Skema efiçente e pensioneve, ISSH angazhim për shërbime dhe zgjidhje konkrete në dobi të përfituesve

    498
    Shërbimi i sigurimeve shoqërore, pra politika e pensioneve dhe trajtimeve të tjera në këtë drejtim, ka hedhur një hap të rëndësishëm e përcaktues në lidhje me reformimin e këtij sektori, përshtat standardeve evropiane. Implementimi i reformës së pensioneve, ishte prioriteti më i rëndësishëm i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, bërë objekt diskutimi në takimin e datës 4 mars 2016, në prani edhe të Ministrit të Mirëqenies Sociale e Rinisë, zotit Blendi Klosi dhe anëtarëve të Këshillit Administrativ të ISSH. Në ambientet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore, në Lundër të Tiranës, u zhvillua analiza vjetore e ISSH-së, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i ISSH zoti Astrit Hado, bëri publike disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat është përballur e do të përballet në vazhdim sistemi dhe skema e sigurimeve shoqërore, si një fushë me efekte shumë të gjera sociale, me efekt ndikimi thuajse në çdo familje shqiptare. 
    Implementimi i reformës së pensioneve, sipas standardeve europiane
    Implementimi i reformës së pensioneve, ishte prioriteti më i rëndësishëm i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ndërkohë, procesi i zbatimit të kësaj reforme, i lidhur ngushtë me proceset e informatizimit të sistemit dhe të rritjes se performancës së shërbimeve ndaj qytetarëve, kërkon impenjim të vazhdueshëm, në zbatimin e dispozitave dhe rregulloreve ekzistuese ashtu edhe në përgatitjen e akteve nënligjore të reja sipas problematikave dhe nevojave që dalin. Ka ende shumë punë, deri në arritjen e standardeve, që kërkohet dhe që janë përcaktuar nga Qeveria. Kreu i ISSH zoti Hado, vuri theksin në faktin që gjatë vitit që kaloi për herë të parë u trajtuan me pension social 1,811 persona me moshë mbi 70 vjeç, që nuk kishin asnjë të ardhur tjetër ose të ardhurat e tyre ishin të papërfillshme. Trajtimi me pension për këta persona përveç përmirësimit financiar të jetës së tyre, është pjesë e përkujdesjes për moshën e tretë nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Gjatë vitit 2015, vazhdoi z. Hado, u realizuan menjëherë të gjitha procedurat administrative të rritjes së pensioneve, si dhe pagesave për mbi 619 mijë përfitues nga data 01.08.2015, si dhe u realizua në një kohë rekord e gjithë procedura administrative e dhënies së shpërblimeve për vitin e ri po për 619 mijë përfitues, me një efekt financiar rreth 1,238 milionë lekë. U lidhën gjithsej 37,440 pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare dhe duke shtuar edhe pensionet sociale, pensionet për ish-minatorët, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi të ish-ushtarakëve dhe pensionet suplementare, numri total i përfitimeve të reja të caktuara dhe paguara ka arritur në 45,029. Numri i pensioneve të reja krahasuar me vitin 2014 është 1,632 pensione më pak, si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension të grave dhe shtrëngimit të kritereve për pension invaliditeti.
    Pensionet dhe pagesat e invaliditetit, prioritet i ISSH për t’u dhënë fund problemeve
    Krahas caktimeve të pensioneve të reja janë rishqyrtuar të gjitha pensionet e invaliditetit, familjar, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare shtetërore, duke përballuar një punë mjaft të madhe dhe voluminoze – tha kreu i ISSH. Gjatë këtij viti është zbatuar ligji për punën nëntokë të ish-minatorëve, si pjesë integrale e reformës së pensioneve dhe mbi 3,000 ish-minatorë kanë përfituar pensionin në moshën 55 vjeç, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar me këtë kategori që kanë punuar në kushte dhe punë shumë të vështirë. Brenda afateve ligjore të përcaktuara u arritën të kryhen procedurat për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, sipas VKM nr. 8, datë 14.01.2015 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 këh, në muaj” dhe Udhëzimit të Përbashkët Nr. 1, datë 01. 02. 2015 “Mbi zbatimin e VKM nr. 8, datë 14.01.2015” i tre ministrave, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, prej 648 lekë për çdo përfitues, për rreth 80 mijë kryefamiljarë pensionistë e invalidë, si dhe gjatë gjithë vitit u ndoq procesi i rideklarimit të gjendjes së punësimit në familje, duke larguar nga skema rastet abuzive, si dhe duke pritur e vendosur përfitime për të drejtat e reja. Nëpërmjet riorganizimit të shërbimit të Komisioneve Mjekësore Eprore si dhe vënien në funksionim të dispozitave ligjore për ngritjen e KMCAP-eve eprore, është realizuar ulja e abuzimeve në vlerësimin e aftësisë për punë, duke rritur shkallën e përgjegjshmërisë në marrjen e vendimeve dhe si përfundim dhe ulja e ritmit mesatar vjetor të 5 viteve të fundit, lidhur me shtesën vjetore të numrit të e pensioneve të invaliditetit. Megjithëse është bërë një punë e mirë në uljen e numrit të invaliditetit me 1,226 invalidë të rinj më pak se viti 2014, problematika është prezent dhe kryesisht lidhet me dokumentet mjekësore që ofrohen nga spitalet publikë. Një problem shqetësues që duhet të adresohet është rasti i personave të paaftë për punë që nuk përfitojnë pensionin invaliditeti nga puna për mosplotësim të kriterit të një vit sigurimi në pesë vitet e fundit dhe që nuk trajtohen nga skema të tjera mbrojtësi si shërbimi social shtetëror.
