Skema e re, Veliaj: Do këtë sistem unitar të llogaritjes së pensioneve

    378
    Sigal

    TIRANE- Projektligji për Sigurimet Shoqërore është prezantuar ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë. Duke u ndalur tek skema aktuale ministri i Mirëqenies Erion Veliaj tha se parashikohet rritje e pensioneve, ndërsa theksoi se skena e re do të fillojë shëndoshjen e sistemit të pensioneve duke filluar nga viti tjetër. Sipas ministrit, skema e re parashikon një sistem unitar të llogaritjes së pensioneve. Ministri Veliaj tha se me rëndësi është futja në sistem e pensionit social, pasi për shkak të mungesës së pagesës së sigurimeve shoqërore, një pjesë e popullsisë nuk arrijnë të marrin pension.  I pyetur nga deputetja Blerina Gjylameti lidhur me funksionin e skemës së pagesës së lejes së lindjes, ministri Veliaj tha se ajo duhet të jetë më e ulët se paga reale, në mënyrë që punonjësit të nxiten të rikthehen në vendin e punës. “Kjo praktikë përdoret në të gjitha vendet e BE. Me këtë skemë unifikohet një praktikë që është e njëjtë kudo. Njeriu në punë duhet të marrë më shumë se në shtëpi”, tha ministri Veliaj. Më tej ministri Veliaj është ndalur edhe tek ulja e moshës së pensionit për minatorët. Sipas ministrit, për këtë kategori vendimi do të hyjë në fuqi me 1 janar 2015, pasi propozimi i miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar i Punës parashikon moshën e daljes së minatorëve në pension në 55 vjeç.