Skëndërbeu sulmohet si një vlerë kombëtare

718
Bardhyl BERBERI 
Filloi stina e shpifjeve edhe kundër Skënderbeut. E kuptoj metaforën dhe mbulimin e bustit në sheshin e tij. Kundër tij janë antishqiptarët pasi Skënderbeu është emblema jonë kombëtare. Sepse Skënderbeu është zë i Lirisë, është një frekuencë e lartë që askush nuk e arrin. Po kush është kundër tij? Kundër tij janë ata që kokën e kanë në Lindje, këmbët në obskurantizmin otoman. Sepse Skënderbeu ka qenë interpret i gjenit perëndimor të shqiptarëve. Dëshmia hijerëndë e këtij gjeni. Kundër tij janë të vegjlit që kënaqen me mendimin se mund të shembet një i madh. Ngaqë vetë janë të vegjël, të padukshëm liliputë që duke u marrë me këtë të madh do tu kujtohet emri i tyre I harruar. Kundër tij janë përgojuesit e përhershëm. Ata që e ndiejnë veten të realizuar kur flasin keq për të tjerët, sidomos për dikë që është më lart. Ata që, kur paragjykojnë, kujtojnë se po gjykojnë. Ose, siç thotë Eduard Morrou, “Kujtojnë se janë duke menduar, kur në të vërtetë janë duke riorganizuar paragjykimet e tyre të mbrapshta”. Këta bashkë krijojnë një orkestër stonature kundër Skënderbeut. Nuk ka nevojë të mbrohet Skënderbeu; i brishti e i vogli kanë nevojë për mbrojtje, i madhi e i fuqishmi, jo. Skënderbeu është zot në Olimpin e lavdisë. Monopolin e lavdisë e ka e vërteta. Skënderbeu qëndron në 5 gjeneralët më të mëdhenj që ka njohur bota… Në pastë njerëz që ende s’e kuptojnë lartësinë e Skënderbeut kjo ka një përligjje. Lartësia kuptohen më mirë të vështruara nga larg. Në kthesën dramatike të asimilimit të kombit nga Otomanët Ai i ka dalë zot këtij dheut dhe çështjes arbërore me mendje dhe shpatë, ballas e fuqishëm, si dinte vetëm ai, Skënderbeu Me përkushtimin e një shqiptari me zërin e fuqishëm, evropian, me personalitetin e një strategu. Tjetërkush ka nevojë për më shumë mbrojtje Skënderbeu jo. Skënderbeu nuk sulmohet si individ. Ai sulmohet si institucion kombëtar. Sulmohet si Vlerë shqiptare përfaqësuese. E me se merren; me gjatësinë, me nr e këmbës apo prejardhjen e së ëmës. Sulmet mbi prejardhjen ilire shpesh kanë prapavijë të errët. Prejardhja ilire shihet si Vlerë identitare e shqiptarëve. Skënderbeu s’ka nevojë për mbrojtje. Ai është më i mbrojtur nga të gjithë. Ai u përket atyre gjenive që, duke qenë tokësorë, botën e shohin nga lart. Gjeniu dëgjon zhurmnajën poshtë vetes dhe vetëm rrudh supet: Kush janë këta, ç’dreqin duan? I shpërfill. Në emër të tij e merr fjalën Zarathustra: “Ju vështroni lart kur kërkoni të lartësoheni, ndërsa unë vështroj poshtë, sepse jam lart”. Skënderbeu mbetet Skënderbe, doni apo nuk doni ju, liliputë të blerë që hidhni baltë mbi të .Busti dhe monumenti i tij shndrit në dhjetëra sheshe kryesore të Evropës për vlerat e tij e jo për antivlerat që ju sajoni. Ka kohë që një takëm intelektualësh po punon si një “Kalë Troje “ në kulturën tonë kombëtare. Ne kemi heronjtë tanë kombëtarë dhe iu hedhim baltë, bota nuk i ka dhe i sajon pa asnjë atribut për t`i pasur si emblemë krenarie si Robin Hudin apo Vilehem Telin. Duke mbrojtur emblemat e kulturës sonë kombëtare ne mbrojmë Shqipërinë dhe shqiptarët kulturën dhe krenarinë tonë kombëtare. Se ata që mbulojnë dhe sulmojnë Skënderbenë sulmojnë kulturën tonë kombëtare . Ndërkohë që Hollivudi është duke filluar xhirimin e një filmi për Skënderbeun me aktorët më të mirë të tij. .Ky është Skënderbeu ynë.
Sigal