Skandali, Albtelekom shkel ligjin shqiptar, për faturën analitike

    771
    Sigal

    Konsumatorët shqiptarë paguajnë shuma që nuk i përgjigjen konsumit real të impulseve

    Konsumatorët paguajnë shuma tejet të mëdha e të konsiderueshme parash të cilat nuk i përgjigjen konsumit real të impulseve. Ndonëse ata i drejtohen shpesh Albtelekomit dhe i kërkojnë që për impulset e harxhuara të njihen me konsumin e detajuar, duke marrë në dorë faturat analitike, kjo nuk bëhet e mundur nga kompania. Asnjë qytetari nuk i shkon fatura e shërbimit telefonik fiks në shtëpi, sikurse është parashikuar në kontratën që Kompania Albtelekom ka lidhur me abonentët, gjithashtu e parashikuar edhe në ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Edhe ky shërbim bën pjesë në listën e shërbimeve që kjo kompani u ka mohuar abonentëve të saj. Ndërkaq, të gjitha qytetarët që marrin shërbimin e telefonisë fikse nga kjo kompani, njihen me vlerën e faturës vetëm pasi shkojnë dhe e kërkojnë atë në zyrat e kompanisë për të shlyer detyrimin mujor. Madje, vetëm pasi qytetari ta ketë bërë pagesën mund ta tërheqë faturën. Kjo politikë diskriminuese për konsumatorët, nuk i lejon qytetarit për t’u ankuar për koston e shërbimit, ose më saktë ankesa e tij është një përpjekje boshe, pasi shumën që ai ka paguar nuk i kthehet më, në qoftë se ankesa e tij cilësohet si e drejtë. Megjithatë, mohimi i shërbimit për çuarjen e faturës në shtëpi të abonentit nga ana e kompanisë, ashtu siç e përcakton ligji, përbën edhe disa favore të tjera për kompaninë dhe nga ana tjetër rëndon me tej qytetarët si nga ana ekonomike ashtu edhe fizike. Kështu, me heqjen e këtij shërbimi kompania kursen disa punëtorë, gjithashtu edhe pagën e tyre, për shërbimin e transportimit të faturave deri në shtëpitë e abonentëve. Gjithashtu edhe hapësira për t’u ankuar për vlerën e faturave telefonike në raport me thirrjet e konsumuara nga ana e qytetarëve është më e vështirë.

    Legjislatura për faturën analitike

    Albtelekom duhet të përmirësojë shërbimet e faturimit ndaj abonentëve, duke shtuar në përputhje me Ligjin Nr.9135 dt.11.09.2003 “Për Mbrojtjen e Konsumatorit” listën analitike pa pagesë të thirrjeve telefonike, krahas faturës së shitjes për impulset e harxhuara. Konkretisht, në përmbajtjen e Nenit 37 pika 3, 4 dhe 6 të Ligjit. Nr.9135 dt.11.09.2003 “Për Mbrojtjen e Konsumatorëve” parashikohet se: “3.Fatura për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit duhet të përmbajë informacion të plotë, lidhur me: Listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar. 4.Faturat e paraqitura konsumatorit duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikmëri llogaritjen e shitjes apo shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar. 6.Shërbimet ndaj konsumatorit për faturimet do të jenë pa pagesë”. Nga përmbajtja e mësipërme e ligjit, krijon bindjen e plotë se faturës fillestare të shitjes i janë shtuar elementë të rinj integralë, si lista e thirrjeve dhe kohëzgjatja e telefonatave. Kjo formë e re e faturës, në zbatim të dispozitës së mësipërme, duhet të kishte gjetur zbatim të plotë ligjor dhe pa pagesë nga ana e Albtelekom. Mirëpo, ky detyrim ndaj konsumatorëve nuk zbatohet dhe ngatërrohet, mbase dhe me dashje me aplikimin e shërbimit shtesë të faturës (me pagesë) që parashikon Neni 30, paragrafi i fundit i Ligjit Nr.8618 dt.14.06.2000 “Për Telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë” ku thuhet se: “Me kërkesë të përdoruesit, operatori i shërbimeve telefonike publike duhet të sigurojë shërbimin me faturë të hollësishme, kundrejt një pagese të arsyeshme”. Edhe pse legjislacioni shqiptar është i detyrueshëm të zbatohet për të gjithë ata që jetojnë, punojnë dhe veprojnë në Shqipëri, Kompania Albtelekom vazhdon të veprojë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe në dëm të interesave ekonomike të konsumatorit.

