitimi i subjekteve të vegjël shkon gjithnjë drejt minimumit. Sot për shkak te nivelit shumë të ulët të çmimeve në tregun botëror të metaleve gjendja e këtij sektori është e rëndë, rezervat po shkojnë drejt përfundimit, mungesa për një periudhe te gjate, e investimeve të reja e rinovim të makinerive e pajisjeve, ka çuar ne uljen e vazhdueshme të prodhimit, infrastruktura nëntokësore e sipërfaqësore e vendburimeve është e amortizuar, janë ndërprere punimet kapitale të hapjes dhe përgatitjes pothuajse në të gjitha objektet ekzistuese, minierat po shkojnë drejt mbylljes. Në një studim të realizuar para viteve 2000 kur institucionet tona minerare filluan të fusnin në praktikat e tyre vlerësimin e rezervave sipas standardeve ndërkombëtare, për mineralin e kromit sasia e përgjithshme e rezervave te klasifikuar sipas KNR (Klasifikimi Ndërkombëtar i Rezervave) për 11 vendburimet kryesore të kromit rezultonte 10 080 507 ton, nga të cilat vetëm për 26.97% të rezervave te tyre rezultonin se ishin kryer studime fizibiliteti, ndërsa për Minierën e Bulqizës Veriore studimet e fizibilitetit ishin kryer për 66.43% të rezervave të vendburimit. Vetëm për 39.13% te totalit të rezervave ka vlerësim për proceset e përpunimit, ndaj kryerja e studimeve të karakterit teknologjik për përcaktimin e parametrave sa më reale të pasurimit të kromeve të varfra dhe përpunimit të mëtejshëm të tyre do të bënte që të futeshin në qarkullim ekonomik një sasi e konsiderueshme e rezervave te xeherorit te kromit ne Shqipëri sidomos të pjesës verilindore të vendit.
    Vlerësimi aktual
    Gjithsesi mos pasja e një vlerësimi të saktë aktual të rezervave të xeherorit të kromit sot në Shqipëri, konfuzioni që ekziston në të dhënat e rezervave gjeologjike, të nxjerrëshme, atyre të konsumuara, informacioni i vaket jo rrallë kontradiktor në këtë drejtim krijon një stepje të investitorëve, pasi edhe sot institucionet tona minerare nuk bëjnë transparent një dokument zyrtar të certifikuar për rezervat aktuale te këtij xeherori në Shqipëri duke lenë shteg për abuzime, mashtrime, apo dhe investime të gabuara. Këto vlera tregojnë gjithashtu se niveli i studiueshmërisë të parametrave përcaktues sasiore dhe cilësorë për klasifikimin e vendburimeve sipas KNR, është shumë i ulët. Ky fenomen me gjithë detyrimet ligjore të përcaktuara ne legjislacionin e ri minerar akoma nuk zbatohet, dhe jo rrallë nga vetë institucionet minerare kërkohet vlerësimi sipas klasifikimeve të mëparshme, gjë që bën që vendburimet tona të mos jenë njësoj të vlerësuara në tregun botëror të mineraleve, të jenë pak të promovuara dhe jo të lexueshme nga investitorët. Duke pasur këtë parasysh del si domosdoshmëri që për të gjitha vendburimet, objektet apo shfaqjet e mineralizuara te kryhet një studim përgjithësues nga ana e institucioneve minerare për saktësimin e parametrave përcaktues sasior e cilësorë të vendburimeve te masiveve Bulqizë – Bater (veçanërisht për vendburimet Qafë Buall, Bater, Theken, Bulqiza veriore ku shumë teori kanë ngelur te pavlerësuara ne lidhje me zhvillimin e këtij vendburimi) dhe Kukës-Tropojë ( veçanërisht për objektet e xeheroreve të varfër).
    Gjendja e rezervave te mineralit te kromit
    Zgjerimi i rezervave minerare të objekteve ekzistuese, përcaktimet e qarta për konceptet e jete gjatësisë së objekteve minerare, zhvillimit të ciklit të jetës së saj, koncepteve të zhvillimit të veprimtarisë minerare, pra të hapjes së një objekti minerar bazuar në metodat krahasimore të perfitimit nga ky aktivitet, zgjerimi dhe thellimi i veprimtarive të kërkim-zbulimit, mbështetje më e madhe shtetërore për to do të bëjnë që ky xeheror të mos quhet një pasuri e zhdukur por të vazhdojë të jetë një promotor i rëndësishëm i industrisë minerare shqiptare. Politikat minerare duhet të jenë të tilla që të mirëpërcaktojnë zonat më premtuese për tërheqje të investitorëve, duke krijuar një klime tërheqëse biznesi nëpërmjet plotësimit të nevojave të investitorëve, mbështetjes së tyre me mekanizma promovues jo frenues, vlerësim të faktorëve të rëndësishëm që ndikojnë në zhvillimin apo pengimin e një biznesi minerar, dhe aftësive për të përballur me sfidat që hasen në biznesin minerar. Përpunim i thellë i xeherorëve të kromit ( fizik, metalurgjik, kimik, biologjik, etj) për marrjen e të gjithë elementeve, shtimin e vlerës së mineralit në vend dhe rritjen e punësimit duhet të jetë prioritet për këtë mineral. Përfundimi i rezervave të pasura, mosgjetja e rezervave të reja, rritja e kostos për nxjerrjen e mineraleve të pasur që tashmë shkojnë gjithnjë e më thellë ka bërë që të vërehet një rritje në vitin 2014 në prodhimin e kromeve të varfëra, e ardhur kjo dhe si rezultat i ngritjes së disa objekteve të reja përpunuese që megjithëse me kapacitet të vogël po bëhen mbështetës të prodhimit të kromeve të varfra (Has -Fabrika e Pasurimit të Kromit në Perrollaj, Bulqizë -Zonë të Re, Batër, Thekën, Durrës -Fabrika e Pasurimit të Kromit në Xhafzotaj dhe rritja e prodhimit në Fabriken e Pasurimit të Kromi tBulqizë), tendencë që duhet vlerësuar dhe stimuluar. Rritja e kërkesës për përmirësime teknologjike në drejtim të nxjerrjes, përpunimit, prodhimit të nënprodukteve dhe trajtimit të mbetjeve duke nxitur e mbështetur pjesëmarrjen e burimeve financiare dhe njerëzore të afta profesionalisht për aplikimin e teknologjive të reja duke promovuar dhe mbështetur subjektet minerare qe realizojnë veprimtaritë përpunuese dhe ato ricikluese duhet të jetë një aspekt tjetër i rëndësishëm. Promovim të gjithanshëm mbi baza të të dhënave shkencore bashkëkohore dhe zgjidhje ligjore ndihmese të zhvillimit si në drejtim të lehtësimit të procedurave të marrjes se te drejtave minerare sidomos për kërkim zbulimin apo dhe të lehtësimeve fiskale të përkohshme apo të përhershme mbi bazën e një analize reale qe reflektojnë efektet e krizës globale te sektorit për përfitim maksimal te shtetasve shqiptare por dhe biznesit qe ai te motivohet për investime të reja, do të jepte frymëmarrje në hapjen e objekteve të reja për të mos arritur në pikën kur kjo pasuri e papërsëritshme të ketë humbur por ajo të mund të bëhet një mundësi për rritje të të ardhurave në ekonominë Shqiptare.