Skënder Tufa:I kërkojmë Bashës, që t’i vërë emrin e Lirak Bejkos, sheshit, ku zhvilluam grevën e urisë

    388
    Sigal

    Reagon kreu i ish të burgosurve politikë, Skënder Tufa: Këshilltari presidencial Bashkim Tufa, nuk na përfaqëson ne”

    “I kërkojmë bashkisë, që sheshit, ku zhvilluam grevën e urisë, t’i vihet emri i Ilir Bejkos”. Kështu u shpreh dje, kreu i ish të burgosurve politikë, Skënder Tufa, i cili ndër të tjera, kundërshtoi deklaratat e këshilltarit presidencial, në lidhje me këtë shtresë. “Bashkim Tufa, përfaqësuesi për mbrojtjen e interesave të ish të përndjekurve në Presidencë, po thotë disa gjëra që ne i kundërshtojmë me forcë”, vuri në dukje ai.

    -Zoti Skënder, çfarë kërkoni pranë dyerve të Bashkisë së Tiranës?

    -Ne kërkojmë që sheshit kryesor në zonën, ku zhvilluam grevën e urisë t’i vihet emri Sheshi “Ilir Bejko”. Kjo duhet të bëhet me një vendim të posaçëm të Bashkisë së Tiranës, për të nderuar figurën e luftëtarit antikomunist, Ilir Bejko, i cili u vetësakrifikua për kauzën tonë.

    -Po ish i burgosuri tjetër, Gjergj Ndreca, ku ndodhet aktualisht?

    -Ai ndodhet në Suedi, së bashku me familjen. Ka kërkuar strehim politik.

    Çfarë mendoni për zgjedhjen e Bashkim Tufës si mbrojtës i të drejtave të ish të përndjekurve politikë, në Presidencë?

    Me Bashkim Tufën nuk kemi gjë personalisht. Por me mendimet që ka shprehur ai, për zgjidhjen e problemeve tona, ne nuk jemi aspak dakord. Ato i konsiderojmë si “thikë pas shpine” kundër nesh.

    -Përse thoni kështu?

    -Sepse Bashkim Tufa, propozon në mënyrë absurde që ne, të rishikojmë kërkesat tona për t’i rinegociuar ato me stafin e Kryeministrit Berisha. Kjo është një gjë fare absurde, si kërkesë dhe aspak e pranueshme për ne.

    -Përse ju duken absurde?

    -Sepse ne e kemi deklaruar me kohë që jemi divorcuar nga çdo mundësi për të rinegociuar me Berishën. Jo vetëm që e kemi humbur fare besimin tek, ai, por Berishën e konsiderojmë keqdashës dhe të pandreqshëm. Ai nuk ka se si të mbrojë interesat e shtresës sonë, të ish të persekutuarve. Pra, ai nuk na përfaqëson dot ne.

    -Si po shkon ecuria e shpërndarjes së këstit të dytë të dëmshpërblimeve?

    -Mos prit përgjigje për këtë gjë, sepse e gjitha është pjesë e një skeme mashtruese, e cila për hir të së vërtetës duhet të ishte likuiduar me kohë. Ndërsa, ne akoma nuk kemi marrë këstin e dytë. Dhe disa vdiqën pa marrë as këstin e parë.

    -A do të vazhdoni përsëri, të hidhni miell, apo vezë ndaj parlamentarëve?

    -Ne do t’i vazhdojmë në mënyrë demokratike që t’i ushtrojmë të gjitha të drejtat tona të protestës. Duke mos përjashtuar edhe të drejtën tonë për t’u vetësakrifikuar.

    -Me cilat forca politike do të bashkohen ish të përndjekurit tuaj?

    -Ne do të shohim interesin e shtresës sonë, si edhe interesin e kombit tonë. Dhe do të mbështesim atë forcë politike që do të na garantojë këto tri gjëra: Dëmshpërblimin që na takon, mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e ish të përndjekurve politikë, si edhe hapjen e dosjeve të spiunëve. Këtë e them, sepse ne ish të përndjekurit politikë, jemi djegur prej këtyre spiunëve. Po t’i shikosh me vëmendje edhe sot e kësaj dite këta spiunë janë ngado, në debate televizive, në presidiume, në funksione zyrtare, etj. Por sikur të mos mjaftonte kjo gjë, neve ish të përndjekurve aktivë, që po kundërshtojmë me forcë diktaturën e sotme na ka ndodhur diçka tjetër e rëndë.

    -Çfarë ju ka ndodhur?

    -Ne na kanë vënë nga prapa, për të na ndjekur spiunët e sotëm të SHISH-it. Edhe mua personalisht, më presin çdo mëngjes tek dera e shtëpisë dhe më përcjellin në darkë, ndërsa fik dritën e dhomës. Dhe kjo tregon se diktatura vazhdon të ekzistojë…