Skandali: CEZ, nuk kursen as festat, do të ndërpresë energjinë më 26 nëntor

    356
    Sigal

    Abuzimet dhe padrejtësitë që i bën CEZ qytetarëve shqiptarë nuk kanë fund. Është një fakt i pamohueshëm që nga një anë CEZ mbifaturon konsumatorët e rregullt dhe nga ana tjetër energjia që ofron është jashtë çdo standardi megjithë faturat e mbishtuara, këtë e konstaton edhe nga vëzhgimet që ka bërë “Telegraf” në terren me qytetarët.

    Po ashtu CEZ nuk do të kursejë as për festat e nëntorit ndërprerjen e energjisë. Energjia elektrike do të stakohet ditën e hënë në n/stacionin e Valiasit, Porto Romanos dhe Maliqit. Po sipas CEZ stakime do të ketë edhe në TEC-in e Vlorës dhe atij të Bajzës.  Për rrjedhojë do të mbeten pa energji elektrike: Laknasi, Valiasi, Frutikulturi, Rinasi, Bërxulla, Tapiza dhe Cekreza. Po sipas CEZ-it, energjia elektrike do të mungojë në Kasallë, Fushë Kamëz, Spitallë, fshati Rinia, Bisht Pallë. Stakime të energjisë do ketë edhe në Maliq, Gorë, Libonik, Vlorë dhe Komunën Kastrat. Në të gjitha vendet e sipërpërmendura energjia elektrike do të mungojë nga ora 00:00 deri në orën 05:00.  Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi ndërprerje të energjisë në mënyrë kolektive, vonesa në sportele, mungesë etike në komunikim nga punonjësit janë të pranishme çdo ditë.

    Kjo ndërprerje në mënyrë kolektive është abuzive dhe tregon edhe njëherë paaftësinë e kësaj kompanie për të menaxhuar situatën. Ankesat për abuzime dhe ndërprerje të energjisë nuk janë të shtrira vetëm në Tiranë, ato janë të shtrira në çdo cep të Shqipërisë. Sipas informacioneve të mbërritura në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar rezulton se rreth 40 % e ankesave janë ndërprerje kolektive dhe më shumë këto ndërprerje ndodhin në periudhat më të vështira.