Skandali në shëndetësi, shet shtëpinë për të shpëtuar gruan

    533
    Sigal

    Qytetari Xhevahir Ahmetlli pyet ministrin e Shëndetësisë: Zoti ministër! Unë kisha një shtëpi, e shita dhe shpëtova gruan. Po qiraxhinjtë, të vdesin?!

    Sistemi ynë i kalbur shëndetësor në rastin më të mirë të shet shtëpinë, ndërsa në rastin më të keq të merr jetën. Neglizhenca e mjekëve të familjes, si dhe lidhja e mjekëve të QSUT-së me spitalet private përbën skandalin e radhës në sistemin tonë shëndetësor. Denoncimi vjen nga qytetari Xhevahir Ahmetlli, i cili ka treguar për gazetën “Telegraf” matrapazllëqet që bëhen në kurriz të qytetarit shqiptar, i cili shpesh, në pamundësinë ekonomike e paguan me jetë. Z. Ahmetlli denoncon mjekun e familjes, kardiologun Loni Pepo në Qendrën Shëndetësore nr.4 për neglizhencë, si pasojë e së cilës për pak humbi gruan e tij. Ai mendon se mjeku kardiolog duhet të ketë 3 cilësi:1. të jetë njeri humanitar; 2. të jetë specialist i formuar; dhe 3. të jetë punëtor i palodhur. Z. Ahmetlli i thotë ministrit të Shëndetësisë se nëse nuk ka mjek me këto cilësi në qendrën nr.4, komuniteti nuk ka fare nevojë për të. Ai denoncon gjithashtu dhe paradokse të tjera të sistemit tonë shëndetsor, duke i bërë thirrje ministrit Beqja që të ndërhyhet sa më parë,  pasi aktualisht,  po bëhen pazare me jetën e njerëzve.

     Po kush është Xhevahir Ahmetlli

    Xhevahir Ahmetlli është një banor i Njësisë Nr.9. Ka ardhur në Tiranë për një jetë më të mirë në vitin 2000, duke lënë shtëpinë e tij në fshatin Menkules të Devollit (të cilën nuk e zotëron më). Së bashku me të shoqen si pensionistë që janë dhe me probleme shëndetësore, sollën edhe dokumentacionin e nevojshëm për mjekime dhe i dorëzuan në klinikën nr.4. Mjeku që ka ndjekur ecurinë e sëmundjeve të tij dhe të së shoqes ka qenë mjeku kardiolog Loni Pepo. “Dihet se ne të vjetrit vuajmë më shumë nga tensioni, zemra dhe sëmundjet e mushkërive, prandaj edhe takimet e shpeshta i kemi patur me kardiologun. Si unë dhe gruaja kemi marrë për 15 vite atenolol, shkarkues, adelat dhe ndonjë medikament tjetër pa vlerë shëruese”, shprehet z. Ahmetlli. Ai tregon se edhe pse shpesh janë ankuar për shqetësimet që ndjenin, sidomos e shoqja, te mjeku kardiolog Loni Pepo, ata janë hasur me indiferencën e tij. Sipas z. Ahmetlli, vizitat e mjekut, në të shumtën e rasteve kanë qenë formale dhe që në fund sollën pasoja shumë të rënda për gruan dhe familjen e tij.

     Historia, mjeku kardiolog Loni Pepo nuk përmbush detyrën e tij

    Një mjek familje pasi ekzaminon dhe ekzekuton të gjitha ekzaminimet laboratorike dhe anamnezën, duhet t’i përkushtohet pacientit të tij. Ai ka përgjegjësinë për të ndjekur nga afër ecurinë e sëmundjeve që prekin moshën e tretë. Madje mjeku i familjes ka për detyrë që në raste urgjencash, të shkojë të bëjë vizitën mjekësore në shtëpinë e pacientëve. Por mjeku kardiolog Loni Pepo nuk kryen asnjë nga këto detyra, për të cilat paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Në dhjetor të vitit 2013 gruaja e z. Ahmetlli kaloi parainfarkt dhe u shtrua në Urgjencën e kardiologjisë në QSUT, nën kujdesin e mjekes kardiologe Anida Veveçka, të cilën e falenderon për humanizmin e saj. Pas daljes nga Urgjenca, doktoresha Veveçka i ka dhënë me vete, për t’ia dhënë mjekut kardiolog të lagjes, analizat, EKG-në dhe mjekimet e kryera në Urgjencë, pasi, sipas saj, zonja e Ahmetlliut kishte probleme me zemrën dhe në çdo moment duhej të ishte nën kontrollin e mjekut.

    z. Ahmetlli tregon se pasi ia paraqiti të gjitha këto mjekut Loni Pepo, ai vetëm i pa dhe si gjithmonë u tha: “S’ka problem. Gruaja është mirë!”. Po historia nuk mbaron këtu, se nga mospërmbushja e detyrës së mjekut Pepo, gruaja e Ahmetlliut në 25 korrik 2014, pra, pas 6 muajsh, u godit nga një infarkt akut, sipas diagnostikimit të Urgjencës së Kardiologjisë në QSUT.

