Skandali i sigurimeve, 250 mijë nëpunës, 8 vjet punë të zezë në shtet

    404
    Sigal

    Mbi 250 mijë qytetarë, mes tyre ushtarakë, mjekë, infermierë e mësues, rrezikojnë pensionin. Për 8 vite me radhë, këta zyrtarë janë mashtruar nga shteti, pasi u janë mbajtur paratë për sigurimet shoqërore, por asnjëherë nuk u janë derdhur në arkë.

    Kjo piramidë mashtrimi, e cila ka funksionuar gjatë 8 viteve të shkuara është denoncuar nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili tha se ky borxh prej 109 milionë dollarësh, tanimë duhet të shlyhet nga ministritë dhe institucionet përkatëse. “Në total numri i subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore, për punëtorë të deklaruar shkon në 53 060 të tillë. Në total kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve, nga të cilat 1 407 janë institucione publike buxhetore, kurse 51 653 janë subjekte private”, tha ministri i Mirëqenies, Erjon Veliaj. Por veç ushtarakëve, gardistëve, mjekëve, mësuesve, punonjësve të ALUIZNI-t, vetë punonjësit e Inspektoratit Shtetëror dhe ata të Sigurimeve Shoqërore, kanë rezultuar të mashtruar. “Ministria e Mirëqenies, atëherë quhej Ministria e Punës, për 8 vite nuk paguante sigurimet shoqërore dhe ajo që e bën akoma më qesharake dhe tragjiko-komike këtë situatë, dy institucionet me debitore të Ministrisë së atëhershme të Punës ishin vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Inspektorati i Punës, i cili shkon për të kontrolluar nëse të tjerët punojnë në të zezë dhe nuk janë paguar sigurimet shoqërore”, tha Veliaj.

     Institucionet shtetërore që s’kanë paguar sigurime shoqërore

    Janë rreth 1500 institucione shtetërore, të cilat për 8 vite me radhë kanë mashtruar mijëra zyrtare duke u vjedhur paratë e sigurimeve shoqërore, e çka është më e rëndë, duke u rrezikuar pensionet.

    Veliaj ka përmendur disa nga institucionet më të rëndësishme si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, ALUIZNI, QSUT-ja etj., të cilat gjatë tetë viteve të qeverisjes së kaluar nuk u kanë paguar sigurimet punonjësve të tyre, duke u rrezikuar kështu edhe një pjesë të mirë të pensionit. “Nëse kjo nuk do të ishte zbuluar, një pjesë e mirë e ushtarakëve do të rrezikonin të mbeteshin pa pensione. Ka reparte ushtarake të cilat kanë deri në 1 milion dollarë sigurime shoqërore të papaguara. Vendi ku kemi jetuar në 8 vite, ka qenë një vend i cili paska punuar në të zezë për mijëra zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Veç ministrive, ALUIZNI është institucioni me debinë më të madhe; një institucion që duhej të ishte përgjegjës për legalizimin e shqiptarëve që kishin ndërtuar në mënyrë ilegale, ishte vetë ilegal, sepse punonte në të zezë”, tha z. Veliaj.