Skënderbeu, si në shtëpinë e tij në Krujë

    52

    Kampionët në fuqi mundin Kastriotin dhe vazhdojnë marshimin drejt titullit të tretë rresht

    Skënderbeu vazhdon të dominojë plotësisht Superligën, teksa kampionët në fuqi dhe liderit e kampionatit fituan 2-1 ndaj Kastriotit në Krujë, në javën e 11-të të Kategorisë Superiore. Një fitore e merituar e djemve të Mirel Josës, që arritën kështu fitoren e shtatë sezonale në dhjetë javë të luajtura prej tyre, ndërkohë që tani nuk ndiqen më nga Kastrioti (humbi të shtunën në Vlorë), por nga Teuta (fitoi 3-0 me Bylisin). Korçarët do të luajnë të mërkurën me Flamurtarin (për ndeshjen e prapambetur të javës së 10-ë), dhe në rast fitoreje të Skënderbeut, atëherë diferenca me Teutën e vendit të dytë do të rritej në shtatë pikë. Fitore të rëndësishme arriti dhe Tirana në “Qemal Stafa” me Apoloninë (2-0), duke kaluar momentin kritik që po kalonte dhe tashmë e sheh veten në vend të tretë. Ndërsa në barazim janë mbyllur dy takimet e tjera, Shkumbini-Laçi 1-1 dhe Besa-Vllaznia 0-0. Të shtunën, Flamurtari i Hulian Rubios i shkaktuan Kukësit humbjen e parë në kampionat: 2-0, me golat e Davor Bratiçit dhe penalltinë e Migen Memellit. Në Durrës, Teuta fitoi 3-0 me Bylisin, falë dygolëshit të Ansi Nikës dhe rrjetës së Daniel Xhafajt. Tomori dhe Luftëtari u ndanë në barazim 1-1.

    Kastrioti-Skënderbeu 1-2

    Skënderbeu vazhdon marshimin drejt fitimit të titullit të tretë radhazi dhe të katërtin në historinë e tij (ka fituar në 1933, 2010, 2011), teksa dje mundi në Krujë, Kastriotin vendës me shifrat e ngushta 2-1, por me korçarët që kryesonin 2-0 deri në minutën e 76-të. Të besuarit e Mirel Josës kanë kaluar shumë shpejt në epërsi, çka ja lehtësoi detyrën në pjesën e mbetur të lojës. Që në minutën e 6-të është kroati Tomiç që tund rrjetën e vendësve, ndërsa me avantazhin 1-0, pavarësisht rasteve të krijuara, mbyllet pjesa e parë. Në të dytën krutanët mundohen me të gjitha forcat për të barazuar, e shpërngulin lojën në gjysmëfushën mike, por tregohen të pasaktë përpara portës së Shehit. Dhe kur pritej goli i Kastriotit, është Skënderbeu që shënon golin e sigurisë në të 71′ me anë të Sebino Plakut (goli i tij . Miqtë duket se e sigurojnë fitoren, por është shkodrani Arsen Sykaj, ai që me një rihap takimin me golin e tij në minutën e 76-të dhe deri në fund ka një presion të madh në portën e Orges Shehit, i cili u shndërrua në një ruajtës të madh të portës së kampionëve. Përfundimisht 2-1 për bardhekuqtë të cilët shkëputen në krye, teksa janë e vetmja skuadër që pas 11 javësh kampionat nuk njohin shijen e humbjes.

    Besa-Vllaznia 0-0

    Dënimi i fushës së Besës nga Komisioni i Disiplinës (me gjashtë javë në ndeshjet e shtëpisë), e spostoi takimin në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Dje verdhezinjtë kishin përballë Vllazninë, e cila vinte pas dy humbjeve radhazi, me Teutën dhe Tiranën. Formacioni i Ilir Dajës (nuk ishte në bankinë për shkak të pezullimit dyjavor nga Disiplina) ka qenë më tepër kërkues, por ka gjetur përballë një kundërshtar që u mbrojt mirë, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Të dy skuadrat kanë ndarë nga një pikë në barazimin pa gola, që në fakt nuk i shërben asnjërës, pasi tashmë i janë larguar kreut, ndërkohë që në forumet e tifozëve shkodranë janë postuar shumë komente kundër taktikës për pikë dhe jo speaktëkël, që ka zgjedhur trajneri Shpëtim Duro.

    Shkumbini-Laçi 1-1

    Në Peqin, vendësit e Shkumbinit kanë shpëtuar në fund nga një humbje fatale me Laçin, i cili ka kaluar shumë shpejt në avantazh. Në minutën e dytë është Bilibashi që shtang peqinasit, të cilët në stol kishin për herë të parë trajnerin Kristaq Mile, pas vetëlargimit të Gugash Maganit. Bardhekaltrit nuk pajtohen kurrsesi me humbjen, por vetëm në të 82′ barazojnë me Mustafaj, por nuk kanë shumë kohë në dispozicion për të përmbysur shifrat. Një pikë për të dy ekipet në këtë sfidë, ku Shkumbini vazhdon të jetë në një pozicion të vështirë në renditje. Ndërsa bardhezinjtë e Ramadan Shehut gjenden në vend të pestë me pikë të barabarta me Kukësin (18), por me diferencë golash më të dobët.