Skandali, 2 firma mashtruese përfitojnë 100 milionët e ujësjellësit

    365
    Sigal

    Shpallen fituesit e tenderit të Ujësjellësit Tiranë, “Furnizimi me fatura” për konsumin e ujit

    Përfundon tenderi i Ujësjellësit Tiranë, me objekt “Furnizimin me fatura” për konsumin e ujit, në vlerën e 100 milionë lekëve. Sipas vetë pjesëmarrësve në këtë tender, thuhet se procesi u zhvillua jashtë kornizave ligjore dhe se janë përzgjedhur fitues, firma të parapëlqyera edhe pse nuk i përmbushnin kriteret për të qenë pjesë e këtij tenderi, e jo më fitues të tij. Para 20 ditësh gazeta “Telegraf”, kërkoi informacione zyrtare për këtë tender nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë dhe realizoi një intervistë me zv. drejtorin e Përgjithshëm të UKT-së z. Alfred Spahiu.

    Zhvillimi i tenderit

    Në datën 8 janar të këtij viti është zhvilluar tenderi me objekt furnizimin me fatura për konsumin e ujit, në vlerën e 100 milionë lekëve. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, tre firmat pjesëmarrëse në tender kanë pasur mungesë dokumentacioni. Gjithashtu, tre ofertuesit kanë dorëzuar thjesht dokumentacionin, pa u lajmëruar se, cili prej tyre ka paraqitur ofertën më të mirë, gjë që sipas Ligjit të Prokurimit Publik ky moment duhej të ishte transparent. I pyetur për mbarëvajtjen e këtij tenderi zv. drejtori i Përgjithshëm i UKT-së z. Alfred Spahiu është shprehur se: “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) është në proces të shqyrtimit të dokumentacionit të firmave pjesëmarrëse. KVO është i vetmi autoritet që përcakton nëse dokumentacioni i paraqitur është i rregullt apo jo”. Më tej ai ka shpjeguar se, “më datë 8 Janar 2014, janë hapur ofertat e firmave konkurruese për tenderin me objekt “furnizimin me fatura” dhe KVO në bazë të ligjit për prokurimin publik ka 20 ditë kohë për shqyrtimin e dokumentacionit dhe marrjen e një vendimi. Pas vendimit të KVO-së, do të përcaktohen hapat e mëtejshëm që do të ndiqen”. Pikërisht pasi kaloi koha e duhur për këtë procedurë, gazeta “Telegraf” kërkoi një takim me Kryetarin e Entit Prokurues të Ujësjellësit Tiranë, meqë kërkesa zyrtare ishte bërë 20 ditë më parë për transparencën e këtij tenderi. Por në fakt ne hasëm në heshtjen institucionale, që mesa duket i shkon për shtat fshehjes së gjurmëve të aferave korruptive në zhvillimin e këtij tenderi. Menjëherë duhet të ushtrojnë kontroll dhe të hetojnë krimi ekonomik, Prokuroria, Agjencia e Prokurimeve Publike për “falsifikim të letrave dhe dokumenteve”, për “dhënie të informacioneve të rreme” etj., në bazë të legjislacionit në fuqi.

    Kompanitë mashtruese fitojnë tenderin

     Dy janë firmat të cilat u përzgjodhën nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave: Kompania “Ilari” dhe “Alb Design”. Të dyja këto firma kanë paraqitur dokumente të falsifikuar në tender, apo kanë fshehur me dashje disa fakte të cilat janë të rëndësishme për të qenë pjesë e tenderit. Por mesa duket, terreni ka qenë i përshtatshëm, përderisa këto dy firma u përzgjodhën si fituese. Kështu, Kompania “Ilari” është në proces gjyqësor për mospagim të tatimeve. Gjithashtu vërtetimi bankar i “Ilarit” është fallco, sepse nuk është bërë në datën që është zhvilluar tenderi. Ndërsa kompania “Alb Design”  nuk ka certifikatën ISO, të lëshuar nga shoqëritë që kontrollojnë respektimin e standardeve të cilësisë. Në bazë të Ligjit “Për Prokurimin Publik” Neni 45 “Kriteret e përjashtimit të kandidatëve ose ofertuesve” këto dy firma pjesëmarrëse në tender, do të skualifikoheshin automatikisht.

    Ligji “Për Prokurimin Publik”

    Neni 45 “Kriteret e përjashtimit të kandidatëve ose ofertuesve”

    “1. Autoriteti kontraktor përjashton nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit çdo kandidat ose ofertues, kur ka të dhëna se janë ose kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë… Autoriteti kontraktor mund t’u kërkojë ofertuesve të paraqesin dokumentet e përmendura në pikën 3 të këtij neni dhe, kur ka dyshime, mund t’u drejtohet organeve kompetente për të marrë ndonjë informacion të nevojshëm për integritetin dhe gjendjen personale të ofertuesve në fjalë… 2. Çdo kandidat ose ofertues përjashtohet nga pjesëmarrja në një procedurë prokurimi, në rastet kur: c) është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale; d) nuk i ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës; dh) nuk i ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës; e) është fajtor për dhënie të informacioneve të rreme, kur këto i janë kërkuar në përputhje me këtë seksion, ose nuk ka pranuar t’i japë këto informacione ose dokumente apo një pjesë të tyre”.