    Pensionet e lidhur në afat, rritje të numrit
    U zbatuan standarde të reja në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj pensionistëve, sidomos në fushën e transparencës së përfitimeve të caktuara. Hapi më i rëndësishëm u bë në drejtim të transparencës së pagesave, nëpërmjet qeverisjes së tyre më të plotë, me sisteme informatike, të cilat ndër të tjera kanë përmirësuar ndjeshëm edhe administrimin financiar të sistemit. Por me gjithë përmirësimet e bëra në këtë drejtim, përsëri janë rreth 3,000 pensione që janë lidhur jashtë afatit duke sjellë vonesa në pagimin e pensioneve dhe shkaktuar mangësi të mjeteve të jetesës. Këto vonesa kanë krijuar shqetësime serioze në radhë të parë për qytetarët dhe më tej duke krijuar flukse të panevojshme të kërkesave, letrave, ankesave si dhe shtim të radhëve në zyrat e pritjes. Megjithëse, përgjithësisht këto vonesa shkaktohen për shkaqe objektive që lidhen me cilësinë dhe saktësinë e dokumentacionit arkivor të krijuar ndër vite, edhe puna e personelit të sigurimeve shoqërore në disa raste nuk ka qenë në nivelin e duhur çka sjell si detyrë në të ardhmen rritjen e përpjekjeve dhe përgjegjësisë nga ana jonë për uljen e numrit të pensioneve të lidhura jashtë afatit dhe pagimit në kohë të përfitimeve. Tashmë, numri i pensioneve që paguhen on line ka arritur në shifrën e 472,393 pensione ku përfshihen 100% e pensioneve urbanë dhe pjesa tjetër pensione rurale. Nga ana e ISSH është gati gjithë infrastruktura për pagimin on line të të gjithë pensioneve dhe jemi në pritje të ngritjes së infrastrukturës nga ana e agjentit pagues Posta Shqiptare sha.”
    Ja 13 prioritete kryesore, për vitin 2016
    1. Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe orientimi i punës së ISSH- së, pro- klient;
    2. Ulja e kërkesë – ankesave të qytetarëve ndaj ISSH-së, duke thjeshtëzuar procedurat, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, unifikimi i praktikave dhe zgjidhja administrative e çështjeve që ankimohen.
    3. Caktimi dhe pagimi në kohë i të gjithë llojeve të përfitimeve;
    4. Pagesat on-line për të gjithë përfitimet dhe intensifikimi i punës për kalimin e pagimit të pensioneve në banka;
    5. Realizimi i të ardhurave kontributive në përgjegjësi të ISSH-së dhe numrit të kontribuesve, duke rritur pjesëmarrjen në skemë të fermerëve;
    6. Implementimi i të gjithë programeve informatike në 12 DRSSH dhe për të gjitha proceset e punës si llogaritja e pensioneve, evidentimi i kontributeve, administrimi financiar dhe burimeve njerëzore;
    7. Intensifikimi i punës për dixhitalizimin e periudhave të sigurimit dhe kalimi në historikun kontributiv si llogari individuale;
    8. Intensifikimi i bashkëpunimit me organet tatimore, për transmetimin në kohë reale të listë-pagesave;
    9. Shfaqja e të dhënave kontributive individuale në portal, për të rritur transparencën dhe kontrollin e kontributeve nga vetë të siguruarit;
    10. Zbatimi me korrektësi i transfertave në buxhetet familjare nga sigurimet shoqërore dhe i politikave të Qeverisë në fushën e pensioneve;
    11. Përmirësimi i infrastructures, sidomos të zyrave pritëse;
    12. Rinovimi i teknologjisë së informacionit, shtimi i kapaciteteve të saj dhe infrastrukturës së transmetimit të të dhënave elektronike;
    13. Pjesëmarrje aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale, në fushën e mbrojtjes shoqërore.
    Sigal