Skandali, “mbyten” shqiptarët. Do paguajnë 2 herë më shumë për energjinë

    452
    Sigal

    Rritja e çmimit të energjisë, të premten protesta e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë

    Rritja e tarifës së energjisë elektrike tashmë është fakt. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka marrë përsipër t’u thotë shqiptarëve që nuk do të ketë më çmim të reduktuar të energjisë për 300 kilovatorët e parë që konsumojnë. Për këtë sasi aktualisht paguajmë 7.7 lekë për kilovatorë, ndërsa për pjesën tjetër, 13.5 lekë. Heqja e fashës prej 300 kë penalizon gati 75 % të shqiptarëve të cilët mundohen të mos e kalojnë këtë prag, për të minimizuar në këtë mënyrë shpenzimet mujore. Pra, Qeveria, nuk bën gjë tjetër, por rrit faturat e pagesës së të shqiptarëve që jetojnë nën minimumin jetik, duke i detyruar ata që të derdhin më shumë para për të njëjtën sasi energji të konsumuar. Ndërsa ende diskutohet se sa do të shkojë tarifa e re e energjisë elektrike, qytetarët shqiptarë po bëhen gati të protestojnë fuqishëm, siç parashikohet protesta në Ditën Botërore Kundër Varfërisë, në 17 Tetor, ditë kur do të reagojnë “Kundër Rritjes së Çmimit të Energjisë” në orën 18:00 në sheshet kryesore në të gjithë Shqipërinë. Deri më tani ka shumë mendime sesa do të rritet tarifa e energjisë elektrike, por duke iu referuar fjalës së ministrit Cani, mendohet se kjo tarifë do të jetë diçka midis 7,7 dhe 13,5 lekësh.

    Ja sa do të rritet energjia

    Nëse tarifa e çmimit i energjisë elektrike do të jetë diçka e ndërmjetme midis tarifave që paguan sot konsumatori; 7,7 lekë (për 300 kë) dhe 13, 5 lekë (për konsumin e mëtejshëm), atëherë nëse do të merrnim mesataren e këtyre tarifave, i bie që një konsumator të paguajë një tarifë prej 10,6 lekësh për kilovat/orë ((7,7 +13,5) : 2 = 10,6 lekë). Duke vazhduar më tej, pasi konsumatori paguan dhe TVSH për energjinë, që është 20%, atëherë kjo tarifë do të shkonte në (10,6 x 20 %) + 10,6 = 12,72. Pra, të gjithë konsumatorët do ta paguajnë energjinë me një tarifë prej 12, 72 lekësh. Kjo është një rritje e pasupertueshme për gati 75 % të qytetarëve shqiptarë të cilët mezi arrijnë të mbyllin muajin me të ardhurat e tyre. Z. Kastriot Islami, i cili përpos se përflitet për devijimin e tij politik, njihet gjithashtu edhe si një person që di të bëjë mirë llogaritë. Në një koment të tij në një nga reagimet e shumta në median sociale për rritjen e energjisë elektrike sjell edhe versionin e tij sesa do të rritet energjia dhe sa do të paguajnë personat të cilët nuk e kalonin 300 kë në muaj.

    Rritja e energjisë sipas Kastriot Islamit

    Për të nxjerrë me sa për qind rritet çmimi i energjisë, mjafton të pjesëtohet 13.5 me 7.7 dhe shifra pas presjes dhjetore jep përqindjen e rritjes së çmimit (75 %). Për një pensionist që konsumon 300 KË, nga 2310 lekë (ose 23 mijë e 100 lekë të vjetra) do të paguajë 4050 lekë (ose 40 mijë e 500 lekë të vjetra), pra, 1740 lekë (17 mijë e 400 lekë të vjetra) më shumë…

    Pse heqja e fashës 300 kw, sipas Canit

    Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka marrë përsipër t’u tregojë shqiptarëve se përse do të hiqet çmimi i reduktuar i energjisë pre 7,7 lekësh për 300 kilovatorët e parë që konsumojnë. Qeveria, sipas tij, ka vendosur ta heqë këtë diferencë për shkak se qytetarët ankoheshin nga CEZ dikur dhe vazhdojnë të ankohen edhe nga OSHEE tani, se faturistët spekulojnë me fashën prej 300 kilovatorësh, duke u faturuar më shumë apo edhe se kjo fashë është një objekt vjedhjeje. Ja çfarë tha ai për Zërin e Amerikës: “Kjo fashë prej 300 kilovat/orësh, e cila është me një çmim më të reduktuar në krahasim me përtej kësaj fashe, ka qenë objekt i vazhdueshëm spekulimi, objekt i vazhdueshëm reagimi nga popullsia; me CEZ-in dikur, dhe me OSHE-në tani, pra që njerëzit janë të pakënaqur sepse gjithnjë, me të drejtë apo jo, kujtojnë që, dhe ndoshta nuk e heq që edhe mund të kenë të drejtë, që ata faturuesit spekulojnë me ta dhe i mbifaturojnë. Po kështu, është një objektiv vjedhjeje, e thënë copë në shqip, nga elementë të ndryshëm. Pra, heqja e kësaj, nuk ka parasysh të rrisë çmimin, por ka parasysh që të heqë mundësinë e vjedhjes së këtij grupi njerëzish dhe të sistemimit të ankesave të popullatës”. Heqja e kësaj fashe, për shkak se shteti nuk mund të kontrollojë abuzimet e punonjësve shtetërorë të OSHEE -së që vjedhin e abuzojnë, prek mbi 75 % e familjeve shqiptare.

