Skandali i pusullave të radhës në ISSH: pak sportele për 700 hallexhinj në ditë

    327
    Sigal

    Radhët pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) vazhdojnë të jenë çdo ditë në rritje. Numri peronave që presin në zyrat e kësaj qendre shkojnë vetëm brenda një ditë në mbi 700 persona, të cilët kërkojnë shërbimet e kësaj qendre. Ditën e premte Gazeta “Telegraf” bëri një pasqyrim të situatës kaotike që ndodhte prej kohësh në këtë qendër, por ende asgjë nuk është bërë për përmirësimin e kushteve të shërbimeve pranë ISSH-së. Ditën e hënë, është bërë një tjetër vëzhgim në ambientet brendshme të ISSH-së, por situata mbetej sërish në kushte të njëjta, ku njerëzit ishin të detyruar të prisnin në radhë me biletë në dorë, numri i së cilës shkonte deri në afro 700 në një ditë.
    Pensionistë, invalidët dhe personat e tjerë që kërkonin shërbimet e kësaj qendre, u shprehën ditën e hënë për Gazetën “Telegraf” se kjo gjendje vazhdon të jetë e tillë, çdo ditë të javës. Në radhë janë të detyruar të qëndrojnë edhe pensionistët apo invalidët, të cilët pavarësisht kushteve shëndetësore që paraqesin, janë të detyruar të presin në radhë më bileta në dorë. Për Gazetën “Telegraf”, një pensionist shprehet se bileta që ai ka në dorë tregon numrin 541, numër ky, i cili tregon radhën që ky pensionist është i detyruar të mbajë derisa një nga punonjësit e kësaj qendre ta thërrasë për t’i ofruar shërbimin e merituar. Një tjetër pensioniste, kishte ardhur pranë kësaj qendre për plotësimin e një dokumentacioni, i cili i ishte lënë pezull që para dy javëve dhe që ditën e hënë duhet të paraqitej sërish për të përfunduar plotësimin e dokumentacionit për daljen në pension, por që u desh shumë punë, sepse punonjësja që i kishte marrë në dorëzim dokumentin para dy javëve ishe me leje, nga kjo situatë, e detyruar pensionistja duhet të procedonte me një tjetër punonjëse, por që shërbimi u ofruar vetëm pas ankesave të shumta që e moshuara shfaqi para punonjësit, i cili merrej me grumbullimin e biletave me numrat përkatës.

    Situata paraqitet problematike edhe pranë zyrave të KEMP-it, ku radha nuk është problem, por në këtë zyrë ka problematika të herëpashershme në lidhje me ngatërrimin e dosjeve të personave, problematika këto të cilët detyrojnë invalidët të paraqiten disa herë në javë për të marrë dokumentacionin e saktë. Personat që presin në radhë shprehen të indinjuar, duke thënë për gazetën se “Ankesat tona nuk shërbejnë për asgjë, pasi numri i personave brenda një ditë shkon në qindra, ndërsa ankesat tona shkojnë në vesh të shurdhër, duke mos marrë asnjë masë për rregullimin e kësaj situate, e cila gjatë gjithë ditëve të javës mbetet e njëjtë”. Vetë punonjësit e kësaj qendre të pyetur se pse radhët vazhdojnë të mbeten problem, shprehen se: “Kjo nuk është në kompetencën tonë, ne bëjmë thjesht atë që na është vendosur si rregullore, pra respektimin e radhës nga ana e qytetarëve me biletë në dorë”, biletë kjo e cila mund të mbajë një numër tepër të lartë, në disa raste një numër që shënon mbi 700. Kjo është situata me të cilën përballen çdo ditë, pensionistë, invalidë, të rinj, pagues të rregullt të taksave të vendosura nga qeveria, por që shërbimi nuk është prioritet për këta qytetarë, të cilët enden çdo ditë pranë zyrave të shërbimeve sociale, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin dhe nuk mund të marrin dot shërbimin e merituar.