Skandali, nuk ka festa për invalidët dhe të papunët

    428
    Sigal

    Shtresat në nevojë, në pritje të “çeljes” së buxhetit për të ngrënë bukë

    Të gjithë invalidët dhe të papunët, shtresat më të varfra dhe më fatkeqe të popullsisë nuk do arrijnë të festojnë për festat e fundvitit. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj me deklaratën e tij se “të gjitha pagat e prapambetura për ndihmën ekonomike dhe invalidët do të shpërndahen të plota nga muaji janar”. Është bërë e zakonshme që në vitet e fundit, pagesat e PAK të vonohen me javë, muaj dhe të shtyhen për buxhetin e vitit pasardhës. Invalidët kërkojnë ndërmarrjen e masave për shpërndarjen e pagesave të tyre, të cilat kanë muaj pa i marrë. Situata po bëhet kritike, pasi me këto lekë kjo shtresë e diskriminuar, ha bukë dhe siguron ilaçet modeste për sëmundjet që kanë. Kjo kategori deri më tani nuk ka marrë asnjë qindarkë, dhe ndërsa sipas Veliaj, do fillojë shpërndarja e pagesës për invalidët në shkallë vendi, kujdestarët janë të shqetësuar për mungesën e marrjes së parave për punën dhe përkushtimin e tyre ndaj familjarëve apo të afërmve. Mungesa e informacionit nga ana e qeverisë ka sjellë probleme dhe shqetësime në radhët e personave me aftësi të kufizuara dhe të afërmve të tyre. Gazeta “Telegraf” ka muaj që denoncon të gjitha padrejtësitë që i bëhen kësaj shtrese në nevojë, duke shprehur, përveçse mbështetjen për ta, por edhe nevojën për ngritjen e një grupi pune në mënyrë që të identifikojë edhe abuzuesit e skemës së pagesave PAK, të cilët me patjetër duhen vënë para drejtësisë. Sipas vetë ministrit Veliaj nga 160 mijë invalidë, 20% janë mashtrues dhe nuk e meritojnë të marrin ndihmë ekonomike. Në fakt ky është një problem më i madh se kaq, se nëse për të kryer pagesat e PAK duhen jo më shumë se 3 milionë dollarë, sipas PD-së, atëherë 600 mijë euro në muaj futeshin padrejtësisht në xhepat e këtyre mashtruesve, pjesë të pushtetit vendor apo dhe atij qendror. Pra, dëmi që i bëhet shtetit shqiptar në një vit, llogaritet në 7 milion euro, dëm i konsiderueshëm ky për një vend kaq i varfër sa ç’jemi ne, ku invalidët dhe të papunët, përveç fatkeqësisë, duhet dhe të diskriminohen nga vetë shteti i tyre.

    Veliaj: Nga janari do merren pagat e plota dhe të prapambetura

    Të gjitha pagat e prapambetura për ndihmën ekonomike dhe invalidët do të shpërndahen të plota nga muaji janar. Deklarata u bë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj i ftuar në studion e emisionit “Koha për tu zgjuar” në televizionin “News 24”. “Pagesa e invaliditetit është një problem i trashëguar. Me tu çelur buxheti në janar, familjet me ndihmë ekonomike dhe invalidët do të marrin 100% të shumës dhe prapambetjet”,- deklaroi Veliaj. Ai u shpreh se kanë filluar të merren masa për të pastruar skemën e ndihmës ekonomike dhe atë të invaliditetit nga mashtruesit. Sipas ministrit Veliaj nga 160 mijë invalidë, 20% janë mashtrues dhe nuk e meritojnë të marrin ndihmë ekonomike. Ai shpjegoi se po vihen në praktikë programe pilot për pastrimin e listave të personave që marrin ndihmë ekonomike apo pension invaliditeti nga ata që nuk e meritojnë të jenë në këto lista. Programet kanë filluar të vihen në praktikë në Elbasan dhe Durrës. Veliaj sqaron se do të bëhen kallëzime në prokurori për këdo që ka bërë shkelje. Sipas tij me skemën ekzistuese janë bërë shkelje të mëdha dhe personat përgjegjës do të shkojnë në burg. Ministri Veliaj ka sqaruar se ndihma ekonomike dhe pensioni i invaliditetit nuk do të jepet më nga qeveria lokale. Sipas tij dhënia e këtyre pensioneve është përdorur për qëllime politike. “Kjo çështje, mëkat të politizohet. 6000 invalidë janë shtuar vetëm gjatë zgjedhjeve”,- deklaroi ministri.