     Mjekët e QSUT-së i “këshillojnë” spitalin privat për të shpëtuar jetën e gruas

    Mjekët e Urgjencës e paraqitën gjendjen shumë alarmante dhe nëse gruaja nuk shkonte në një klinikë private, mund të vdiste brenda dy orësh. Mjekët e QSUT-së nuk i dhanë asnjë shpresë për të shpëtuar dhe “ndihma” e vetme e tyre, sipas Ahmetlliut, ishte ndërmjetësimi për një nga spitalet private. “Tani çdo gjë ishte private, shteti mbaroi punë. Ndërsa për të përballuar shpenzimet, unë duhet të shisja atë shtëpi në Menkulas që me shumë mund e djersë e kishim ndërtuar. Tani ika përfundimisht nga fshati, unë, djemtë dhe nipat e mi”, shprehet qytetari i trishtuar.

     Spitali privat rrjep qytetarët

    “Makina e urgjencës erdhi për 10 minuta – 80.000 lekë

    Analiza e koronares për 20 minuta – 800 000 lekë

    Puna e mjekut për 1 orë – 1 800 euro

    U vendosën 2 unaza për 40 minuta – 2 400 euro

    Mjekimi dhe analiza të ndryshme e çuan shifrën në 10.350.000 lekë të vjetra, aq sa unë shita edhe shtëpinë në fshatin tim të lindjes”, thotë z. Ahmetlli, i cili e pyet ministrin e Shëndetësisë: “Pse duhet t’i merrnin ato lekë spitalet e huaja private? Qeveria juaj mbylli shumë universitet private për shkelje të panumërta. Çfarë po bëni ju me këto spitale private që po rrjepin popullin tonë? Edhe ju e dini që këto spitale vetëm të huaja nuk janë, se pronarët e vërtetë janë shqiptarë që lëvizin si hije të zeza në korridoret e spitaleve. Z. Ministër, qëndrova disa ditë në spitalin privat dhe nuk dëgjova asnjë mjek apo infermier të fliste në gjuhë të huaj, por vetëm shqip, sipas krahinave të ndryshme shqiptare. Z. Ministër pse i lini këto spitale matrapazësh të rrjepin popullin shqiptar? Këtu kërkojeni korrupsionin!”.

     Mungesa e shërbimit shëndetësor në qendrat shëndetësore gjatë verës

    Edhe pas daljes nga spitali privat, Xhevahiri përballet sërish me indiferencën e mjekut të familjes në qendrën shëndetësore nr.4. Mjeku kardiolog Loni Pepo i është përgjigjur qytetarit se në shtator do t’i bënte kontrollin gruas së tij pas kërkesës që qytetari i ka bërë mjekut për t’ia vizituar gruan e sëmurë. “Z. Ministër, çfarë humanizmi është ky qëndrim i këtij mjeku kasap? A pret dot gruaja ime që të kthehet Leni nga pushime?”, pyet ministrin qytetari.

     Të sëmurët me zemër nuk përfitojnë rimbursim të barnave

     Edhe pse drejtori i ISKSH-së Astrit Beci është shprehur se “Të sëmurët me tumor, apo dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare është kategoria e pacientëve që do të përfitojnë më shumë nga lista e re e barnave të rimbursueshme”, e vërteta është krejt ndryshe. Xhevahir Ahmetlli shprehet se për sëmundjen e gruas duhet të paguajë 100 000 lekë të vjetra për barnat në muaj. “Kemi paguar për 40 vjet sigurime shëndetësore, por Leni thotë se këto barna nuk i paguan shteti” thotë qytetari i irrituar.

     Këshilla për ministrin e Shëndetësisë

     “Një këshillë kam për ju si ministër, si njeri që keni mundësinë të bëni diçka për ne të moshuarit, se nuk do na keni dhe për shumë kohë nëpër këmbë. Kujdes me spitalet dhe ato shtetërore, se po na rrjepin të gjallë. Jam 77 vjeç dua të rroj edhe disa vjet, por jo kështu, me mjekë që jo vetëm nuk e njohin humanizmin, por nuk kryejnë as detyrën për të cilën paguhen. Këtu dua të them një shprehje të Dritëroit të madh, me të cilin kam lidhje gjaku “shpendi që preferon kënetën nuk është pëllumb, por buf kënete”. Më vjen keq ta them, por edhe shëndetësia jonë është një kënetë që do shumë të pastrohet. Denoncimi im nuk ka asnjë qëllim politik, por dëshpërimin e madh për atë që shohim çdo ditë dhe që po e vuajmë. Unë sot humba një shtëpi, po fitova jetën e gruas. Po nesër çfarë të shes për të marrë shërbimin e duhur shëndetësor?! Po ata që s’kanë shtëpi dhe janë me qira, duhet të vdesin?”, pyet Xhevahiri Ministrin Beqja.