Skënder Seferaj/Gjormi, një vend trimash me veçori specifike

    479
    Sigal

    Amantia ndodhet në pjesën verilindore të fshatit në distancën 10 km

     Rrjedha e mesme e Shushicës, ku gjendet fshati Gjorm, ka qenë banuar që në lashtësi. Ultësira e anëve të lumit me një klimë relativisht të butë me toka pjellore e pjesërisht të ujitshme, me pyje e me shkurre, me kullota të pasura për të gjitha stinët në kodrat rrethuese, si ulja e butë e malit në pjesën perëndimore të fshatit, përbënin kushte shumë të përshtatshme për jetën shoqërore qysh në kohët më të hershme. Vendbanimet më të lashta, që njihen në zonën tonë si Shpella e Lepenicës apo si është folur në popull: “Shpella e Shkruar”, “Shpella e Velçës”, janë një dëshmi e qartë, se jeta dinamika e zhvillimit të saj ka ecur me mënyrë paralele me këto zona. Në Shpellën e Velçës janë zbuluar gjurmë të neolitit të vonë si vegla guri e qeramike të pikturuara.

    Në pjesën perëndimore të fshatit Gjorm në afërsi të Shënkollës ndodhet Shpella e Lepenicës ose Shpella e Shkruar, dikur territor i fshatit Gjorm e shitur nga Hariz Katrani në fillim të viteve 1900 të shekullit të kaluar.

    Vizatimet e Shpellës ë Lepenicës i përkasin gjysmës së parë të mijevjeçarit të tretë para erës sonë. Në këto vizatime ka figura njerëzish e kafshësh dhe figura gjeometrike, që janë të ngjashme me ato të gadishullit PIRENE.

    Këto krijime i përkasin periudhës së Epokës së Bronzit, ku mbizotëronte një botëkuptim i trysnuar nga magjitë e nga konceptet mitike për realitetin. Këto piktura ruajnë raporte ngjashmërie me sendet e përdorimit për gjueti apo për shërbime të tjera. (Gazeta “Shekulli” 28.01.1999) (Kuvendi i Studimeve Ilire) (Material marrë në Muzeun Historik Vlorë). Epoka e Bronzit dhe ajo e Hekurit në Luginën e Shushicës janë të njohura nga zbulimet e bëra në Tumat e Vajzës në qytezën e Mavrovës, në kalanë e CERIAS dhe në qytetin antik të AMANTIAS. Këto janë dëshmi të zhvillimit dhe të nivelit të lartë që arriti kultura Ilire në këtë zonë.

    I përmendëm Tumat e Vajzës, sepse identike me to dhe të së njëjtës periudhë kanë qenë edhe dy tuma në Gjorm në vendet Neshte dhe Bregu i Qeramidhes, por të pastudiuara. Lidhur me datimin pikturës së Lepenicës po marrim në konsideratë të dhënat arkeologjike që vijnë nga zbulimet në zonën tonë. Kultura e Neolitit të vonë të Velçës ku si përmendëm i takon mijëvjeçarit të tretë para erës sonë. Afëria e Velçës me Vajzën janë një tregues i rëndësishëm se Piktura e Lepenicës është një krijim i rrallë i artit të vonë prehistorik që duhet të jenë bërë gjatë NEOLITIT të vonë si çdo krijim i artit prehistorik ajo nuk është një paraqitje e thjeshtë e sendeve, por një përgjithësim i një ideje që lidhej me veprimtarinë kryesore ekonomike. Pra zona jonë ku ruhet edhe sot piktura e artit shkëmbor prehistorik i takon vatrave më të lashta të qytetërimeve prehistorike, të cilat kanë njohur një autonomi relativisht të gjatë. Kjo krahinë e banuar që në antikitet si qytetërim i ka përkitur qytetërimit të Amantias si zona rurale të saj.

    Amantia ndodhet në pjesën verilindore të fshatit Gjorm në distancën 10-15km nga qendra e fshatit, por territori i fshatit Gjorm është i gjerë dhe ka vende si zona e Neshtës që qytetin e dikurshëm të Amantias e ka pasur fare pranë

    Amantia është qytet Ilir i përcaktuar në rrënojat e fshatit Ploçe i themeluar nga fundi shekullit të V para erës sonë.

