Smokthina gjatë Operacionit të Qershorit 1944

1442
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Organizimi për të përballuar operacionin e nazistëve

Në Luftën e Dytë Botërore në Smokthinë në fshatin Ramicë patën selinë e tyre: Komiteti i Partisë i Qarkut Vlorë, Këshilli Antifashist i Qarkut Vlorë, Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, Shtabet e Br. I, V, VI Sulmuese, Komanda e Vendit, Spitali Partizan, Depo partizane, si dhe u bë përcjellja e delegatëve të Qarkut Vlorë për në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944. Para fillimit të operacionit shtabi i Br. VI Sulmuese bëri një mbledhje me këshilltarët e fshatrave të Smokthinës, ku ju sqaroi situatën, veçanërisht lidhur me përgatitjen dhe organizimin për të përballuar operacionin e nazistëve gjermanë dhe të tradhtarëve të vendit. U dhanë udhëzime që të merreshin masa paraprake për të siguruar drithin, bagëtinë, sendet e orendi shtëpiake që ju kishin mbetur nga operacionet e mëparshme. Familjet dhe pjesëtarët e tyre do të manovronin në atë mënyrë që të mos binin në dorë të armikut. Masat u morën në mbështetje të këtyre udhëzimeve dhe të parashikimit se si do të zhvillohej operacioni.

Sulmin koncentrik kundër Luginës së Mesaplikut

Operacioni i Qershorit kishte si qëllim shkatërrimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe sigurimin e vijave të komunikimit në rrugët e tërheqjes nga Ballkani të njësive të grup-armatës “E”, në rast të hapjes së Frontit të Dytë. Nazistët kishin marrë të gjitha masat që ai të përgatitej i egër dhe të ishte vendimtar, duke pushuar rezistencën masive të popullit të ngritur në luftë. Më 12 qershor, armiku kaloi në sulm të fuqishëm mbas goditjeve të shumta me artileri. Drejtimi kryesor i operacionit u përqendrua në Brataj, në Gjorm, Karter të Velçës dhe në Beun të Smokthinës. Populli i fshatrave të Smokthinës pothuajse i gjithë ishte strehuar në malin e Çipinit. Artileria nga fshati Brataj, rrihte me gjyle, shpatet shkëmbore të malit të Çipinit dhe të fshatrave të Smokthinës, si Shalësi, Boderi, Bashaj, Matogjini dhe Ramica. Më 18 qershor komanda gjermane, sipas dokumenteve njoftonte se forca të shumta kanë filluar sulmin koncentrik kundër territorit malor të Luginës së Mesaplikut. Këtij sulmi forcat e batalionit të dytë të Brigadës VI Sulmuese dhe forcat e çetave territoriale të Smokthinës ju përgjigjën me një mbrojtje të vendosur në vendin e quajtur Karavael, në majë të Ferrës. Për shkak të kësaj rezistence, armiku u detyrua të fuste forca të reja nga fshatrat Ploçë dhe Sevaster, në drejtimin e Qafës së Lekës, për të sulmuar e pushtuar fshatrat Velçë dhe Ramicë.

 

Fshatrat e Smokthinës u kthye në gërmadha

Armiku mundi të hynte vetëm nëpër shtigje dhe monopate, të cilat drejtoheshin nga forca balliste që e njihnin mirë vendin dhe terrenin. Ata grumbulluan popullatën që e gjetën të fshehur në male, shpella dhe gërxhe. Nazistët dhe ballistët kryen ndaj popullit të pa mbrojtur që ishin pleq, gra dhe fëmijë tortura. Në mjaft raste gratë i detyruan të ngarkoheshin me pajisjet ushtarake, për transportim të tyre në këto rrugëkalime. Të moshuarin, 80-vjeçarin Sefer Guçaj, deshën ta përdornin si udhërrëfyes, por kur e kuptuan se ai po i mashtronte, e pushkatuan. Pas një jave luftime frontale në vijën Brataj-Beun gjermanët pushtuan fshatrat e Smokthinës. Mbi 2.500 nazistë shkelën fshatrat e saj, duke i djegur e shkatërruar gjithçka. Qëllimi tyre ishte të kalonin në drejtim të Nivicës e Këndërvicës, për në Kurvelesh. Fshatrat e Smokthinës u kthye në gërmadha. Të korrurat e të grumbulluarat në lëmenj për t’i shirë, i dogjën. Një pjesë të bagëtive, barinjtë smokthinjotë mundën t’i kalonin në zonë e Lopësit. Pas përfundimit të operacionit nga këshillat u ra dakord, se bagëtitë që kishin mbetur u kthyen dhe u ndanë midis fshatarëve. Forcat partizane dhe çetat territoriale në këtë periudhë u përqendruan në malin e Çipinit, në kodrat nga Bolena, në Mesaplik dhe deri në Border e Vërmik. Çetat territoriale kryen luftime në bashkëveprim me forcat e Brigadës VI Sulmuese Në shpatet e malit të Çipinit, në Qafë të Kapelit duke luftuar kundër pushtuesit ra dëshmor trimi Arif Lelo. Në këto luftime u fitua një përvojë e mirë luftarake dhe një zhvillim mori taktika e luftimeve në prapavijat e armikut, duke i shkaktuar atij pasiguri dhe çoroditje nga të gjitha drejtimet.

