Skandali, CEZ u vjel fermerëve taksën e RTSH-së për serat dhe sistemet e vaditjes

    441
    Sigal

    Fermerët shqiptarë paguajnë taksën e Televizionit Publik Shqiptar për serat apo sistemet e tyre të vaditjes. Meqenëse Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE (CEZ Shpërndarje) ka në dorë vjeljen e taksës së televizorit nëpërmjet faturave të saj, kjo kompani ka vendosur që të taksojë çdo banesë apo subjekt që ka kontratë me të, pavarësisht nëse ka aparat televiziv brenda apo jo. Pra, mjafton të kesh një kontratë me OSHEE dhe automatikisht të faturohet edhe “tarifa e shërbimit për përdorimin e aparateve televizivë”. Denoncimi vjen në gazetën “Telegraf” nga fermerë të ndryshëm, të cilët ankohen se OSHEE po takson për televizorin, ambientet e tyre të punës si: sera, sistemet e ujitjes së tokave të tyre, kasolle etj.. E megjithëse fermerët apo banorët e fshatrave, të cilët janë të vetëpunësuar duke investuar në tokat e tyre bujqësore, e kanë të padobishëm një aparat televiziv, ata tariforen çdo muaj rregullisht nga OSHEE. Edhe pse ata janë ankuar shpesh për këtë gjë në zonat e tyre, OSHEE e ka krijuar tashmë standardin e vet dhe për të çdo subjekt, që ka kontratë energjie, do të paguajë dhe taksën e televizorit prej 1 mijë lekësh të vjetra në muaj. Ndërsa abonentëve familjarë ua vjel muaj për muaj këtë taksë, bazuar në ligj, OSHEE e shkel këtë të fundit tek abonentët e tjerë jo familjarë, siç janë fermerët apo dhe subjekte të tjera private. Megjithëse fermerët nuk kanë pse të mbajnë televizor në tokat e tyre bujqësore, ku kanë investuar për sisteme ujitjesh (ku është e nevojshme përdorimi i elektropompave, si rrjedhojë dhe kontrata me OSHEE) apo për sera me ngrohje, OSHEE i takson me 1 mijë lekëshin siç paguajnë çdo muaj dhe familjarët. Kjo, sipas fermerëve është një vjedhje e pastër nga OSHEE, e cila përdor lloj-lloj metodash për të rrjepur qytetarët shqiptarë. Porse në udhëzimin “Për përcaktimin e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive” të Ministrisë së Financave, ndër të tjera thuhet se: “Për shërbimin e kryer, OSSH-ja, (tashmë OSHEE) përfiton 5% komision të llogaritur mbi masën e tarifave që ka arkëtuar dhe ka transferuar në llogarinë përkatëse të thesarit”. Kjo pjesë e udhëzimit tregon qartë dhe arsyet e abuzimeve të OSHEE me taksën e televizorit, duke vendosur për çdo kontratë energjie një taksë televizori.