Skenari qeveritar, që heq Ndihmën Ekonomike për 60 mijë familje

    399
    Familjet dhe personat pa të ardhura financiare që janë të pa punë, ose të paaftë për të punuar për shkaqe shëndetësore e fizike, të cilët trajtohen me pagesë “Ndihmë Ekonomike Mujore” prej qeverisë nëpërmjet pushtetit lokal, do të përballen këto ditë me një skenar “djallëzor” që do t’u kushtoj humbjen e të drejtës së përfitimit të ndihmës ekonomike lëmoshë dhe të drejtën për rimbursim ilaçesh, që u jepet prej qeverisë. Çfarë është inskenuar? Nëpërmjet një ankese të dërguar 5 ditë më parë në redaksinë e Gazetës “Telegraf”, një qytetar nga Tirana denoncoi skenarin e futur në veprim, lidhur me regjistrimin që ata bëjnë çdo 3 muaj në zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ku rikonfirmojnë statusin si “të papunë”, për shkak se janë të pamundur për të gjetur punë personalisht, të pa punësuar dot prej zyrave të punës dhe të paaftë për të punuar për shkaqe shëndetësore e mangësi fizike. Këtë kategori sociale në varfëri ekstreme, shteti e regjistron dhe e pajis me “Kartelë Punëkërkuesi”, sipas të cilës njihet zyrtarisht si “Person i papunë”! Këtë kartelë, çdo i papunë i regjistruar detyrohet ta rikonfirmoj në çdo 3 muaj, në një datë fikse të paracaktuar nga Zyra e Shërbimit Rajonal të Punësimit. Nëse nuk paraqitesh në datën e caktuar prej “shefit” të zyrës së punësimit për të marrë firmën rikonfirmuese si “i papunë në vazhdim”, del nga regjistri i të papunëve. Ky rikonfirmim, që prej datës 20 shkurt 2016 nuk po u bëhet më personave të papunë në Tiranë e në rrethe. Ata paraqiten për të firmosur afatin 3 mujor në kartelë, por zyrat e shërbimit të punësimit, nuk ua firmosin. Pse? Sipas investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se po zbatohet një “Urdhër Qeverie”, sipas të cilit duhet të pakësohet lista e personave të papunë dhe kjo po bëhet prej zyrave të shërbimit të punësimit. Këto ditë, drejtoria rajonale e shërbimit të punësimit në Tiranë (edhe dje), vazhdon të jetë e tejmbushur me njerëz që gjenden përballë bllokimit të rinovimit të kartelës së papunësisë. Zyrtarët që kanë caktuar datat e firmosjes së kartelave, refuzojnë firmosjen, duke mos dhënë asnjë shpjegim qytetarëve, por duke i përcjell me shpërfillje, ofendime dhe me refrenin: “Kartelat nuk do firmosen më, nuk quheni më të papunë, dorëzoni CV për punësim, ky është urdhër nga ministri”. Burime konfidenciale nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, na bën me dije se ky është një “skenar sekret” për të pakësuar numrin e real të personave të papunëve, me qëllim që të parqitet si “politikë sociale” e cila dueht të tregoj që “është bërë punësim”, pra për shou. Informacioni tjetër, na bëri me dije, se ky bllokim kartelash që nxjerr nga skema e trajtimit personat e papunë, ka lidhje me paaftësinë e shtetit për të përballuar rimbursimin e ilaçeve të këtyre personave të regjistruar si “të papunë” në Zyrën e Shërbimit të Punësimit, numri i të cilëve arrin në 358 mijë! Ajo që përbën shqetësim të madh e masiv social është fakti, që mos firmosja e kartelave të papunësisë është një marifet djallëzor i qeverisë, për të hequr nga lista e ndihmës ekonomike mijëra familje! Konkretisht, në shkallë vendi është bllokuar rinovimi i 235 mijë karteleve të personave të papunë. Në listat e të regjistruarve të përjashtuar, po bëhet evidentimi i atyre që trajtohen familjarisht ose individualisht me ndihmë ekonomike, me qëllim që sipas skenarit, të