Skandali. Në Elbasan, veteranët e pensionistët vuajnë për ilaçe

    403
    Sigal


    Mjekët e lagjeve tallen dhe nuk u japin receta të rimbursueshme, të moshuarit sorollaten me dit të tëra

    Veteranët dhe shumica e pensionistëve invalidë në qytetin e Elbasanit po vuajnë pasojat e një udhëzimi që u limiton mjekëve të Qendrave Shëndetësore në lagje, sasinë dhe llojin e medikamenteve për këto kategori. Qindra veteranë të këtij qyteti, po përballen me sjelljet brutale dhe mungesën e etikës së mjekëve në lagjet dhe Qendrat e tyre Shëndetësore, pasi nuk arrijnë të marrin receta me ilaçe të rimbursueshme cilësore, por me ilaçe të cilat jo vetëm nuk janë të efektshme por shpesh edhe të skaduara. Prej afro një muaji, nga Ministria e Shëndetësisë ka dalë një udhëzim drejtuar gjithë Drejtorive të Shëndetit Publik, për t’iu deleguar Qendrave Shëndetësore “sasinë e limituar të medikamenteve për kategorinë e pensionistëve, veteranëve dhe invalidëve”. Kjo ka sjellë kaos dhe debate të forta mes palëve, pasi këtë muaj atyre u është tjetërsuar receta, e cila përmban ilaçe jo cilësore dhe shpesh të skaduara dhe pa asnjë efekt për diagnozën që ata kanë. Mjaft veteranë dhe pensionistë që kanë vite që mjekohen u shprehën për “Telegraf” se po i sorollatin pa asnjë arsye, duke i’ u kërkuar verifikimin e librezës së veteranit, invalidit, vërtetime dhe shkresa të panevojshme vetëm e vetëm për t’u dhënë receta me ilaçe të panevojshme dhe pa asnjë efekt. Sipas tyre, edhe paraqiten për tu ankuar, përgjigjet e tyre janë pa etikë, ku në disa raste u përplasin derën në fytyrë”. Shërbimi mjekësor në shumicën e Qendrave Shëndetësore në Elbasan, vlen për të dëshiruar, duke nisur nga orari punës, mangësitë e shërbimit, marifetet korruptive dhe mungesa e mjediseve të papërshtatshme higjeno-sanitare. Shpesh në Qendrat Shëndetësore të Elbasanit, mungon shërbimi mjekësor, pasi edhe reparti mjekimeve nuk ka asgjë për të kryer punën e saj infermierja. Mungon jodi, alkooli, pambuku, fashat, shiringat, etj. Por sikur të mos mjaftonte kjo, në këto Qendra Shëndetësore, mungon edhe prania e mjekëve që shpesh krijojnë radhë të gjata me njerëz të moshave të ndryshme, të gjithë hallexhinj. Dhënia e recetave dhe ilaçeve të cilat gjenden në listën e gjatë të atyre që rimbursohen, mbetet detyrim i mjekëve në Qendrat Shëndetësore, ashtu siç nuk është detyrë dhe e drejtë e tyre të verifikojnë librezat e veteranëve, dhe ti pyesin ata “sa beteja ke bërë ti me gjermanët dhe ballistët kur ishe në luftë”. Kjo është tallje dhe fyerje që u bëhet pjesës më elitare të shoqërisë shqiptare, atyre që u rreshtuan qysh në moshë të vogël në rreshtat partizane, luftuan dhe punuan edhe për 50 vjet, dhe sot shpesh edhe përbuzen. Komiteti Veteranëve të LNÇ Elbasan, kërkon nga Drejtoria e Shëndetit Publik, të reagojë dhe të ndalojë veprimet antihumane dhe antinjerëzore të ndonjë mjeku lagjeje që tenton të tallet, përbuzë dhe denigrojë njerëzit më të nderuar të këtij vendi, siç janë veteranët. Ky komitet kërkon nga Drejtoria e Shëndetit Publik Elbasan, “të marrë masa ligjore ndaj çdo mjeku dhe infermieri që tenton dhe guxon të mos japë shërbimin e nevojshëm shëndetësor ndaj çdo pensionisti dhe veçanërisht veteranëve, në të kundërtën, çdo drejtues do të quhet palë me mjekun e papërgjegjshëm”. Qendrat Shëndetësore në lagje dhe komuna, ndoshta duhet të jenë pikënisja e reformave të thella që kanë në projekt të nisin drejtuesit e Ministrisë Shëndetësisë, duke nisur nga stafet e mjekëve, infermiereve dhe duke u ndalur edhe tek drejtuesit që tolerojnë dhe nuk dinë ti japin zgjidhje problemeve të shumta që kanë çdo ditë me qytetarët.

    Ben Delimeta