Skandali me pronat në Elbasan, familjarët denoncojnë grabitjen e trashëgimisë

    691
    Sigal

    17 vjet gjyqeve për pronën e ligjshme prej 31 mijë m2, e barabartë me 6.2 milionë euro

    Një tjetër skandal është zbuluar dhe denoncuar nga qytetarët lidhur me grabitjen e pronave, truallit dhe trojeve të ish-pronarëve në Elbasan. Sipas familjarëve të familjes Osmanaj (Çollaku) dhe Gripshi, “skandali me pronat e familjes sonë, të quajtura “Arat e Gjata”, prona e trashëguar nga gjyshërit tanë, ka nisur 17 vjet më parë, kur bashkia e asaj kohe dhe Komisioni Kthimit Pronave, Hipoteka dhe zyrtarët e institucioneve të shtetit, duke bashkëpunuar me persona që nuk kishin lidhje fare me pronat tona, nisën falsifikimin dhe grabitjen e mijëra metrave truall, në ullishte, arat e gjata, në fshatin Jatesh dhe shumë vende të tjera, ku shtrihen pronat tona”. Të ndodhur para sfidave të tilla dhe sorollatjeve familja Gripshi dhe Osmanaj, nisën odisenë e gjyqeve, trokitjeve në dyert e bashkive, komunave, Hipotekave dhe KKP, duke marrë prej anden nënqeshje dhe mashtrime. Trojet e tyre, nisën të tjetërsohen, sipas dëshirave të zyrtareve dhe sekserëve të tyre, madje, duke i regjistruar edhe në Hipotekë. Ortakë në grabitjen e mbi 31 mijë metrave katrore truall, u bë sipas deklaratave që kanë dhënë familjarët e cenuar, Prokuroria e Elbasanit dhe Gjykata, noterët dhe avokatët. Ata bashkëpunuan ngushtësisht me sekserët dhe zyrtarët që nisën grabitjen e trojeve të ish-pronareve. Sipas dëshmive të trashëgimtarëve të familjeve Çollaku, Osmanaj dhe Gripshi: “Gjyqtarët, noterët dhe prokurorët e rrethit të pas vitit 2000, nuk ndërmorën asnjë hap ligjor, nuk hapën asnjë çështje penale ndaj grabitësve të trojeve tona, duke u bërë palë me ata, që grabitën pronat tona”. Dosjet e mbushura me denoncime, familja Gripshi dhe Osmanaj, e ka nisur tashmë drejt zyrës së Kryeprokurorit Llalla, duke mos ngurruar të deklarojnë se: “Dosjen tonë ashtu si qindra dosje do ta nisim drejt Strasburgut”. Sipas llogarive, dy familjeve Çollaku dhe Gripshi i janë grabitur deri tani mbi 31 mijë metra katrore troje, prona të ligjshme, plus dëmeve financiare, e barabartë kjo me vlerën e rreth 6.2 milion eurove. Ata me të drejtë pyesin se, kush do ta paguajë këtë faturë, ish-kryetarët e bashkive, ish-shefat e KKP, ish-drejtuesit e Hipotekës, apo ish-prokurori dhe gjyqtaret e molepsur në grabitje pronash ne Elbasan. Kjo pyetje i shtrohet gjithë atyre që kanë marrë sipas përfaqësuesve të familjes Çollaku, Osmanaj dhe Gripshi “damkën e grabitjes së pronave tona”. Ata u shprehën se: “ asnjëherë nuk jemi përkrahur nga zyrtarët e shtetit, asnjëherë, nuk jemi vlerësuar kur kemi trokitur dhe denoncuar shkeljet ligjore, as në Hipotekë, as në Gjykatë dhe Prokurori, pasi ata ishin mbrojtësit e grabitësit të pronave. Kryeministri dhe Kryeprokurori Llalla, Presidenti Nishani, duhet të nisin pa asnjë vonesë operacionet e ndëshkimit ndaj atyre që prej 17 vitesh kanë kryer grabitjen e pronave tona dhe jo vetëm të familjes tonë, por edhe të dhjetëra familjeve fisnike të Elbasanit”. Në gjithë këto vite, ish-pronarët e Elbasanit (dhe jo vetëm ata) janë sorollatur, fyer dhe poshtëruar nga bashkiakë, noterë falsifikatorë, regjistrues pronash prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët janë bashkëpunëtorë të rrjetit zinxhir të vjedhjes së pronave. Vetëm nga llogaritja e grabitjes së 31 mijë metrave katrore truall dëmi shkon në 6.2 milion euro, por a llogaritet vallë sa mund të shkojë dëmi financiar i grabitjes së qindra mijëra metrave katrore dhe hektarëve të tjetërsuara dhe grabitura nga zyrtarët e kollarisur dhe që sot pas pisllëqeve kanë blerë vila jo më në bregdetin tone, por në Spanjë, Kanada e SHBA-të janë shprehur përfaqësues të dy familjeve elbasanase.