Skandali me dy shoferët e MPJ, përballë 70 mijë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë

    430
    Sigal

    Në shkollat greke studiojnë 69 mijë e 880 femijë të emigrantëve shqiptarë

     

    Shpëtim Zinxhiria, Koorenspondent i “Telegraf”  në Athinë

     

     

    Ditën e premte më 18 nëntor pritet të dalin para gjykatës
    në Athinë dy shoferë Altin Tafa dhe Agim Asllani të Ministrisë së Jashtme të
    Shqipërisë, të cilët u arrestuan më 14 nëntor në qytetin e Janinës, pasi
    transportonin libra shqip. Ata u ndaluan nga policia greke me akuzën për
    transportim të materialeve propagandistike dhe për cënim të marrëdhënieve mes
    dy vendeve. Por, në gjendje të lirë pas katër ditësh ata janë thirrur për
    paraqitje pranë gjykatës së Athinës me akuzën e shpërndarjes së librave shqip.
    Mësohet, se njeri prej shoferëve ishte pajisur me pasaportë diplomatike ndërsa
    tjetri ishte hera e parë që hynte në Greqi. Theksohet, se materialet po
    transportoheshin prej dy të ndaluarve nuk ishin të vulosura dhe rrjedhimisht
    nuk konsideroheshin pako diplomatike, por as nuk kishin asnjë dokument shoqërues
    të Ministrisë së Jashtme shqiptare, ndaj, sipas palës greke, konsiderohet
    kundërvajtje.

    Çudia më e madhe

    Çudia më e madhe është, se e njëjta mënyrë transporti po
    bëhet për 20 vjet resht dhe sot, pikërisht, konsiderohet transport i paligjshëm
    dhe materiale propagandistike dhe cënim marrëdhëniesh midis dy vendeve. E
    gjithë kjo zhurmë, bëhet në një kohë që siç dihet në shumë shkolla greke
    zhvillohet në mënyrë të ligjshme mësimi i gjuhës shqipe. Por mbi të gjitha kjo dukuri
    nuk duhet anashkaluar, në një kohë që shteti shqiptar në këtë drejtim ka bërë
    pak ose aspak.
    Nuk kemi parë një
    marrëveshje të mirëfilltë nga shteti shqiptar për hapjen e shkollave shqipe në
    Greqi si shkolla dygjuhëshe, aq sa modeli i shkollave interkulturale dygjuhëshe
    në Greqi është vetëm një teori e suksesshme. Ndalimi i dy shoferëve nuk është
    rastësi, ashtu si nuk është rasti transporti i librave të gjuhës shqipe gjatë
    20 viteve të fundit. Burime nga PMJ në Shqipëri bëjnë bëjnë me dije, se dy shoferët,
    nëse do të gjykohen nuk do të jenë të pranishëm gjatë seancës të gjyqit në
    Athinë.

     

    Fati i
    librave?

    Një problem mbetet edhe fati  i 1500 librave dhe abetareve në një kohë që i
    lanë të hyjnë në doganën në Kakavijë dhe i ndalojnë pas disa kilometrash, në
    Janinë. Burimet zyrtare pranë MPJ bëjnë fjalë se ato ende ndodhen në ambientet
    e policisë greke. Fakti është se asgjë nuk bëhet në mënyrë ilegale, madje
    përveç ambienteve në shkolla është pushteti vendor grek që ka mirëpritur këtë
    iniciativë të shqiptarëve prej shumë vitesh siç është ai i të mësuarit të
    gjuhës shqipe në Greqi.
    Shumica e këtyre klasave, të
    ashtuquajtur shkolla interkulturale janë hapur
    me iniciativa të disa shoqatave të ndryshme në Greqi, në një kohë që mësimi
    bëhet falas, gjithashtu edhe mësuesit janë vullnetarë….

     

    Shkollat shqipe nuk janë të paligjshme në Greqi

    E
    theksojmë me të madhe se duhet të rikujtojmë qeverisë
    aktuale të Greqisë, faktin se, ka qenë vetë ish ministrja e arsimit e qeverisë së
    Karamanlis, Marieta Jianaku, që e ka propozuar këtë lloj mënyrë, duke u bazuar
    në eksperiencën që ka shteti grek me shkollat greke në Diasporë. Ministrja Marieta Janaku ka theksuar
    gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatave shqiptare se, ne mund t’ju japim që
    të shfrytëzoni godinat e shkollave çdo fundjavë, por kur u pyet për problemin e
    librave dhe pagesës të mësuesve ajo u shpreh se, ky është problem që duhet ta
    zgjidhej nga shteti juaj dhe jo ne! Shkolla të tilla ka në Athinë, në disa zona
    të Atikis si Markopulo, Virona, Salamina, në Volos, në Selanik, në Mitilini
    etj. Ekzistojnë mbi 18 shkolla të tilla.
    Por
    çfarë ndryshoi papritur?

     

    Nëse ky veprim
    do të kishte ndodhur në Greqi, do të përbënte një incident

    Nëse ky veprim do të ishte bërë nga autoritetet shqiptare,
    ku të prangoste ndonjë shofer që do sillte tekste te gjuhës greke për
    minoritarët, qeveria helene padyshim do të kishte reaguar si gjithnjë, do të
    përbënte një incident politik që do cënonte marrëdhëniet midis dy vendeve.
    Shqipëria me tone të ulura është munduar ta trajtojë këtë rast ashtu siç i ka
    hije një vendi që tenton të integrohet në BE, duke mos u pajtuar me veprimin
    fundit të vendit fqinj, i cili jo vetëm është anëtar i BE për më shumë se 35
    vitesh, por është vendi ku lindi dija, arti, kultura dhe mbi të gjitha
    Demokracia.

     

    Studimet
    që frikësojnë helenët!

    Vetëm në vitin 2004 shqiptarët zotëronin 63.2% te lejeve të
    banimit në Greqi, kurse në shkollat greke studionin 69 mijë e 880 fëmijë të
    emigrantëve shqiptarë, ose 72.4% e numrit të përgjithshëm të të gjithë
    emigrantëve të huaj. Shumë studime greke janë bërë mbi gjendjen edukimit e
    emigranteve, por duke iu referuar studimit me temë       “Edukimi dhe Praktika Interkulturale
    në Greqi, të Dr. Nektario Paleologou në vitin 2000, hedh dritë mbi rritjen 400%
    të numrit të studenteve me kombësi shqiptare (1995-2000) ndërsa në një studim
    të tij tre vite më pas (2003) studentet me kombësi shqiptare në Greqi përbënin
    80% të të gjithë numrit të të huajve. Dr. Nektariu nënvizon, se shoqëria greke
    nuk është e përgatitur të pranojë popullatën e re të fëmijëve të emigrantëve,
    pa shtuar këtu fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi.