Skandali me të sëmurët me tiroide, spitalet nuk u afrojnë shërbimin

    349
    Sigal

    TIRANË,BERAT- Spitalet nuk furnizohen me lëndën e parë(kite), mjekët i çojnë në laboratorët privatë

     Të sëmurët nga gjëndrat tiroide të Beratit dhe të Tiranës nuk kanë mundësi që të bëjnë analizat laboratorike pasi mungon lënda e parë (kite), ndërkohë që, mjekët i dërgojnë pacientët tek laboratorët privat. Burime të sigurta për “Telegraf” pohojnë se, kjo nuk është thjeshtë një harresë, por një skandal me prapavijë të qartë interesash nga lobe të sektorit të shëndetësisë. “Jo vetëm në Tiranë, e në Berat, por dhe në rrethe të tjera ndeshen praktika të tilla. Lobet e interesuara, e çojnë direkt lëndën e parë (kite) tek privatët pasi aty i marrin lekët në dorë. Por dhe mjekë që kanë klinika private, e furnizues (sigurisht pjesë e lobeve në shëndetësi) janë të interesuar që lënda e parë të shkoj tek private, pasi aty është përfitimi maksimal i tyre”,- shtojnë burimet për “Telegraf”. Në këto kushte, pacientëve në spitalet shtetërore nuk u afrohet ky shërbim, ndërkohë që përcillen në klinikën private ku duhet të paguajnë nga 6 mijë lekë të reja.

    BERAT

    Mungesa e një laboratori shtetëror në spitalin Rajonal të Beratit, ka sjellë shqetësime të mëdha tek të sëmurët që vuajnë nga gjëndrat tiroide. Shumë pacientë që shkojnë tek mjeku specialist për ndihmë mjekësore, janë të detyruar që të kryejnë analizat tek laboratori privat, kundrejt një shume 6 mijë lekë të reja. Kjo pasi ky shërbim nuk u bëhet në spital, janë vetë mjekët që i rekomandojnë tek privatët. Sorollatja përballë këtij skandali si dhe pamundësia për të paguar tarifën e ‘kripur’ tek privatët, pacientët shprehen të indinjuar. “Na thanë që do të jetë shërbimi shëndetësor falas, po ku është. Këtu në spital na thonë që nuk mund të bëjmë analiza. Na çojnë tek private, ku duhet të paguajmë 60 mijë lekë. Po unë nuk kam. Jetojmë vetëm me asistencë se jemi pa punë. Nuk di çfarë bëhet me ne kështu”-pohon për “Telegraf” Servet Çaushi, 56-vjeç. Qarku i Beratit ka 256 mijë banorë dhe është paradoksale një situatë e tillë.

    Është domosdoshmëri urgjente që të ndërhyhet nga ministria për të frenuar këtë abuzim, në mënyrë që të funksionojë laborator në spitale, e pacientët të mos boshatisin xhepat tek klinikat private

    TIRANË

    E njëjta situatë paraqitet dhe në Tiranë. Po për të njëjtat shkaqe, pacientë të shumtë që vuajnë nga tiroidet, për shkak se nuk bëhen analizat në laboratorë, janë të detyruar të shkojnë tek privatët. “Është një problem që dihet, një mekanizëm që funksionon prej kohësh. Ky abuzim bëhet nga lobet e që drejtojnë e komandojnë furnizimet me medikamente. Ata janë lidhur me segmente në strukturat e larta shtetërore të shëndetësisë, ne importues të medikamenteve, farmacistë, drejtues të spitaleve e deri mjekë. Nuk është vetëm rasti I mësipërm. Ka dhe shërbime të tjera shëndetësore të pacientëve që funksionojnë me të njëjtin mekanizëm që rëndon mbi shëndetin dhe xhepat e pacientëve. Nëse Ministria e Shëndetësisë e ka seriozisht, nuk e ka të vështirë të bllokoj e ndëshkoj këto lobime interesash që veprojnë në fushën e shëndetësisë”,- shtojnë burimet për “Telegraf”