Skandali, lekët e invalidëve shkojnë për shpërblimet e administratës

    457
    Sigal

    Ditë mjerimi, sot, për personat me aftësi të kufizuar, në ditën ndërkombëtare të tyre

    Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar e gjen këtë shtresë në nevojë “të lënë në mëshirë të fatit” nga shteti ynë. Kategoria e njerëzve me aftësi të kufizuar, rreth 149,392 përfitues, por edhe kujdestarët e tyre, nuk kanë marrë prej muajsh pagesën e paaftësisë. Duke qenë se ata janë vlerësuar nga komisionet përkatëse (KMCAP) si të pa aftë për punë, kjo pagesë për ta është e vetmja e ardhur, që kanë për të jetuar. Është bërë e zakonshme që në vitet e fundit, pagesat e PAK të vonohen me javë, muaj dhe të shtyhen për buxhetin e vitit pasardhës. Invalidët kanë kërkuar prej muajsh ndërmarrjen e masave për shpërndarjen e pagesave të tyre. Situata po bëhet kritike, pasi me këto lekë kjo shtresë e diskriminuar, ha bukë dhe siguron ilaçet modeste për sëmundjet që kanë. Kjo kategori, por dhe kujdestarët e tyre, deri më tani nuk ka marrë asnjë qindarkë, ndërsa sipas burimeve nga Ministria e Financave thuhet se po diskutohet mundësia e dhënies së shpërblimit prej 9 mijë lekësh për administratën publike, praktikë kjo e vënë në zbatim që prej vitit 2005, kohë kur qeverisja e djathtë e hoqi pagën e 13 dhe vendosi shpërblimin prej 9 mijë lekësh për çdo punonjës të administratës. Në Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2013 përcaktohet që numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 87 710 punonjës, të cilët përveçse rrogës të cilën e marrin rregullisht çdo muaj, do të marrin edhe 9 mijë lekë shpërblim. Pra, nga buxheti i shtetit do të  “fluturojnë” 789 390 000 lekë të rinj, vetëm për të shpërblyer administratën, ndërkohë që personat me aftësi të kufizuar vuajnë për bukën e gojës, nuk marrin dot ilaçet, gjenden përballë mungesës së shërbimeve; ujë, drita, etj.. Por, një pjese të caktuar të këtyre personave ajo çfarë po u shkakton dhe më shumë problem është dhe përballja me ikjen e kujdestarëve, të cilët si dhe ata, kanë muaj pa u paguar. Por si ka mundësi që në buxhetin e shtetit mund të gjenden lekët për pagesat e shpërblimeve të administratës shtetërore, ndërsa për personat me aftësi të kufizuar nuk ka lekë? Ndërkohë, që me këto lekë, fare mirë shteti mund t’ua lehtësojë pak gjendjen e tyre të vështirë në këtë fundvit. Sot, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, ata që duhet të ndërgjegjësohen më shumë përsa i përket kësaj shtrese janë pikërisht qeveritarët tanë.  Shuma e lekëve që do të shkojë për shpërblimet e findvitit për administratën shtetërore, në vend që të futen padrejtësisht në xhepat e tyre apo të qeveritarëve tanë, pjesë të pushtetit vendor apo dhe atij qendror, duhet të venë pikërisht te kjo shtresë, nevoja e të cilëve sot po këlthet: Në vend të një shpërblimi për veten tuaj, jepni bukë për invalidët, të cilët përveç fatkeqësisë, nuk duhet të diskriminohen dhe nga vetë shteti i tyre!

    Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar

    Në vitin 1992 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi 3 dhjetorin, Ditë Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Qëllimi është, që vëmendja e opinionit shoqëror të përqendrohet mbi jetën e pavarur dhe të vlefshme të njerëzve me të meta mentale dhe fizike. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i tyre tejkalon 1 miliard veta, prapë sipas të dhënave të saj, nga 110 deri në 190 milion prej këtyre njerëzve hasin vështirësi në jetën e përditshme të invalidëve dhe duhet të përballojnë barriera pothuajse në çdo hap. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara parasheh se Shtetet duhet t’ua mundësojnë personave me aftësi të kufizuara të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës. Për këtë ato duhet të marrin masa të duhura për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar, në mënyrë të barabartë me të tjerët, qasje në mjediset fizike, në transport, në informacione dhe komunikime, duke i përfshirë teknologjitë dhe sistemet e informacioneve dhe të komunikimeve dhe në objekte dhe shërbime të tjera që janë të hapura ose që i ofrohen publikut, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale.

     Koncert në TOB i artistëve kinezë me aftësi të kufizuara

    Trupa e artistëve kinezë me aftësi të kufizuara performon sot në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, me rastin e ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. Këtë e bën të ditur në një njoftim për shtyp Ambasada e RP të Kinës. “Trupa e artistëve kinezë me aftësi të kufizuara, pas performimit në mbi 60 vende të botës, më 3 dhjetor në orën 19.00 shfaq në Tiranë koncertin e saj në Teatrin e Operas dhe Baletit” thuhet në njoftim. Bëhet e ditur se Trupa e artistëve kinezë me aftësi të kufizuara po zhvillon për herë të parë një tur ballkanik, ku përfshihet dhe Shqipëria. “Radio e jashtme e Kinës (CRI) është sponsor mediatik i koncertit në Tiranë. Artistët kinezë do të interpretojnë në koncert dhe këngë shqiptare” thuhet në njoftim.