Skandali, sanitaret e spitaleve shtetërore shërbejnë edhe në klinikat private të shefave të tyre

    415
    Sigal

    Rrumpallë në spitalet shtetërore; mungesa e barnave, mjekë harbutë, abuzimi me kateringun, mungesa e pastërtisë…

     Situata skandaloze në spitale vjen nëpërmjet shqetësimit qytetar në redaksinë e gazetës “Telegraf”, por, jo vetëm. Kjo situatë e papranueshme në sistemin tonë shëndetësor sot, pas një viti të drejtimit të shëndetësisë nga ministri Ilir Beqja, komentohet nëpër rrjete sociale apo në emisionet e mëngjesit në televizionet News 24 dhe Shijak TV. Mungesa e barnave në spitale, abuzimi me kateringun dhe numrin që nuk korrespondon me kartelat, shërbimi prej harbutësh i mjekëve, mungesa e pastërtisë, punonjës të shtetit që punojnë në bizneset private të shefave të tyre, janë disa nga shqetësimet e shumta të qytetarëve shqiptarë në lidhje me hospitalizimin në vend. Qindra qytetarë kanë denoncuar pakënaqësinë dhe ironinë e ministrit në deklaratat e tij, për të justifikuar marrëzinë në spitalet shtetërore. Është i turpshëm deklarimi i ministrit Beqja në emisionin “Njerëz në Fokus” të moderatores Ola Bruko, në News 24, ku pranoi se pas një viti në krye të detyrës, nuk ka mundur të mbulojë nevojat e spitalit të QSUT-së me barna. Ndërsa justifikoi mungesën e barnave me mbulimin me barna alternativë. “E pranoj që në QSUT ka mungesa barnash, bëhet fjalë për barna me konsum të vogël pra për 3-4 persona. Ne jemi përpjekur t’i plotësojmë me barna alternative. Po ju them që vlera e tyre është e vogël, 500-600 dollarë gjithë vitin”. Ndërsa qytetarët dëshmojnë për mungesa të barnave në spitalet rajonale. Kur ministri është i pamundur për të mbuluar mungesat në QSUT, afër vetes, si mund të ushtrojë kontrollin në spitalet rajonale, më larg se hunda e tij? Një qytetare dëshmon se mungon bari Zantex, i cili është shumë i shtrenjtë dhe pacientët e marrin këtë bar në spital, 1 herë në 3 muaj. Ndërsa deklarohet mungesa e barnave, shqetësimi tjetër është dhe rritja e çmimit të barnave, edhe pse deklarohet e kundërta. Qytetarët ankohen se ata nuk marrin dot barnat që u rekomandon mjeku për shërim, pasi duhet të marrin ato që rekomandon ministri Beqja, si gjoja janë më të lira, ose siç thotë vetë ai “barnat alternative”, synimi i ministrit që kur erdhi në krye të shëndetësisë. Ulja e çmimit të barnave me çfarëdolloj kostoje. Ministri loboi fuqishëm për heqjen e TVSH-së së barnave, pasi nuk është i aftë të ulë kostot e tyre, duke hequr gjobat që mjekët u vënë firmave farmaceutike, të cilat konsistojnë në bileta avioni, pagesa hotelesh luksoze dhe zarfe me destinacion për barna të caktuara të filan firme farmaceutike.

     Privati përdhos shtetin

    Të njëjtët mjekë që shërbejnë në sistemin tonë shëndetësor, por që paguhen nga taksapaguesit shqiptar, kur të presin në spitalin shtetëror sillen si harbutë, ndërsa të përulen e të lëpihen kur shkon në klinikat e tyre private. Për këtë mjaftojnë ankesat e qindra pacientëve të cilët janë trajtuar si të njerkut në spitalet shtetërore, ndërsa si mbretër në spitalet private, ku vetë mjekët i sugjerojnë. Z. ministër i Shëndetësisë, si ka mundësi që privati të përdhosë shtetin në këtë mënyrë?

     Materniteti i Durrësit si banjo publike

    Nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë përfaqëson një spital lindje me maternitetin e qytetit të Durrësit. Qytetarët ankohen se ambientet spitalore janë për të vënë duart në kokë, në tualete nuk shkohet dot. E, pikërisht, atje, ku çdo gjë duhet të jetë sterile, pasi rrezikohet shëndeti i nënave, por për më tepër ajo i foshnjave që vijnë në jetë. Mirë mungesa e barnave, z. Ministër, por pastërtia kaq e vështirë është për t’u mbajtur në spitalet tona?

     Punonjëset sanitare të spitaleve shtetërore punojnë te privati

    Burimet japin për “Telegraf” një lajm, i cili duhet verifikuar më parë. Sipas burimeve, thuhet se punonjëset sanitare të cilat marrin rrogën si të punësuara në spitalet shtetërore punojnë njëkohësisht edhe në bizneset private të shefave të tyre në spitalet shtetërore. Kjo, në fakt, shpjegon dhe gjendjen skandaloze, përsa i përket pastërtisë në spitalet tona.

    Edhe pse të sëmurë, qytetarët nuk marrin dot kempin

     Edhe nëse je në gjendje të rëndë shëndetësore, për të përfituar kempin, do të duhet të rrish në radhë orë e ditë të tëra për të dalë në komision. Kështu, babai i një vajze të sëmurë nga fshatrat e Tiranës, edhe pse ka humbur disa herë ndjenjat, nuk është futur dot në komision. Gjithashtu dhe plot të moshuar, mbi 70 vjeç, nuk kanë arritur të dorëzojnë dot dokumentet. Qytetarët ankohen se përveçse hallit që u ka rënë në kokë dhe shëndetit të munguar, ata nuk marrin si duhet edhe shërbimin nga zyrat e shtetit.  Një kemp nuk shkon më shumë se 9400 lekë dhe qytetarët thonë se kjo e drejtë po fitohet nga ata që nuk e meritojnë, nën moton e pastrimit të skemës.

    Skandal, Beqja gatishmëri për sanitaret e QSUT-së, drejtoresha pushime jashtë shtetit

     Glorifikim në mënyrë emfatike e konsideron mjeku i Urgjencës së Kardiologjisë në QSUT, Petrit Vargu, deklaratën e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për masat e marra me rastin e ardhjes së Papës. “I sqaroj profanët që nga 18 veta që kanë ardhur në QSUT (4 prej tyre jashtë orarit të mitingut të Papës), 15 kanë qenë me neuroza dhe 3 me hipotensione. Më çuditi pa masë, kur Ministri i Shëndetësisë tha që kanë qenë 178 veta me probleme, nga të cilët 18 janë dërguar në spital. Duke qenë mjek që ndoqa 18 urgjencat në QSUT, për të cilat nuk mund të flasim për diagnoza patologjike, i bëj pyetje ministrit të Shëndetësisë, që 160 të tjerët me çfarë diagnoze kanë qenë (të cilët nuk erdhën në spital). Kishin nevojë të pinin ujë, apo të urinonin?” shkruan vargu në rrjetin social në facebook. Për të ministri do të justifikoje alarmin fals që krijoi dhe do të shfaqet si hero në stabilizimin e gjendjes së një situate të ndërlikuar. “Por harron që ka dëshmitarë armatën e madhe të mjekëve, të cilët i nxori në punë pa shkak. Kur kishte një alarm të tillë, ky ministër, pse e la Drejtoreshën e QSUT-së gjithë javën jashtë shtetit (gjoja me shërbim) dhe të paraqitej vetëm sot në punë, kur gjithçka ka mbaruar?” shkruan Vargu.

    Ndërsa ditën e vizitës së Papa Françeskut, mjeku Vargu ka konstatuar se gjithsej në QSUT kishte pasur 14 urgjenca, nga të cilat 12 neuroza dhe 2 hipotensione. “Natyrisht, ishte dita më me pak urgjenca, pasi rrugët ishin të bllokuara. E vetmja urgjencë serioze erdhi nga rrethi i Gramshit që s’kishte lidhje me manifestimin, bllok atrio-ventrikular”, sqaron Vargu. Ndërsa i quan false masat e gatishmërisë në QSUT. “Ka dy ditë që të gjitha pavijonet kanë liruar 2-3 dhoma për të qenë në gatishmëri për eventin. Qesharake është se ka dhoma bosh dhe për Reumatologjinë , Alergologjinë etj.. Po pres me interes reklamën e Ministrisë së Shëndetësisë, ku sigurisht do të proklamohet që ishin marrë të gjitha masat për këtë event. Profanët që po drejtojnë shëndetësinë nuk dinë që në të tilla raste vendosen çadra sanitare pranë eventit me medikamente të thjeshta për ndihmën e urgjencës dhe jo të bllokosh spitalin prej një jave që të mos ketë asnjë shtrim, kohë nga e cila ka dalë urdhri. Megjithatë skena nga profanet u bë. Tani presim të dalin e të vetëlavdërohen…”, shkruan Vargu në facebook në 21 shtator, ditën që papa Françesku vizitoi Shqipërinë.