Skandali/ Onkologjiku pa ilaçe. Pacientët paguajnë për shërbime falas

    378
    Sigal

    Në spitalin e vetëm shtetëror ku trajtohen të sëmurët me tumore, situata është dramatike.

    Përveç numrit më të lartë të vdekjeve mes pacientëve tek onkologjiku, mungojnë shumë medikamente jetike për terapitë trajtuese. Mungesa e ilaçeve, ku duhet të marrin mjekim jo pak por rreth 5 mijë pacientë të prekur nga sëmundjet tumorale është kthyer në një makth për pacientët. Janë barna që kushtojnë shumë dhe për hatër të këtij çmimi të lartë, blerjen e tyre, në farmacitë jashtë spitalit, e kanë të pamundur ta përballojnë gjithë të sëmurët. Aq më tepër që, duke qenë pjesë shoqëruese e kimioterapive, barnat citostatikë merren në mënyrë ciklike. Mungesa e ilaçeve në QSUT është një avaz i vjetër që vazhdon. Por në ndryshim nga repartet e tjera, në Onkologjik kurimi është ciklik. Mund të vazhdojë me gjashtë, shtatë, dhjetë seanca duke përbërë kosto të papërballueshme për ata që nuk kanë t’i blejnë këto ilaçe dhe për më tepër kur përballemi me premtimet e mjekimeve falas të sëmundjeve tumorale. Dhe për këtë arsye Onkologjiku nuk duhet ta ndjejë mungesën e ilaçeve. Gjë, që fatkeqësisht ka vazhduar dhe vazhdon të jetë kështu. Kjo ndodh pasi shëndetësia, përveçse aferave korruptive, asnjëherë nuk është parë si prioritet nga qeveritë.

    Ministri Beqaj “harron” urdhrin e tij

    Ndërkohë që, dje Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në takimin e analizës vjetore të QSUT-së, së bashku me Drejtoren e këtij institucioni, znj. Ogerta Manastirli dhe inkurajoi punën e QSUT-së për sigurimin e furnizimit shumë të mirë me barna. Me siguri ministri Beqaj nuk i ka vënë re të sëmurët e Onkologjikut, të cilët me receta në duar shkonin në farmacitë jashtë QSUT-së për të blerë mjekimet për seancën e radhës. Ndërkohë që vetë ky ministër ka urdhëruar, që prej datës 1 tetor të 2013-s të sëmurët me sëmundje tumorale dhe gratë shtatzëna janë grupe të përjashtuara nga aplikimi i tarifave për shërbimet mjekësore. Por për ironi të fatit, ilaçet e përshkruara në recetën e një hallexhiu kushtonin thjesht 10 000 lekë të reja. “Vij 4 herë në muaj këtu për terapinë dhe më vete 40 000 lekë të reja në muaj. Janë shumë për mua, nuk kam ku t’i gjej gjithë këto lekë”, thotë qytetari për gazetën “Telegraf”. Mesa duket, ministri i Shëndetësisë e ka harruar urdhrin e firmosur nga vetë ai. Komoditeti i zyrës dhe i jetës së tij, bën të harrojë shumëçka. Bën të harrojë ecejaket e dëshpëruara dhe xhepat e pacientëve që boshatisen sa herë hyjnë në QSUT, për të cilët ai duhet të flasë. Flet për shifra marramendëse, por harron të furnizojë me ilaçe Onkologjikun, të cilat sipas urdhrit të tij duhet të trajtojnë falas pacientët me sëmundje tumorale. Madje dhe shikimin e ka të kufizuar ministri ynë, se, nuk i sheh pacientët e Onkologjikut të shtrirë nëpër stolat e QSUT-së, në pritje që të zbatohet urdhri i ministrit për ta. Gjithsesi, ministri i Shëndetësisë është ngrohtë dhe rehat në kolltukun e tij.