     E.M

    REAGIMET PËR RRITJEN E ÇMIMIT TË ENERGJISË

     Altin Goxhaj:

     Rritja e çmimit të energjisë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kreut të ZMK-së Altin Goxhaj, në faqen sociale Facebook:

    “Detyrë shtëpie nga klasa e pestë:

    [300 x 7.7) është me e madhe, apo me e vogël se (300 x 13.5)?

    7.7 + X = 13.5, sa është X-i dhe si ndryshojnë raportet në përqindje midis 7.7 dhe X ?

    Pasi ta zgjidhni, çojani një kopje Ed Ramës, se ai i shkreti s’ka bërë kurrë Matematikë, as në Liceun Artistik (1978-1982), as ne Institutin 3-vjeçar të Lartë të Arteve, dega Pikturë Monumentale, pra, pikturim parullash (1982-1985)!

    Edhe në 8-vjeçare në Aritmetikë ka qenë dobët…

    Ndaj ta ndihmojmë, se po ja fusin ai Cani me Gjiknurin dhe po na e rrisin çmimin e energjisë me 80%”.

     Bozdo: Qeveria rrit çmimin e energjisë, penalizohen të varfrit

     Të gjithë qytetarët do paguajnë më shumë pas vendimit për të hequr fashën 300 kë/orë në muaj për shtresat në nevojë. Deklarata u bë nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo. Ai theksoi se do të goditen rëndë të varfrit dhe ata me të ardhura të pakta.

    “Ministri Financave deklaroi nga Uashingtoni se çmimi i energjisë do të rritet. Fasha mbrojtëse deri në 300 kë/orë në muaj për shtresat në nevojë do të hiqet dhe çmimi i aplikuar më pas do të jetë një çmim i mesatarizuar. Sot, shumica e popullsisë shpenzon deri në 300 kë/orë në muaj. Në praktike, kjo do të thotë se të gjithë konsumatorët do të paguajnë më shumë, e në veçanti do të paguajnë ata konsumatorë që shpenzojnë deri në 300 KË. Praktikisht, këta konsumatorë janë shtresat më të varfra e në nevojë të popullsisë, janë pensionistet, të papunët, gratë kryefamiljare, studentet dhe familjet e reja, invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar. Pra, do të goditen rëndë të varfrit dhe ata me të ardhura të pakta”- u shpreh Bozdo. Më tej ai theksoi se ministri i Financave nuk pati guximin ta deklaronte këtë gjë në Tiranë. Ai zgjodhi Ëashingtonin, sepse Kryeministri, por edhe ministrat i kishin garantuar shqiptarët në Tiranë, se çmimi i energjisë nuk do të rritej. “Shqiptarët morën sigurinë e plotë nga Rama se energjia nuk do të preket. Shqiptarët madje morën premtimin nga Rama, para zgjedhjeve, se çmimi energjisë do të ulej ndjeshëm. Sot, pas një viti qeverisjeje, Rilindasit bënë pikërisht të kundërtën, rritën çmimin e energjisë. Fakti është se Rama në opozitë premtoi ulje të çmimit të energjisë, ndërsa sot pasi i ka falur CEZ-it 600 milionë euro, ua faturon këtë gjë familjeve shqiptarë, e veçanërisht të varfërve dhe shtresave në nevojë. Rritja e çmimit të energjisë do të jetë gjithashtu goditje e rëndë edhe për ekonominë, veçanërisht në këtë recesion që e ka mbërthyer atë”, tha Bozdo.

    Biznesi kërkesë qeverisë, Jaka: Mos rrisni energjinë, formalizoni ekonominë

     Biznesi shqiptar bën apel që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike, pasi kjo do t’i penalizonte duke ndikuar në rritjen e kostove të prodhimit. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka kërkon që të punohet në rritjen e arkëtimit të parave dhe në formalizimin e këtij sektori në mënyrë që të mos penalizohen të ndershmit. “Nëse do të përballemi me një tarifë të rritur të energjisë elektrike do të thotë se do të kemi një rritje të kostos për sipërmarrjen, por njëkohësisht nuk do të këmi asnjë përfitim përveçse penalizimin e pjesës së ndershme që janë prezent në pagesat e energjisë elektrike dhe njëkohësisht stimulimin e asaj pjese që është informale, që është në mospagesën e faturave të energjisë elektrike dhe që nuk janë më të varfrit që nuk paguajnë, por janë ata që abuzojnë me energjinë elektrike” tha Jaka.

    Dhoma Gjermane e Tregtisë: Do ta ndiejë i gjithë biznesi, rritet kosto e prodhimit

     Rritja e çmimit të energjisë elektrike shihet me shqetësim nga biznesi i huaj që operon në vendin tonë. Drejtoresha Ekzekutive e Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Anette Kasten, shprehet për mediat se barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike do ta ndjejnë si bizneset gjermane, ashtu edhe konsumatorët shqiptarë, pasi detyrimisht do të çojë në rritjen e kostos se prodhimit. “Do të thoja që prodhuesit që harxhojnë më shumë energji elektrike janë fabrikat e çimentos dhe ato të përpunimit të hekurit, ndërsa firmat gjermane që janë në Shqipëri punojnë kryesisht në industrinë tekstile, të lëndëve të ndërtimit apo në industrinë ushqimore. Por nëse bëjmë një llogaritje, nëse do të këtë një rritje të çmimit të energjisë, edhe këta do ta ndjejnë. Padyshim, rritja e çmimit të energjisë detyrimisht rritet edhe çmimi i prodhimit dhe në fund të fundit edhe konsumatori do ta ndjejë këtë”, u shpreh znj. Kasten. Sipas Drejtoreshës Ekzekutive të Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Insdustrisë, në situatën që ndodhet sistemi energjitik në Shqipëri është e rëndësishme që qeveria të punojë në balancimin e kostos së prodhimit dhe çmimit të shitjes së saj.