Katër bij të Smokthinës ranë dëshmorë

Arif Lelo lindi në fshatin Bashaj në vitin 1898. Ai kishte luftuar përkrah vëllait të tij, Zigur Lelo në Kotë në vitin 1920. Arifi kishte edhe për mbrojtjen e qeverisë së Fan Nolit në rrethinat e maleve të Krujës e të Tiranës. Gjatë luftës u organizua në çetën territorial bashkë me djalin Avdulin, i cili kishte rënë dëshmor më parë. Operacioni i Qershorit 1944, Arifin e gjeti në radhët e forcave territoriale të fshatit dhe në fund në pozicionet rrëzë Çipinit, në ruajtje të popullatës, ku dh era dëshmor. Populli i Smokthinës po përballonte Operacionin e Qershorit, nuk e dinte se më 7 qershor 1944 në luftimet në Qafën e Gjarprit të Brigadës I Sulmuese i kishin rënë në fushën e nderit tre bij të tij: Mulo Dalan Dervishi, Kambet Rustem Sullaj dhe Miftar Ali Bocaj. Mulo Dalan Dervishaj, lindi në Hysaj, Ramicë në vitin 1928. U përfshi në LANÇ-in në vitin 1942. Doli partizan në çetën “Zigur Lelo”. Rreshtohet në formacionin luftarak në Brigadës V Sulmuese, më 28 nëntor 1943, në Gumenicë, Vlorë. Më 7 qershor 1944 forcat e Brigadës V Sulmuese luftuan me forcat naziste në rajonin e Gurit të Prerë, ku ra në krye të detyrës. Është shpallur dëshmor i atdheut. Miftar Ali Bocaj, lindi në Ramicë në vitin 1922. U përfshi në LANÇ-in që në fillim të vitit 1942. U rreshtua partizan në çetën “Zigur Lelo”. Më tej luftëtar në rreshtat e formacionit të Brigadës V Sulmuese, që më 28 nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës. Më 7 qershor 1944 forcat e Brigadës V Sulmuese lufton me nazistët në rajonin e Qafës së Gjarprit, dhe bie në krye të detyrës duke mos lëshuar pozicionin e luftimit. Është shpallur dëshmor i atdheut. Kamber Rustem Sullaj, lindi në Mesaplik në vitin 1915. Kamberi përqafoi idetë e LANÇ-it dhe në qershor të vitit 1943, ishte nga partizanët e parë të Smokthinës, në çetën “Zigur Lelo”. U rreshtua në Brigadën V S në krijimin e saj në Gumenicë, në nëntorin e 1943. Pas luftimesh të ashpra e fitore plot lavdi në Qarkun e Vlorës, brigada nisi marshimin e saj për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit. Kamberi ra në Qafë të Gjarprit më 6 qershor 1944, në përleshje me nazistët gjermanë. Është dëshmor i atdheut.

Smokthina e çliruar

Gjatë operacioni nazistët dhe ballistët kapën dhe nisën për në internim në Jugosllavi, smokthinjotët Muho Bocaj, Arshi Rrokaj dhe Sinan Pëllumbin, ndësra Dervish Jahaj, Bajram Malaj dhe Xhemal Jahaj i nisën për në Greqi. Ndërsa ramiciotët Mato Kokallaj, Veiz Burhanaj, Miftar Rruçi i dërguan në burgun e Vlorës. Duke nisur nga data 24 qershor në saj të manovrave të kryera prej forcave partizane dhe territoriale të zonës së Smokthinës filloi kundërmësymja ndaj nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, ballistëve. Smokthina dhe fshatrat e saj dolën me dëme njerëzore dhe materiale nga ky operacion i egër i nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Pothuaj se gjysma e shtëpive ishin djegur dhe shkatërruar, si dhe një numër i madh të bagëtive të dëmtuara nga armiku. Në fshatin Ramicë në ditët e fundit të qershorit 1944 në vendin e quajtur Rreze e Rrethit u bë mbledhja e madhe në bazë qarku. Delegatet e Kongresit të Përmetit Rrapo Dervishi e Shaqo Derri u folën të pranishmëve për rëndësinë historike të vendimeve të Kongresit dhe për çlirimin e shpejtë të Atdheut, ku forcat partizane kishin kaluar në luftime në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Me përfundimin e operacionit të qershorit 1944, Smokthina ishte tërësisht e çliruar dhe iu përvesh punës për ndërtimin e shtëpive, shtimin e bagëtive, si dhe hapjen e shkollës nën kujdesin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër.