Skandali, 2300 dëshmi penaliteti false

610
Përparim HALILI
2270 nëpunës dhe 69 drejtues, kanë në dosje “Dëshmi Penaliteti” që nuk janë lëshuar nga shteti! 
Skandali u zbulua gjatë verifikimit të dosjeve nga grupi i punës, skedimi po bëhet me lista emërore për 8 kategori të punësuarish
– Ky numër zyrtarësh është zbuluar deri tani në 7 ministri, 29 drejtori qendrore, në 34 drejtori rajonale e në 21 bashki, të cilët rezultojnë, se në dosjet e tyre të punësimit ka dëshmi penaliteti, të pa lëshuara nga institucioni shtetëror i autorizuar ligjërisht 

Reforma e dështuar e 4 viteve 2013-2017, për (mos) “Rilindjen” e administratës publike është pranuar publikisht nga kryeministri dhe ka nisur përsëri si sproces në logon “timoni i tepsisë vetëm”, duke ngritur grup pune të posaçëm vetëm me deputetë të besuar PS, që siç thuhet nga kryeministri “nuk do bëjnë spastrime kundërshtarësh politikë”, por pastrimin e zyrave nga analfabetët, militantët partiakë, të punësuarit me diploma false, të paaftët, nga zyrtarët me lidhjet nepotike-familjare-politike dhe nga individët e inkriminuar e të dënuar për korrupsion, të cilët janë punësuar klientelisht në shtet e madje, janë graduar edhe drejtues të lartë në të gjithë nivelet e administratës publike, të shtetit, të pushtetit qendror e lokal dhe si të zgjedhur në krye të bashkive, në këshilla bashkiakë e këshilla qarqesh. Ky grup spastrimi i administratës publike, ka nisur punë dhe me lista zyrtarësh e drejtuesish në dorë, po vazhdon evidentimin e plotë në çdo zyrë e deri brigadë ujësjellësi, për të skeduar “teserat partiake” të tyre dhe për të zbuluar ndonjë “kleçkë”, mund të përdoret për të justifikuar largimet nga administrata! 
Zbulohen 2270 nëpunës dhe 69 drejtues, me “Dëshmi Penaliteti” false 
Katër ditë më parë, gazeta “Telegraf” publikoi skandalin, që në zyrat e shtetit ka 11 mijë persona me diploma false, të punësuar si anëtarë, militantë dhe familjarë të “Rilindjes”. Një informacion tjetër, që “Telegraf” e ka siguruar nga burime brenda ekipeve të evidentim-pastrim administratës, na bëri me dije një tjetër skandal: Punësimet në administratë fshehin një realitet të rënduar, që ka lidhje me kriminalizimin e zyrave të shtetit në të gjithë nivelet, fakt që gazeta “Telegraf” e ka denoncuar shpesh! Sipas informacionit, thuhet se në dosjet e shumë zyrtarëve dhe drejtuesve shtetërorë, janë depozituar “Dëshmi Penaliteti”, të cilat nuk janë lëshuar zyrtarisht nga institucioni i autorizuar shtetëror, i deklarimit të Gjendjes Penale të shtetasve! Çfarë përcakton ligji dhe çfarë ka ndodhur realisht? Të pranohesh në punë në administratën publike është kusht, që qysh në çastin e aplikimit, konkurrimit apo edhe të emërimit në postet politike, duhet të depozitohet dokumenti “Dëshmi Penaliteti”, i cili lëshohet vetëm zyrtarisht nga institucioni i verifikim-deklarimit të gjendjes penale, dokument që kërkohet dhe jepet vetëm nëpërmjet shërbimit postar shtetëror! Ky kriter punësimi dhe emërimi në administratë është vendosur për të evituar futjen në zyrat e shtetit, të individëve me “damka” e rekorde kriminale! Mirëpo rezulton, se ky kriter nuk është zbatuar në mijëra raste punësimi në zyrat e shtetit, duke lejuar abuzimin e rëndë, që i ka hapur rrugë mbushjes së zyrave të shtetit, të pushtetit qendror e lokal me persona me “damka” penale për krime të kryera brenda e jashtë Shqipërisë, deri si anëtarë dhe drejtues grupesh kriminale në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që ata gjenden si nëpunës e drejtues të zyrave shtetërore në Shqipëri, madje edhe shkojnë kryetarë e anëtarë delegacionesh shtetërore me identitet të ndryshuar! Këta persona të penalizuar, rezulton se janë punësuar dhe emëruar në poste drejtuese, duke paraqitur “Dëshmi Penaliteti”, të cilat nuk janë dokumente zyrtare, të lëshuara nga “Drejtoria Gjendjes Penale të Shtetasve”. E gjersa nuk janë lëshuar nga kjo zyrë shtetërore, padyshim që janë “Dëshmi Penaliteti” false, të cilët janë përdorur për të fshehur “damkat penale”! Raste të tilla janë zbuluar, denoncuar e gjykuar shumë në 4 vitet e fundit për deputetë, diplomatë, drejtorë qendrorë e rajonalë e për krye-bashkiakë, të cilët kanë ndryshuar jo vetëm identitetet, por edhe kanë paraqitur “Dëshmi Penaliteti” false! por që në dosjet e të punësuarve si zyrtarë të thjeshtë, si specialistë e drejtues shtetërorë apo shërbimesh publike buxhetore, gjenden dokumentet “Dëshmi Penaliteti”. Sipas informacionit të parë, që na ka ardhur nga grupet e punës, rezulton se një “ushtri” e madhe personash janë punësuar në administratë, duke depozituar “Dëshmi Penaliteti” që nuk janë lëshuar nga shteti, por që janë konsideruar të rregullta prej titullarëve të shtetit, pa u kaluar në “filtrin” e verifikimit, siç e detyron ligji. Ky skandal në zyrat e shtetit, u zbulua gjatë verifikimit të dosjeve, prej grupit të punës që ka nisur spastrimin e administratës publike dhe rezulton, se deri tani janë evidentuar 2270 nëpunës dhe 69 drejtues, të cilët në dosjet e punësimit dhe emërimeve kanë “Dëshmi Penaliteti” që kanë karton e vulë shtetërore, por që nuk janë lëshuar nga shteti! Deri tani, ky numër nëpunësish është zbuluar se ekziston në 7 ministri, në 29 drejtori qendrore, në 34 drejtori rajonale dhe në 21 bashki.

