Skandali/ Olsi dhe Romana, konçesion 15 milionë euro dhuratë e Ramës nga taksat e shqiptarëve

535
Sigal

Një tjetër taksë do paguajnë shqiptarët.

Tani bëhet fjalë për taksën ‘Romana’. Kreu i qeverisë ka dhënë një tjetër koncesion 15 milionë euro ku përfitues do të jetë Olsi Rama dhe ish zyrtarja e lartë e BE në Tiranë, e cila për merita të veçanta në mbulimin e drogës, krimit të organizuar, korrupsionit qeveritar dhe vjedhjes së votave vlerësohet nga kreu i qeverisë me një koncesion 15 milionë euro që do të paguhet nga shqiptarët.

Këtë fakt e bëri të ditur një ditë më parë, kreu i opozitës Lulzim Basha. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha tha se kjo kompani: ‘aferën korruptive të Olsi Ramës dhe me gjasa të një shtetaseje të huaj që deri para pak kohësh ka shërbyer me detyra të larta në Shqipëri, si rezultat i të cilës një kompani kroate, në dhunim të rregullave minimale të konkurrencës, siç e kemi paralajmëruar, ka fituar një tender prej afro 14 apo 15 milionë eurosh, në procesin e menazhimit fiskal të vendit’.

Ky është një nga skandalet më të rënda që nuk ndodh në asnjë vend në botë, por edhe është dëshmi e qartë e korrupsionit politik deri në majat më të larta të zyrtarëve europianë që shkelin demokracinë e një vendi kundrejt favoreve mafioze të një qeverie kriminale.

Pyetje: Zoti Basha, në mbledhjen e grupit ju keni paralajmëruar se do të dalin skandale të tjera të kësaj qeverie. A mund të na thoni edhe ne cilat janë këto skandale?

Basha: Po të parën ju e keni patur pak minuta më parë. Skandalin e paralajmëruar 5 javë më parë nga Partia Demokratike për aferën korruptive të Olsi Ramës dhe me gjasa të një shtetaseje të huaj që deri para pak kohësh ka shërbyer me detyra të larta në Shqipëri, si rezultat i të cilës një kompani kroate, në dhunim të rregullave minimale të konkurrencës, siç e kemi paralajmëruar, ka fituar një tender prej afro 14 apo 15 milionë eurosh, në procesin e menazhimit fiskal të vendit.

Prej më shumë se dy vitesh kemi paralajmëruar, në bazë denoncimesh konkrete, se kjo është një dhuratë e kryeministrit për vëllain e tij. Mekanizmi që është gjetur në këtë rast, fasada e një kompanie kroate, siç e denoncuam 5 javë më parë, vetëm fakton vërtetësinë e akuzave e denoncimeve që ne kemi bërë publike.

Shikoni vetëm një aspekt dhe jo thjesht që opozita i vuri gishtin dhe denoncoi se kjo do të ndodhë, kjo kompani do ta marrë, por edhe çmimi me të cilin e ka fituar, në limitet e fondit limit.

Për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet që i kushtojnë veprimtarinë e tyre luftës kundër korrupsionit, flamuri i kuq, drita e kuqe, indikatori, treguesi kryesor se një prokurim, një tender është i korruptuar, është kur ai fitohet në kufijtë e çmimit limit. Dhe kjo ka ndodhur dhe padyshim ky përbën një skandal të jashtëzakonshëm.

Tregon edhe shkallën e lartë të sofistikimit të korrupsionit të qeverisë Rama, ku arrin të përfshijë, me ndihmën edhe të faktorëve të tjerë të korruptuar jashtë vendit, kompani të huaja.

Denoncimi është bërë nga deputetët e Partisë Demokratike, nga nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, zonja Tabaku dhe kryetari i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Partinë Demokratike, deputeti i Elbasanit Endri Hasa.

Por nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë denoncim. Një paralajmërim të qartë dua t’jua bëj sot fituesve të këtij tenderi, se do të jenë subjekt i menjëhershëm i dispozitave antimafia. Dhe i garantoj se nuk do tëarrijnë të gëzojnë dot frytet e grabitjes, vjedhjes, në të cilën janë përfshirë si aksesorë të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tij.

Në rrafshin e skandaleve kriminale, mund t’ju them se Dosja 339, nga e cila keni parë vetëm majën e ajsbergut, në vetvete është pjesë e disa hetimeve, të nisura nga Prokuroria, disa prej tyre me kërkesën tonë, siç është dosja hetimore e Dibrës – numrin e hetimit do t’ua vëmë në dispozicion sapo ta kemi – ku janë interceptuar në mënyrë ligjore, pra janë krijuar prova dhe fakte ligjore, të përfshirjes së Saimir Tahirit, asokohe Ministër i Brendshëm, Damian Gjiknurit, asokohe dhe akoma ministër dhe, të paktën 4 deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste, në transaksione të të njëjtës natyre si Dosja 339, me banda të krimit të organizuar, me figura të krimit të organizuar si Ymer Lala, dhe të tjerë eksponentë të krimit të organizuar, për të ushtruar presion, për të blerë vota dhe për të kërcënuar votuesit e Dibrësnë masakrën zgjedhore të shtatorit 2016.

Me siguri e mbani mend fare mirë që ishte prologu dhe prova gjenerale për skemën që u aplikua në gjithë vendin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në kuadër të këtyre të fundit, pra, të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, siç është dëshmuar, jo vetëm nga Emiliano Nuhu gjatë intervistës së tij me kolegun tuaj Basir Çollaku, por edhe nga burime të tjera, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Elbasanit, kanë dhe disponojnë prova ligjore dhe faktike të përfshirjes në të njëjtat transaksione kriminale, të të paktën dy eksponentëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit, kryedeputetit të Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të grupit Parlamentar, Taulant Ballës, dhe Qazim Sejdinit.

Megjithatë, mendoj se në kuptimin e jurisë së opinionit publik, të gjitha këto fakte dhe prova, sado të përpiqen t’i varrosin apo akoma më keq, t’i tjetërsojnë, plotësojnë mozaikun e shpalosur edhe nga vetë Dosja Hetimore 339 dhe vetëm sa e rëndojnë verdiktin, konkluzionin, përfundimin në të cilin ka arritur çdo shqiptar, i djathtë opozitar, apo i majtë, por, po kështu, opozitar me planin ogurzi të kriminalizimit të Partisë Socialiste – atë që ju thashë në fillim, kemi të bëjmë me një strategji të mirëfilltë të Edi Ramës, të vënë në jetë dhe të zbatuar të paktën një vit para zgjedhjeve, menjëherë pas zgjedhjeve të Dibrës, me qëllim që, përmes bashkëpunimit me bandat e krimit të organizuar dhe derdhjes së miliona eurove të pista, të drogës, të krimit, të trafiqeve të qenieve njerëzore dhe të korrupsionit qeveritar, të shkatërrojnë procesin elektoral.

Kjo ka sjellë një qeveri jo të zgjedhur nga populli, por të zgjedhur nga kriminelët, dhe që sot e kësaj dite punon për kriminelët dhe mbrojtjen e tyre dhe të politikanëve të ekspozuar, të provuar me lidhje kriminale.