Skandali, Bankers Petroleum rrezikon jetën e banorëve të Mbrostarit. Helmohen me gaz H2S

    444
    Sigal

    Kompania Bankers Petroleum rrezikoi mëngjesin e 15 shtatorit jetën e banorëve të komunës Mbrostar të Fierit, për shkak të avarive në pusin B-28, e cila çoi në çlirimin e gazit helmues H2S. Kjo përbën skandalin e radhës për firmën kanadeze, e cila me anë të një njoftimi bën të ditur evakuimin e banorëve të zonës për shkak të çlirimit të gazit helmues në zonën përreth pusit B-28. Por, banorët e zonave naftëmbajtëse në rrethin e Fierit kanë vite që protestojnë kundër firmës kanadeze Bankers, pasi kjo firmë ndot ambientin dhe nuk respekton premtimet e dhëna prej saj, që në nisje të këtij aktiviteti. Ka vite që banorët ndihen të rrezikuar, po tani situata është rënduar së tepërmi. Çdo familje ka në shtëpi një ose dy anëtarë me karbon në gjak apo me sëmundje të tjera. Ndotja merret nga uji apo nga produktet bujqësore. Afërsia e tokave bujqësore me puset e naftës ka bërë që ajri dhe uji i ndotur, t’i vrasin qetë-qetë këta banorë autoktonë. Banorët e zonave naftëmbajtëse shprehen të shqetësuar për jetën e tyre dhe shohin me dyshim të ardhmen, ndërsa akuzojnë kompaninë kanadeze për indiferencën përballë dëmeve të pallogaritshme që u shkakton këtyre banorëve në jetën e tyre, përfshi këtu dëmtimin e ambientit, si dhe dëmet e dukshme në bujqësi, të mbjella dhe ushqim bagëtish. Sa herë kanë ndodhur plasje apo avari me puset e naftës, asnjëherë nuk është pastruar ambienti përreth për të mos folur pastaj për gazet helmuese që banorët thithin çdo ditë. Një tjetër gjë që shqetëson dhe ka nxjerrë në protesta banorët e zonës, është se në të gjithë territorin ku operon Bankers ndodhin lëkundje sizmike, të cilat kanë shkaktuar prishjen e banesave, ku banorët ndihen të rrezikuar për të jetuar. Gjendja social-ekonomike e qytetarëve tanë të cilët jetojnë në një zonë naftëmbajtëse me shpresën e gjatë, se do bëjnë një jetë më të mirë, është për të ardhur keq. Por, çuditërisht qeveritarët tanë kanë frikë të shkojnë në zyrat e Bankers Petroleum. Ndërsa shqiptarët duan të dinë gjithë aktivitetin e kësaj kompanie, sa naftë ka prodhuar, sa ka fituar shteti shqiptar, sa ka investuar, taksat e paguara, teknologjinë, si dhe kontrolle për të analizuar shëndetin e banorëve në zonat përqark. Asgjë nga këto nuk dihet, por Bankers thotë se shteti merr shumë të ardhura nga kjo kompani… Bankers Petroleum sillet si një shtet brenda Shqipërisë, duke bërë kërdinë me naftën tonë, duke rrezikuar çdo ditë jetën e qytetarëve tanë dhe pa i hyrë gjemb në këmbë. Vetëm qeveritë fashiste janë kundër popullit të vet. Qeveria e mëparshme e fuqizoi Bankersin, ndërsa e sotmja, e cila premtoi në fushatë zgjedhore se do t’i rishikonte të gjitha marrëveshjet koncensionare, tani çon policë kundër protestave të banorëve të zonës. Edhe në njoftimin e saj, Bankers Petroleum kërkon bashkëpunimin e institucioneve shtetërore, por mbi të gjitha mbështetjen e policisë shqiptare.