    Në shekullin e III-të para erës sonë Amantia ishte kryeqendra politike e kulturore e bashkësisë së Kainonit të Amanteve, ku hynë edhe qyteti OLIMPE, qyteza e fortifikuar MATOHANASAJT e CERRIAS e HADERAJT më tepër me funksion strategjik. Pas pushtimit roman Amantia ruajti një farë autonomie të brendshme dhe ishte nyje e rëndësishme në rrugën nga APOLONIA që kalonte në jug drejt Epirit.

    Qyteti antik i Cerrias ndodhet në pjesën juglindore të fshatit Gjorm, ku takohet lumi i Shushicës me degën tjetër, Cmokthinë. Cerria është kala Ilire, nuk dimë me çfarë emri, por më vonë e emërtuan nga Sllavishtja me dy kuptime.

    a. Cerrie ne shqip – “vend i fshehtë” b. I kundërt me kuptimin e parë – Pamje, dukje. Këtu duken ende mbeturinat e një qyteze në kalanë të lashta.

    Qyteti antik i OLIMPIAS gjendet në pjesën veriore të Gjormit. Qyteti i përcaktuar në rrënojat antike së Kalasë së MAVROVËS. Fillimet e jetës këtu i përkasin fundit të Epokës së Bronzit. Në shekullin e VI para erës sonë Olimpia u zhvillua si qendër protourbane dhe u zhvillua si qytet në shekullin e IV të III para erës sonë. Në kohë u rrethua me mure të fuqishme dhe u bë qendër e fuqishme për krahinën.

    Pas pushtimit romak në shek. e II para erës sonë qyteti filloi të bjerë dhe mbeti një qendër fshatare pa rëndësi. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Botimi 1985 faqe 773).

    Faktet na shtyjnë të mendojmë për më tej, për një qytetërim të pastudiuar, mbase paralel me qytetërimet e mësipërme.

    Emërtimi Katundishtë, në territorin e Velçës, ngjitur me të bregu i Quramidhes në territorin e Gjormit, emërtimi Maja e Qytetit në këtë vend na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një qytezë antike ilire me një qendër mbase rurale.

    Mbetjet qeramike në bregun QURAMIDHES, tuma e shkatërruar në periudhën e socializmit po në këtë vend dëshmon, se pranë qendrave të banuara bëheshin edhe varreza tumulare. Emërtimi KATUNDISHTË është i mëvonshëm. Prapashtesa sllave “ishte” i është shtuar emërtimi shqip KATUND. Fillimisht është quajtur KATUND si katundi ynë. Katundi në Gjorm ka ruajtur pastërtinë e gjuhës ndërsa Katundi në Velçë është ndikuar nga prapashtesa sllave që cituam më lartë. Me pak fjalë Katundishta, Bregu i Qeramidhes kanë qenë të banuara në lashtësi. Këto qendra të banuara e të fortifikuara. (CERIA, AMANTIA, OLIMPE) i takojnë asaj periudhe të historisë ku kishte lindur prona private dhe shoqëria ilire po kalonte nga rendi i bashkësisë primitive në atë skllavopronare, proces, që u zhvillua gjatë mijëvjeçarit të fundit para erës sonë. Në këtë periudhë lindën kontradikta të brendshme për zhvendosjen në vende më të sigurta për t’u mbrojtur.

    Të kësaj periudhe janë edhe fillesat e jetës së organizuar në territorin e fshatit tonë si në: Shënkollë, Shënmertir, Kalibaq, në periudhën paralele apo të mëvonshme në Katund, në Vris, në Kryeuq, në Arra, në Meqarah, në Lugun e Vanilit, në Dhimgjike, në rrëzë të Harcës së Joshokos në të dy anët e Përroit të Kules, në Lugustrat, Ratalhyso, në Shkëmbth në Devall, në Hysopogë, në Bregun e Qeramidhes apo mbase edhe në Ckollonahi, ku lidhjet reciproke të dy a më shumë gjinive, që jetonin pranë  apo afër njëra-tjetrës dhe që gjatë kohës kishin arritur të krijonin lidhje gjaku midis tyre. Si kemi përmendur lashtësia, mungesa e transmetimit të të dhënave nëpërmjet gjuhës së shkruar, kanë shuar shumë gjurmë të këtij qytetërimi edhe në territorin e fshatit tonë, por ngelën ende pak gjurmë, që duhen ndjekur e ndriçuar, për të dalë në mejdan si e themi ne ato elemente qytetërimi, që i përkasin edhe zonës sonë.

