Skema e vjedhjes të ilaçeve nëpër spitale

    414
    Sigal

    Ilaçet e skaduara nëpër spitale janë “paja” e korrupsionit, ndërkohë, kur u mungojnë të sëmurëve. Të gjithë “ranë” nga qielli, kur  mësuan se në spitalin më të madh të vendit,  te “Nënë Tereza”, u gjendën në farmacinë e saj ilaçe të skaduara, që kapin vlerën mbi 1 milion dollarëve, ndërkohë, kur në spital mungojnë ilaçet për të sëmurët. Dhe, më e keqja, fakirët për të ardhur në vete, pasi këmbët u “zunë” tokën e realitetit, bëjnë edhe pyetjen (idiote): – Si ka mundësi, që spitali të ketë 1 milion dollarë të skaduara, kur të sëmurëve nuk u japin asnjë ilaç?

    Turp, që rregullimi i skanerit, të përbëjë lajmin e …ministrit të Shëndetësisë

    Ministri i Shëndetësisë, pas një shkrimi të gazetës “Telegraf”, ditë më parë, ku paralajmëronte se, spitalet publike kapitullojnë nga mungesa e ilaçeve, shkon në qendrën Kombëtare të Traumës, në atë që mbeti nga Spitali Ushtarak, për të na dhënë një …lajm. Që skaneri i vetëm, i qendrës së traumatizuar të Traumës, qenka vënë në …punë. Besoj se as në Uganda të Afrikës, nuk mund të përbëjë lajm për ministrin, riparimi i defektit të një…skaneri. Ministri i Shëndetësisë, që ka 3 muaj në detyrë, në vend të falënderimeve e mburrjeve, a mund të na shpjegojë përse u deshën 3 muaj kohë, nga marrja e tij e detyrës, që të rregullohet? Ministri i Shëndetësisë, përse nuk thotë, në këto 3 muaj, a kanë spitalet ilaçe? Apo në farmacitë e spitaleve ilaçet presin ditën e …skadencës?

    Skema e  skadencës së ilaçeve në spitale

    Edhe pse të gjithë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtorive përkatëse, vazhdimisht pohojnë se, në spitale nuk ka ilaçe, asnjë, nuk e merr mundimin që, jo vetëm të mësojë përse në spitale nuk ka ilaçe, por… përkundrazi, të gjithë atyre u intereson kjo gjendje, për të përfituar.  Ajo që nuk dinë të tjerët, këta drejtues të spitaleve, e drejtorët e drejtorive në ministri, por edhe vetë ministrat e Shëndetësisë, së bashku, e dinë që në spitale publike ka 2 depo ilaçesh. Në depon e parë, ruhen ilaçet e skaduara. Të cilat, edhe kur deklarohen të tilla, kurrë nuk asgjësohen, por ruhen në këtë depo, që e dinë vetëm …disa. Depoja e dytë është me ilaçe të rregullta. Në fillimvitin e 2013-s, me prokurë të drejtpërdrejtë,  pa u zhvilluar tenderimi i rregullt, spitalit “Nënë Tereza” iu dhanë një sasi ilaçesh, miliona euro. Firma që merr prokurimin e drejtpërdrejtë, i merr paratë, nga faturat.  Në farmacinë e spitalit, jepen shumë herë, ilaçet e skaduara nga depoja e parë, ndërsa sasia përkatëse,  nga ilaçet e blera nga prokurimet e drejtpërdrejta – pa tenderim të rregullt – ose mbahen në depon e dytë,  ose jepen në farmacitë private.  Kjo shpjegon faktin që spitalit i mungojë ilaçet, edhe pse fondi harxhohet, duke i blerë ilaçet.  Këtu, në këtë cikël spekulimi, përfshihen të gjithë drejtuesit, që nga ministria, nga drejtoritë përkatëse të kësaj ministrie, drejtuesit e spitaleve, të klinikave, mjekët, farmacistët. Ndërsa faturat bëhen fiktive, që ilaçet përdoren për pacientët. Ilaçet e skaduara mbahen, ose për të plotësuar ato kontingjente të ilaçeve të rregullta, që dërgon për t’u shitur në farmacitë private, ose përdoren te të sëmurët. Drejtori i Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci, ka urdhëruar kontrollin e përgjithshëm, në të gjithë spitalet e vendit, me një ekip prej 30 vetësh. Nga rezultatet e deritanishme, rezulton se edhe në spitale të tjera, si në Lezhë, Kukës, e gjetkë, janë gjetur shuma të mëdha ilaçesh të skaduara, në farmacitë e spitaleve, ndërkohë, që pacientëve u mungojë ilaçet.

    Kallëzimi penal duhet ndaj të gjithëve, që nga ministrat e deri te drejtorët e QSUT-së

    Ilaçet e skaduara, në shumën e mbi 1 milion dollarëve,  në farmacinë e spitalit “Nënë Terëza”,  janë pasojë e drejtpërdrejtë e skemave korruptive që zbatojnë drejtuesit e ministrisë së Shëndetësisë. Që nga ministrat, drejtorët e drejtorive përkatëse të  kësaj ministrie, drejtorët e QSUT-së, shefat e klinikave, farmacistët, mjekët. Është firma e ministrit  të Shëndetësisë, ajo që bën prokurimin e ilaçeve pa tenderim. Janë drejtorët e drejtorive të kësaj ministrie, që drejtojnë prokurimet e drejtpërdrejta. Janë drejtorët e QSUT-së, që bëjnë skemat e  shpërndarjes së ilaçeve, nga depot e spitalit, në farmacinë e spitalit, drejt farmacive private, duke u lënë pacientëve vetëm ilaçe të skaduara, ose …asgjë. Ndaj, prokuroria, duke zbardhur skemën se si ilaçet e skaduara u “gjendën” në farmacinë e QSUT-së, do të zbardhin tërë skemën korruptive. Dhe, Prokuroria, nëse ka vullnetin të gjejë fajtorët e sistemit korruptiv të ilaçeve në spitale, i  gjen në çdo hallkë të kësaj skeme korruptive të ilaçeve në spitale. Me emër dhe mbiemër.