Skënder Tufa/ Të përndjekurit dhe politika

    390
    Sigal

    Tashmë shihet qartë se po kërkohet sërish, që të përndjekurit politikë të përdoren për manovra të reja politike. Ata që për 23 vjet me radhë abuzuan politikisht dhe ekonomikisht me të dënuarit politikë, duke luajtur edhe me ligjet e dala nga vota parlamentare, po flasin sot. Mbas fyerjesh, diskriminimesh, dhunimesh dhe terrorizim shtetëror të shtresës së të burgosurve politikë sërish, shikojmë po ato personazhe që urdhëruan dhunimin e grevës së urisë dhe i detyruan që të kryenin akte sublime për të drejtën legjitime, e cila kaloi në një kauzë qytetare për Liri dhe Demokraci, po kërkojnë që të luajnë me ‘ta. Para disa ditësh “dizenjatorja” e Parlamentit, e cila në një emision televiziv, kur u pyet për çështjen e të burgosurve politikë u shpreh: No koment! Papritur, ligjëron në foltoren e Parlamentit, duke thënë: Ju organizuat grevën e urisë së të burgosurve politikë, i dogjët dhe pastaj i çuat për strehim politik. Ndoshta, ajo harron se ishte pikërisht Partia e Komunisteve –blu, ajo që me mashtrimet e saj, me sjelljet e saj fyese dhe arrogante, me veprimet e kundraligjshme, të përdorura kundër tyre, i detyroi ata që t’i thonin ndal veprimeve antidemokratike dhe antiligjore. Ishte pikërisht partia e saj, që bëri veprime të papara kundër atyre që guxuan të çjerrin maskën e demokratit diktatorit pseudo-demokrat. Dje, në Kuvend u diskutua dhe çështja e riorganizimit të Institutit të të Përndjekurve Politikë, me sa pamë dhe dëgjuam, deputetët e qeverisjes së shkuar kundërshtuan këtë iniciativë të qeverisë, duke argumentuar se kemi të bëjmë me veprime të jashtëligjshme, të cilat kanë si qëllim që të mashtrojnë të burgosurit politikë. Ne pyesim, perse ju sot preokupoheni për ata, a nuk ishit ju që i mashtruat për 23 vjet? Është e vërtetë se gjendja aktuale e kësaj shtrese është tepër e rëndë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, për këtë arsye, ne kemi rezerva për qeverinë aktuale, të cilat i kemi shprehur me deklarata si dhe në takimet me zyrtarët e saj, por ne kemi besim, se kjo qeveri do të shohë me seriozitet problemet e zvarritura prej jush. Kemi apeluar tek ajo dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë, për t’i kujtuar premtimet e bëra gjatë fushatës. Meqenëse gjendja ekonomike e të burgosurve politikë është tepër e rëndë, ne i kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë t’i kërkojmë asaj, që të shikojë me prioritet zhdëmtimin e 2500 të burgosurve politikë, që janë gjallë si dhe të atyre që nuk kanë marrë asnjë këst. Qeveritarët, çdo ditë po largohen nga jeta ata që dhanë gjithçka për liri dhe demokraci, trajtoni sa më parë, edhe për arsye që të mos abuzohet me ta politikisht.

    Me shqetësim kemi vërejtur se, segmente të caktuara po mundohen që ta përdorin gjendjen tonë për përfitime politike. Askush nga ne nuk do të harrojë ripersekutimin “Berishian” të të burgosurve politikë dhe gjakun e Lirak Bejkos.

    Para pak ditësh në një media pamë të shkruhej: Të persekutuar e persekutorë heshtni! Kjo, na kujton formulën e famshme bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë dhe për këtë, shprehim keqardhje dhe i themi kujtdo që merr këtë guxim se zëri i të burgosurve politikë nuk është ndaluar as në diktaturën komuniste e as në diktaturën pseudo-demokrate dhe nuk do të ndalet asnjëherë nga askush. Zëri i këtyre njerëzve është ndërgjegje qytetare që shpaloset në ditët e errëta me kurajo qytetare.

    Deklarate

    Pas njoftimit të publikuar për zhdëmtimin e të burgosurve politikë, SHBPSH, vëren se po vazhdon të zbatohet ligji si në kohën e qeverisë së kaluar. Ne jemi koshient se, qeveria e sotme ka vështirësi të mëdha dhe, premtimin paraelektoral për t’i zhdëmtuar me 2 këste të burgosurit politikë, nuk mundet ta mbajë, për këtë arsye, ne shprehim shqetësimin tonë sepse në radhë të parë gjendja aktuale e tyre është jashtëzakonisht e rëndë. Vetëm për 1 javë në qytetin e Korçës kanë ndërruar jetë 5 të burgosur politikë. Shumë të tjerë janë të sëmurë të lodhur dhe të zhgënjyer. Është njerëzore që këta persona, të cilët kanë kontribuar me jetën e tyre për liri e Demokraci të kenë mundësinë që ta përfitojnë ata çka u jep ligji me prioritet. Së dyti, po vërejmë se po tentohet të spekulohet politikisht me këtë gjendje nga segmente të prirura për përçarje dhe destabilizim. Zgjidhja e problemit të kësaj shtrese është sa e vështirë aq dhe e domosdoshme.
    Për këto arsye ne apelojmë qeverinë që të marrë në konsideratë kërkesën tonë për të trajtuar fillimisht 2500 të burgosurit politikë që janë gjallë pa dallim moshe, sigurisht, në fillim ata më të vjetrit.

    Data, 15.03.2014
    SHBPSH
    Kryetari
    Skënder Tufa