Pas denoncimit të “Telegraf”

Në mars 2015, ministrja Harito urdhëroi pajisjen me “Dëshmi Penaliteti” 
Gazeta “Telegraf”, në muajin mars 2015, denoncoi faktin që 40% e zyrtarëve të shtetit ishin punësuar pa paraqitur dokumentin “Dëshmi Penaliteti”. Pas këtij denoncimi, në datën 20 mars 2015, reagoi ministrja Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito e cila urdhëroi, që brenda muajit mars 2015, të gjithë punonjësit e administratës publike, të pajiseshin me “Dëshmi Penaliteti”. Po, a u pajisën me këtë dokument, afro 35 mijë zyrtarë? Sipas investigimit të bërë e të publikuar në muajin maj 2015 nga “Telegraf”, rezultoi se në dosjet e tyre ishin futur “Dëshmi Penaliteti”, të pranuara, por të pa verifikuara nga zyrat e burimeve njerëzore të institucioneve! Dhe ja ku zbulohet skandali, që shumë nga këto “Dëshmi Penaliteti” janë vulosur e firmosur në rrugë e janë paraqitur si “të rregullta” në dosjet e punësimit, por që emri i tyre në në shtet rezulton me “damka” penale!
Janë aktivizuar 1300 “agjentë rilindës” , për verifikimin e të punësuarve në shtet 
Bie në sy një fakt: Grupi punës, ka “rekrutuar”, aktivizuar e hedhur në veprim 1300 “agjentë” të besuar, anëtarë të “Rilindjes”, që po hapin dosjet e punësimeve në çdo ministri, drejtori qendrore, rajoni, rrethi e qyteti, në çdo qark, prefekturë, bashki e shërbime publike në shëndetësi, ushtri, polici, arsim, kulturë, energji, KESH, HEC-e, porte detare, kufi, aeroport, zyra pune, çerdhe e kopshte fëmijësh, në zyra pensionesh e kudo ku ka të punësuar shteti në qytete dhe ish-komuna! Këta “agjentë”, të përzgjedhur në çdo bashki nga anëtarët e grupit të punës, në bashkëveprim me deputetët e rinj dhe drejtuesit e PS-së në zona, po vepron sipas një platforme të gatshme të dhënë nga grupi i punës, për të bërë “skedimin” e punonjësve shtetërorë në çdo njësi administrative dhe shërbim publik. Pesë grupe “agjentësh” janë ngarkuar me detyrën për të bërë evidentimet nëpër ministri. 
Skedimi i administratës, lista emërore për 8 kategori të punësuarish
Sipas udhëzimit nga “Grupi i Punës”, “agjentët” që do zbulojnë të dhënat e çdo të punësuari në shtet, nuk do të bëjnë evidentim “global” emrash, por skedime në dy kategori: 
1. Të punësuar në përputhje me ligjin. 
2. Të punësuar në kundërshtim me ligjin. 

Këto dy kategori, pasi të evidentohen saktësisht, do të ndahen në 8 kategori të punësuarish dhe të dhënat e tyre do të depozitohen vetëm tek “Grupi Qendror i Punës”, duke mbajtur si pikë referimi, hartimin e listave sipas skedimit të mëposhtëm: 

1. Lista me emrat e të punësuarave, anëtarë e të zgjedhur zonalë të organizatave të PS. 
2. Lista me emrat e të punësuarve, anëtarë të LSI
3. Lista me emrat e të punësuarave, anëtarë të PDIU 
4. Lista me emrat e të punësuarave, anëtarë të PD dhe familjarë të deputetë dhe drejtuesve të saj
5. Lista me të punësuarit, familjarë të drejtuesve të “Rilindjes” në qendër e rrethe
6. Lista me emrat e të punësuarve me rekomandim dhe urdhër të deputetëve të “Rilindjes”
7. Lista me emrat e të punësuarve nëpër ministri e drejtori qendrore, të bashkëshortëve dhe familjarë të ministrave e deputetëve të “Rilindjes”
8. Lista me emrat e të punësuarave, të cilët janë me diploma false e me rekorde kriminale, por që janë anëtarë, militantë dhe financues të PS, apo familjarë të drejtuesve të “Rilindjes” në qendër e rajone.
Sigal