    Përveç dëshmisë së “Shpellës së Shkruar” për periudhën prehistorike kanë ngelur tumat e shkatërruara në periudhën e socializmit kodërvarreza që janë ende, gurët e mokrës të gjetur në territorin e fshatit janë edhe gjetjet e orendive personale nëpër varreza të hershme. Tumat që përmendëm, tashmë të shkatërruara ato në Bisht të Arrave të Vere apo në Breg të Qeramidhes kanë qenë identike me ato të fshatit Vajzë që është studiuar. Duke bërë këtë krahasim edhe tumat që përmendëm të gjetura janë dëshmi e asaj periudhe që varrezat tumulare ngriheshin anës së lumit ngriheshin në fusha së toku, apo të vetmuar si në rastin tonë në Neshtë apo në Bregun e Qeramidhes.

    Varreza tumulare e Brusnjes në Vajzë në bazë të datimit të objekteve të gjetura janë në shekullin e IV – V para erës sonë. Vetë emërtimi: Qafa e Kules tregon se edhe këtu mund të ketë pasur varreza tumulare, po u shkatërruan gjatë kohës. Në të folmen e hershme tumat quheshin pirgje, grumbull dheu, pra në formë kulmi (nënkupto Qafa e Kules) të mëvonshëm janë varrezat e vendosura në kodra apo siç thuhet ndryshe “Kodërvarrezat” që janë aktualisht në Gjorm si në Arra në kurrizin drejt Majës së Vanilit, ku ka qenë edhe kisha. Kodërvarrezat e tjera gjenden në Neshtë njëra në Rrohtalhyso. Këto kodërvarreza kanë të bëjnë me vendbanimet aty afër, me kishat e ndërtuara pranë tyre, që datohen nga shekulli i parë deri në të shtatë të erës sonë. (Historia e popullit shqiptar. Volumi i 1 botimi i 2002).

    Mendimi i historianëve më shumë anon se kishat në vendin tonë u ndërtuan kryesisht pas shekullit të IV të erës sonë.

    Jetëgjatësia e kishave relativisht është e madhe. Pra që nga periudha që përmendëm deri në vendosjen e konsolidimin e fesë islame. Banorët e lashtë të territorit të Gjormit e të zonës përreth kanë kaluar në këto etapa të zhvillimit ekonomiko-shoqëror që kaluan fiset Ilire ku bënin pjesë Kaonët dhe Amantët. Ne po i referohemi periudhave historike me ato materiale që kemi mundur të grumbullojmë por ngelën shumë gjëra atje në lashtësinë e tyre e për mungesë dokumentacioni janë të mbështjella në mjegull. Për këtë ne po argumentojmë edhe piketa referimi, po hedhim hapa për vazhdimin e mëtejshëm të punës për të pasuruar në mënyrë shkencore këtë material.

     POZITA GJEOGRAFIKE

     Gjormi ndodhet në Luginën e Lumit të Shushicës në krahinën malore të Mesaplikut dhe në krahinën e Shqipërisë juglindore, në Labëri. Në kohë të lashta zona jonë ka bërë pjesë në krahinën e Epirit. Grekët e lashtë nga deti apo nga ishujt tokën (strenë) në gjuhën e tyre e quanin Epir (Apeiros) në shqip tokë. Epiri ishte krahinë dhe një nga shtetet e Ilirisë së jugut që shtrihej nga malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike) rrjedha e mesme e lumit Vjose deri në gjirin e Ambrakisë në jug, nga malet e Pindit deri në brigjet e detit Jon. Emërtimi Epir ka qenë përdorur në fillim nga autorët grekë si një emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të saj përball Greqisë ishullore. Emërtimi Epir si territor formonte një njësi gjeografike më vete. Vetëm nga fundi i shekullit të 6-të para erës së re u shndërrua në një emër të përveçëm gjeografik. Epiri banohej nga 14 fise, ndër të cilët më kryesorët ishin: Tespotët, Molosët dhe Kaonët. Këto fise ishin etnikisht të një trungu me Ilirinë, që i lidhte gjatë historisë së tyre një foud i gjerë dhe i përbashkët traditash që ndryshonin nga ato të Greqisë Antike.