Skandali, fëmijët me diabet vetëm një age nga shteti shqiptar

    426
    Sigal

    Intervistë/ Flet anëtarja e bordit drejtues  të “Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet” 

    Mesa duket, Diabeti, ose e quajtur ndryshe “Sëmundja e Shekullit” po merr përmasa të mëdha në vendin tonë. Kjo sëmundje nuk po prek vetëm moshën e rritur, por bartës të saj tashmë janë dhe fëmijët e vegjël. Diabeti ndahet në disa lloje, ai i tipit të parë, i cili është diabeti që prek fëmijët dhe të rinjtë. Dhe diabeti i tipit të dytë, që prek moshën e rritur mbi 30 vjeç. Shkaqet nuk dihen ende, por ajo që është më shqetësuese është fakti që, mesa duket shteti nuk ofron ende kushtet e duhura për trajtimin e kësaj sëmundje, ashtu sikurse shprehet në një intervistë për gazetën “Telegraf” anëtarja e bordit drejtues  të “Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet”.

    Znj. Ermira, a mund të na thoni si fillim se përse shfaqet kjo sëmundje tek të rinjtë, veçanërisht tek fëmijët?

    – Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Por, nga studimet e bëra është dalë në përfundimin se, mund të jenë shkaqe gjenetike, për shkak të pranisë së një virusi, ose qelizat e pankreasit nuk prodhojnë insulinë mjaftueshëm për të furnizuar organizmin.

    Çfarë ofron vendi ynë për këta të sëmurë?

    – Duke bërë krahasime me vendet e tjera të botës, shteti ynë ofron shumë pak. Nuk mund të themi se nuk ofron asgjë, por jo aq sa ka nevojë një i sëmurë diabetik. Shteti na ka mundësuar dhënien e insulinës falas dhe një age. Por, pacienti ka nevojë për më shumë se një age, pasi për injektim duhen afërsisht 3-4 age, në mënyrë që fëmijës mos t’i nxihet vendi i injektimit dhe mos t’i krijohen probleme. Gjithashtu, ndihet nevoja e një matësi të insulinës, në mënyrë që sëmundja të mbahet nën kontroll. Shumë familje nuk e kanë mundësinë e blerjes së gjilpërave apo të fishave, pavarësisht se shteti ofron një ndihmë ekonomike që varion nga 80-90 mijë lekë të vjetra, mesatarisht për një fëmijë, e cila vjen në rritje në varësi të moshës. Por kaq nuk mjaftojnë as për ilaçet, të mos flasim pastaj për dietat që duhen mbajtur.

    Veç kësaj, çfarë i duhet realisht një fëmije diabetik?

    – Në Shqipëri ka shumë pak informacion për diabetin, për mënyrën se si duhet trajtuar një fëmijë diabetik, që mos të ndihen të veçuar, që të jetojnë si duhet, sepse ata janë pjesë e shoqërisë. Ata duhet të mësojnë të jetojnë më këtë sëmundje dhe t’i kalojnë këto vështirësi.

    Pse trumbetoni kaq fort tek fëmijët?

    – Sepse fëmijët janë e ardhmja e vendit, janë vazhdimi i jetës. Këta fëmijë e kanë nisur jetën me diabetin tipi i parë dhe do ta vazhdojnë atë dhe me tipin e dytë. Ndaj duhet të jenë gjithmonë nën mbikëqyrje të rreptë në mënyrë që mos të dëmtohen rëndë nga pasojat e tij, sepse është një sëmundje, e cila nuk kurohet si sëmundjet e tjera të shërueshme.

    A mjafton vetëm kujdesi i mjekut dhe i familjes?

    – Familja është mbështetësi i parë në momentin që merret vesh për sëmundjen. Mjeku bënë kurimin e nevojshëm. Por kjo është shumë pak, pasi duke filluar te familja, e cila nuk e ka informacionin e mjaftueshëm për sëmundjen, ky informacion mungon dhe në shkolla. Nëse në një klasë kemi një fëmijë diabetik, mësuesja duhet të dijë t’i ofrojë ndihmën e parë në rast se fëmijës i bie insulina. Duhet ta trajtojë në mënyrën e duhur, që fëmija mos të ndihet i veçuar.

    A është i nevojshëm prania e një psikologu?

    – Në momentin e parë që fëmija e merr vesh, ndihet keq, sepse mendon se; pse nuk është si gjithë të tjerët, pse duhet të jetë ai që e mbart këtë sëmundje, pse duhet të jetë ai që merr insulinë? Në këtë rast, lind nevoja e një psikologu, i cili duhet të ndihmojë që fëmija ta përballojë presionin e shoqërisë, që të pranojë sëmundjen e mos të mbyllet në vetvete, duke e fshehur atë që ka, sepse nuk është diçka për t’u fshehur.

    Çfarë kërkoni nga shteti?

    – Shteti të na ofrojë ndihmën që na nevojitet! I themi faleminderit për insulinën dhe agen, por kaq nuk mjafton. Një diabetik nuk është i kontrolluar mirë vetëm duke marrë insulinën. Po nuk u kontrollua, shkakton dëmtime të rënda tek pacienti; dëmtime të shikimit, dëmtim i enëve të gjakut, për pasojë dhe të zemrës, dëmtim i veshkave etj. Nga shteti kërkojmë ose të na rrisë ndihmën ekonomike, pasi me aq lekë nuk mund të përballojmë as dietën, ose të na japë mjekime falas, age etj.

    Dita botërore e diabetit: Të kesh diabet, nuk do të thotë kufizim

    Duke ditur që diabeti është kthyer në një shqetësim global, Shoqata jo fitimprurëse e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, organizon eventin e Ditës Botërore të Diabetit. Projekti do të zhvillohet ditën e enjte më datë 14 nëntor, ora 10:30 – 13:30, pranë sheshit “Nënë Tereza” dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Qëllimi i këtij aktiviteti është mbledhja e fëmijëve dhe të rinjve me diabet, aktivizimi i tyre në aktivitetet që do të organizohen nga shoqata dhe sensibilizimi i shoqërisë në përgjithësi lidhur me këtë sëmundje të shekullit. Për këtë aktivitet janë përgatitur njoftime me shpërndarjet e posterave në ambientet e Spitalit “Nënë Tereza”, në Qendra Shëndetësore, në Poliklinikat dhe në disa shkolla të ndryshme të qytetit të Tiranës. Gjatë eventit do të ketë stenda për konsultime me mjekë, psikologë; do të shpërndahen fletëpalosje, të cilat flasin për uljen e rrezikshmërisë së shfaqjes së diabetit; për ushqimin dhe për aktivitetin fizik; si dhe regjistrime për anëtarësim në Shoqatën e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet. Këtij aktiviteti nuk do t’i mungojë dhe rrethi i madh, i krijuar nga fëmijët me tullumbace në duar, i cili është dhe simboli i diabetit në mbarë botën. Nuk do të mungojnë dhe aktivitetet fizike, që do të sensibilizojë fëmijët dhe të rinjtë dhe për t’u bërë atyre të ditur që, të kesh diabet, nuk do të thotë të kufizohesh nga aktivitet e ndryshme.