Skënder TUFA/ Ish të burgosurit politikë, Shteti dhe ligji

    419
    Sigal

    Ish të burgosurit politikë janë një pjesë e shoqërisë, në të gjitha vendet e Europës -Lindore ata janë vlerësuar dhe integruar, ndërsa këtu në vendin tonë vazhdojnë të jenë pjesa më vulnerabël. Kontributi i tyre në përmbysjen e Diktaturës është minimizuar aq sa mund të themi se nuk duket fare. Dhe kjo nuk është e rastësishme, po të kemi parasysh plenumin e KQPP të vitit 1988, ku Ramiz Alia analizon vendimet e Katovicës dhe jep direktiva të detyruara nga rrethanat për lëshim të ngadalshëm të metodave Diktatoriale, duke i shndërruar në format dhe mënyra të ndryshme që do të vazhdonin të ishin në funksion të PPSH, e cila do të transformohej në celula që do të ishin partitë e më vonshme politike. Janë pikërisht këto parti që zbatojnë me përpikmëri ato vendime, të cilat kanë në thelb vazhdimin e ndëshkimit të të përndjekurve Politik në format dhe mënyra të reja. Janë pikërisht ligjet numër 7501 për pronat dhe 7514 për zhdëmtimin dhe Integrimin e të dënuarve politik, të cilat duke mos u zbatuar i kanë lënë këto 2 shtresa në një gjendje pritje, ankthi, ripersekutimi. Ish të burgosurit politikë dhe me këtë trajtim që i është bërë kanë treguar se janë një shtresë fisnike e shoqërisë.

    Shteti

    Shteti është ajo karabina, e cila zbukurohet ose shëmtohet nga qeverisjet, të cilat janë për shtetin si makijazh ndërsa për qytetarin si makinë ose e keqe e domosdoshme. Qeverisjet në Shqipëri gjithmonë kanë qenë në funksion të udhëheqjes së vendit drejt klaneve fakt, i cili ka renduar mbi qytetarët, por vlen për tu përmendur se qeverisja me dinjitoze, e cila kishte vlerën më të lartë të lekut në Europë dhe qytetari shqiptar udhëtonte me pasaportën e tij në të gjitha vendet duke u respektuar ishte koha e viteve 30. Periudha ‘44- ‘90 e izoloi tërësisht qytetarin shqiptar, i cili ishte një enigmë për të huajt. Pas viteve ‘90 ata panë dekompozimin moral që kishte bërë diktatura shqiptare. Vitet e mëpasme e përkeqësuan më tepër gjendjen e këtyre njerëzve, të cilët të tmerruar nga këto keqqeverisje janë duke përjetuar ankth, frikë, terror, të mbjell nga ata që kanë uzurpuar të gjithë pasurinë dhe politikën e vendit. Shteti shqiptar sot është më i diskritikuari dhe me i inkriminuari dhe në këtë prezantim nuk mund të flitet më për shtet ligjor dhe për barazi sociale pasi këtu kemi të bëjmë me sundim të klaneve, të cilat janë të interesuara që të mos ketë zgjidhje për ish të përndjekurit politik dhe ish pronaret.

    Ligji

    Është pikërisht ligji, i cili ju a mori lirinë dhe jetën për llogari të diktaturës, është serish ligji, i cili ju njohu të burgosurve Politik pafajësinë me ligjin numër 7514 datë 30.09.1991. Ky ligj edhe pse kanë kaluar 23 vjet vazhdon të mos jetë inmplementuar dhe si rezultat, të dënuarit Politik as nuk mund të flitet që të integrohen në jetë. Pasi ligji i sipërcituar deri tani ka pësuar me dhjetëra e dhjetëra amendime dhe në fund nuk ka mundur të zgjidhë problemet e kësaj shtrese. Është sërish ligji numër 9831, i cili pasi kanë kaluar 7 vjet nuk mundet të jetë me efiçent sepse ka shumë faktor që e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen në të. Qeveria aktuale premtoj se do të zhdëmtonte të burgosurit Politik për një afat 2- vjeçar, por me shifrat e publikuara së fundmi rezulton se do të duhen 12 deri 15 vjet për të përfunduar ky proces, pa llogaritur këtu zhvlerësimin që po pëson leku çdo ditë. Janë akorduar 65 milionë dollarë për 3 vjetet e ardhshme, nëse do të keni parasysh që borxhin ndaj të burgosurve politik është edhe 300 milionë dollarë llogariteni vetë, veç kësaj të burgosurit politik të lodhur nga vitet e burgut dhe nga zhgënjimet 23- vjeçare po largohen nga kjo botë jo vetëm duke mos gëzuar shpërblimin që ju takon me ligj, por shpesh nuk kanë para për të paguar as shpenzimet e varrimit të tyre. Për këtë arsye i jemi drejtuar Parlamentit me një projekt ligj për të zhdëmtuar fillimisht ata që janë gjallë. Me qëllim që zhdëmtimi i viteve të burgut sipas projekt ligjit të paraqitur të jetë efiçent SHBPSH ka thirrur të burgosurit politik në datën 05.02.2014 ora 10:00 tek Akademia e Shkencave për të thënë fjalën në mënyrë të drejtpërdrejt në funksion të zgjidhjes së këtij problemi.