plotësohet numri 60 mijë! Këta, duke nisur nga data 1 prill 2016 që është 3 mujori i dytë i rinovimit të dokumenteve për ndihmë ekonomike, nuk do të jenë më pjesë e përfitimit të ndihmës ekonomike. Por burime të tjera nga qeveria, bëjnë me dije për “Telegraf”, se ky bllokim kartelash ka lidhje me një urdhër (kriter) të dhënë nga BE, sipas të cilit brenda vitit 2016, Qeveria Shqiptare duhet të ul në 60 mijë numrin e personave dhe familjeve të trajtohen me pagesë ndihmë ekonomike, me objektiv që brenda vitit 2017 të mos ketë asnjë pagesë të tillë! Gazeta “Telegraf”, testoi denoncimin e bërë dhe prej punonjësit të zyrës së shërbimit të punësimit në Tiranë, morri këtë përgjigje: “Mos u lodh kot se nuk e rinovojmë afatin e kartelës, ky është urdhri, shko bëj CV dhe sille e prit radhën për punë, që nga dita e sotme nuk figuron më si i papunë”! Siç duket, po bëhet realitet projekti i shpallur nga qeveria shqiptare në datën 7 janar 2016, sipas të cilit do të kishte një riformatim të skemës së papunësisë dhe të përfshirjes në listat e pagesës së ndihmës ekonomike. E gjithë kjo skemë, u tha se do ët riformatohej nëpërmjet regjistrit elektronik të përfituesve, me synim uljen e numrit të përfituesve, duke nxjerr nga regjistri shumë familje të cilat do të përfshihen në politikat e punësimit. Kujtojmë, që ky skenar është vazhdim i skenarit të fillim-vitit 2015, kur nga lista e ndihmës ekonomike u hoqën 20 mijë persona e familje. 
    Skenari për të bërë “zero” listën e ndihmës ekonomike në vitin 2017, po zbatohet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër
    Skenari i pakësimit të numrit të papunëve që janë regjistruar në listat e punëkërkuesve të shërbimit të punësimit, ka nisur zbatimin si projekt faktik në rrethet Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër, nën maskën e reformës “Modernizim i Skemës së Ndihmës Ekonomike”, Projekti është duke u zbatuar në kuadër të marrëveshjes së borxhit ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale dhe kontingjenteve të individëve e familje pa punë e pa të ardhura. Huaja jepet në formën e 17 (shtatëmbëdhjetë) pagesave të cilat disbursohen në bazë të përmbushjes së treguesve të përcaktuar në marrëveshje. Risitë kryesore të projektit, lidhen me përdorimin e teknologjisë së informacionit, nëpërmjet ngritjes së Regjistrit Elektronik të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimin e formulës së pikëzuar për përzgjedhjen e përfituesve. implementimi i këtyre dy instrumenteve të reja është bërë me asistencën teknike të Bankës Botërore. Aplikimi për Ndihmë Ekonomike në qarqet e “pilotuar”, bëhet vetëm nëpërmjet Regjistrit Elektronik. Mbas mbarimit të afateve për dorëzimin e aplikimeve, bëhet verifikimi i kryqëzuar i dokumentacionit të paraqitur dhe informacionit të dhënë nga aplikuesit. Familjet që prej shërbimit të punësimit dhe pushtetit lokal klasifikohen “në nevojë” e që plotësojnë 32 dokumente si “dosje” të rregullt, vlerësohen nëpërmjet formulës së pikëzuar e cila rendit në listë familjet në nevojë të përzgjedhura për përfitimin e Ndihmës Ekonomike. 
    ——————————–
    Ja 4 kategoritë që përfitojnë deri tani “Ndihmë ekonomike”
    1. Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
    2. Jetimët të cilët nuk janë në institucione; prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
    3. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
    4. Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
    Sigal