    Çfarë përmban fatura telefonike

    Fatura e shërbimit telefonik mujor përmban koston e bisedave të konsumuara nga abonenti dhe ajo ligjërisht duhet t’i shkojë abonentit në shtëpi bashkë me fletën analitike të thirrjeve. Ndërkaq, jo vetëm fleta analitike, por edhe fatura telefonike u është mohuar abonentëve nga Kompania Albtelekom. Ky është një fenomen, i cili kuptohet nga kushdo se shkelet hapur si kontrata, ashtu edhe të drejtat e konsumatorëve që përcaktohen në Kushtetutë. Megjithatë, në pamundësi për të zgjedhur një shërbim tjetër, qytetarët tashmë janë të detyruar që këtë shërbim ta kryejnë vetë, ose ta ndërpresin kontratën.

    Apeli u jep të drejtë abonentëve për mbifaturimin nga Albtelekom

    Shoqëria “Albtelecom Tiranë” sh.a. ka paditur qytetarët Teodor Sina, Arnisa Zeqo, Enderjeta Dabulla, me pretendim se personat e lartpërmendur duhet të paguajnë shuma në lekë si detyrim i papaguar nga shërbimi telefonik fiks. Çështja është shqyrtuar në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por, menjëherë pas kësaj, ndaj këtij vendimi ka paraqitur ankimim pala e paditur, e cila ka kërkuar ndryshimin e vendimit dhe pranimin pjesërisht të padisë duke e çuar çështjen në Apel. Abonentët kanë pohuar se vendimi i gjykatës nuk është i drejtë dhe i bazuar në prova e në ligj. Gjykata nuk ka kryer një hetim të hollësishëm dhe i ka marrë të mirëqena llogaritjet e njëanshme të paditësit. Gjithashtu, shuma që duhet të paguajnë, është një shumë e vendosur në mënyrë arbitrare. Veç kësaj, ata pohojnë se ka kërkuar pranë palës paditëse ndërprerjen e shërbimit si pasojë e faturimit të madh dhe se tarifimi në vazhdim është i pabazë e alogjik, pasi vetë gjykata nuk ka përcaktuar shumën nga një ekspert i fushës.

    Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka marrë në shqyrtim çështjen dhe ka vendosur të hedhë poshtë vendimin, duke mos i dhënë të drejtë  shoqërisë “Albtelecom”. Ajo konstatoi se, të  paditurit nuk kanë likuiduar shumat përkatëse të faturave mujore. Por, Sipas nenit 12 të K. Pr.Civile parashikohet se: “Pala që pretendon një të drejtë, ka detyrimin që, në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilat bazon pretendimin e saj”. Sipas nenit 14 të K.Pr.Civile parashikohet se: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin”. Sipas nenit 16 të K.Pr.Civile parashikohet se: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.” Ndërsa në nenin 20 të K.Pr.Civile parashikohet se :“Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontradiktoritetit”. Ajo e mbështet vendimin e saj vetëm në mjetet, shpjegimet, dokumentet, provat e tjera të treguara ose të sjella nga palët, kur këto të fundit kanë qenë në gjendje të debatojnë, sipas parimit të kontradiktoritetit”. Gjykata e Apelit konstaton se gjykata e shkallës së parë në fakt ka dhënë një vendim në shkelje të ligjit procedurial, pa një analizë provash dhe faktesh mbi bazën e të cilit ka arritur në konkluzionin se padia e paditësit “Albtelecom” sh.a është e bazuar e si e tillë duhet pranuar. Gjithashtu kjo Gjykatë i jep të drejtë paditësve, pasi në nenin 8 të kontratës së lidhur mes palëve “Prishja e njëanshme e kontratës” parashikohet se : “8.1 Operatori mund të prishë Kontratën në mënyrë të njëanshme kur përdoruesi: b. nuk shlyen pagesat e faturës brenda 60-62 ditëve kalendarike, llogaritur nga data e fundit e muajit të faturuar. 8.2 Përdoruesi ka të drejtë ta konsiderojë këtë kontratë të prishur ditën e 7 (shtatë) pas paraqitjes së kërkesës së tij sipas pikës 4.2.3”. Për të gjitha këto, Gjykata e Apelit vendosi që çështja të rikthehet për rigjykim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.