    Abuzimi me PAK, SHSSH kallëzim penal për Komisionin Mjekësor

    Shërbimi Social Shtetëror ka depozituar në Prokurorinë e Elbasanit një kallëzim penal për anëtarët e Komisionit Mjekësor. Shërbimi Social Shtetëror sqaron se kallëzimi është bërë me motivacionin e shpërdorimit të detyrës nga ana e Komisionit Mjekësor, pasi është abuzuar me pagesat e invalidëve. Sipas SHSSH, 159 persona kanë marrë në mënyrë jo të rregullt pagesën, dhe se ka shumë mangësi në dosje. SHSSH bën përgjegjës disa nga punonjësit në Labinot-Fushë, si dhe mjekun e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve Sociale.

    PD: Qeveria “Rama” i harroi invalidët dhe të papunët

    Partia Demokratike ka akuzuar dje qeverinë se ka harruar invalidët dhe të papunët. Referuar deklaratës së ministrit Veliaj se pagesat e prapambetura për invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike do të merren në muajin janar, PD deklaroi se për personat në nevojë duheshin vetëm tre milionë euro. “Sot, kryeministri Edi Rama konfirmoi sot zyrtarisht se personat me aftësi të kufizuar, të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjiket, personat në nevojë dhe ata që marrin asistencë ekonomike për papunësinë, nuk do të festojnë as krishtlindje, e as vitin e ri. Qeveria si asnjëherë më parë në këtë vend, u mohoi atyre festën duke mos u dhënë shpërblimin që u takon e me të cilin ata jetojnë”,- deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi. Sipas Vokshit lajmin e dha ministri Erion Veliaj sot. “Me një gjakftohtësi absurde kriminale, kur tha se pagesat e prapambetura do të merren vetëm nga janari 2014. Po bëhen tre muaj që kjo kategori në nevojë e shoqërisë tonë nuk merr asnjë nga pagesat që ju takojnë. Administrata e Ramës gjeti më shumë se 4 miliardë lekë në buxhet të destinuara pikërisht për të kryer këto pagesa. Nevojiteshin vetëm 2 ose 3 milionë dollarë për të mbuluar këtë zë deri në fillim të vitit të ardhshëm”,- deklaroi Vokshi.

    Çfarë bëri qeveria Rama?

    Sipas deputetes së PD-së me rishikimin që i bëri buxhetit kryeministri Rama harroi të parashikonte një buxhet për personat me aftësi të kufizuara. “Duke e zhytur vendin në borxhe, thjesht harroi të parashikonte vetëm 2-3 milionë dollarë për të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët apo për të papunët nga plot 220 milionë dollarë që mori borxh. Qeveria harroi personat me aftësi të kufizuara dhe të papunët, por nuk harroi të akordonte fonde për shpenzimet e kryeministrit, të ministrave, për udhëtime, dieta e rregullime zyrash, etj. Qeveria u zhyt në luks, por i doli nga mendja të jepte, nga 220 milionë dollarë, vetëm 3 milionë për personat me aftësi të kufizuar dhe të papunët. Kjo vërteton edhe njëherë papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e kësaj qeverie”,- theksoi ndër të tjera deputetja e PD-së. Partia Demokratike deklaron se dënon fuqishëm këtë akt të turpshëm të qeverisë dhe i kërkon Ramës të rishikojë vendimin dhe të kryejë sa më shpejt detyrimet që ka ndaj shtresave në nevojë.